Gati një vit më parë, portalet dhe mediat në Shqipëri publikuan tituj sensacionalë mbi arrestimin e Mikhail Zorin, Fedi Alpatov dhe Svetlana Timofeeva që vinin nga Rusia dhe Ukraina. Ata u kapën duke fotografuar rrënojat e ish uzinës së armatimit në Gramsh dhe sipas disa mediave, që abuzuan me termin ‘sekret‘ përhapën panik dhe krijuan përshtjellim duke raportuar informacione të pavërtetuara. Në muajin qershor tre personzhet u liruan nga paraburgimi në Shqipëri, sepse prokuroria nuk paraqiti prova bindëse për spiunazh, çka rrëzoi edhe shumë nga tezat konspiracioniste të shpërndara më herët.

Barbara Halla

Më datë 25 maj, Gjykata e Elbasanit urdhëroi lirimin e dy shtetasve rusë dhe  një ukrainasi që u arrestuan në gusht të 2022, Svetlana Timofeeva, Mikhail Zorin nga Rusia dhe Fjodor Mihajlov. Ata u kapën në rrethinat e Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh me aparate fotografikë dhe mjete të tjera të dyshimta në dorë, sipas policisë. Ukrainasi Zorin pati një përplasje me dy ushtarë që ruanin godinën dhe i spërkati ata me një lëndë, që në deklaratën e parë të policisë u përshkrua si neuroparalizues.

Por, ashtu siç ndodhi me një tjetër dosje të dyshuarish për spiunazh nga Çekia dhe Rusia që u hetuan në Tiranë që prej verës së 2021, edhe ky rast ngeci për mungesë provash. Sipas vendimit të gjykatës, Timofeeva, Zorin dhe Mihajlov u liruan për shkak të “humbjes se fuqisë së paraburgimit për personat në hetim.”

Burim: Gjykata e Elbasanit

Megjithëse tre të dyshuarit u liruan nga paraburgimi pasi Prokuroria e Elbasanit nuk ka mundur të provojë fajësinë e tyre deri më tani, hetimet do të vazhdojnë. Zorin i cili lëndoi dy rojet e uzinës tani është në arrest shtëpie. Ndërsa Timofevës dhe Mihajlovit nuk u lejohet të ikin nga Shqipëria dhe janë të detyruar të paraqiten në rajonin e policisë së Elbasanit një herë në muaj.

Sipas Top Channel, që i referohet një burimi shumë të sigurtë pranë grupit të anti-terrorit shqiptar, prokuroria tani synon të zbulojë nëse Timofeeva dhe Mihajlov u rekrutuan nga Zorin, apo nuk ishin ne dijeni për punën që ai po bënte. Në emisionin “Ekskluziv” të publikuar disa ditë para lirimit të tyre, Top Channel citon fjali nga dëshmia e Zorin ku ai pranon të jetë rekrutuar nga qeveria ruse për spiunazh dhe se ka ardhur në Shqipëri për të fotografuar ambiente të caktuara. 

Portalet dhe ‘thrilleri’ i spinuazhit rus

Lajmi i lirimit me kusht të tri figurave që kanë zënë imagjinatën e publikut shqiptar me narrativa spinuazhi, frikë për sigurinë kombëtare, dhe histori sulmesh kundër NATO-s u prit me ironi nga portalet shqiptare.

Burim: Lapsi

Lapsi përshkruan akuzat për spinuazh si një ekzagjerim i përdorur më pas nga faktorët politikë për axhendat e tyre duke shtuar si panikun, dhe paqartësinë. Shumë prej tyre vazhdojnë t’i etiketojnë tre të rinjtë si “spiunë rusë,” edhe pse gjykata ende nuk i ka verifikuar si të sakta akuzat për spinuazh.

Burim: A2News

Ndër mediat dhe portalet shqiptare, të pakta qenë ato që vunë titullin e saktë, si për shembull Euronews: “U arrestuan për spiunazh, lirohen 2 rusët dhe ukrainasi,” apo Bold News: “Lirohen nga burgu dy rusët dhe ukrainasi të dyshuar si spiunë.”

Megjithatë, në periudhën që pasoi arrestimin e dy rusëve dhe ukrainasit, portalet shqiptare nuk treguan të njëjtin skepticizëm apo vetëpërmbajtje. Të shumtë qenë artikujt të cilët e përshkruan aksidentin në Gramsh si një kërcënim për sigurinë kombëtare, duke dhënë si fakte, informacione nga burime të paidentifikuara.

Burim: Shqiptarja

Portale si Shqiptarja e prezantuan situatuën me terma alarmante dhe të ekzagjeruar, që shtrembëronte deri diku deklaratën e Policisë së Shtetit. Titulli i përdorur e përshkruan situatën si një konflikt dhe përplasje me përmasa të mëdha, ku dy rusët dhe ukrainasi kishin sulmuar drejtpërdrejt ushtarët që ruanin objektin. Në fakt, vetëm një prej tre të arrestuarve u kap nga ushtarët, ndërkohë që ishte në afërsi të uzinës duke bërë fotografi dhe nuk dukej se po bëntë përpjekje për të hyrë me forcë.

Edhe gjendja e ushtarëve u përshkura si e rëndë dhe dramatike, për të shtuar panikun tek lexuesit dhe duke e portretizuar situatën si një sulm ndaj ushtrisë shqiptare.

Burim: Dritare.net

Po në bazë të burimeve të paidentifikuara, Gazeta Tema pretendonte se policia po i hetonte të akuzuarit si pjestarë të grupit GRU, krahu i inteligjencës dhe spiunazhit të qeverisë ruse. Ndonëse policia dhe prokuroria mund të kenë pasur dyshime dhe spekulime të shumta në fillimet e hetimeve mbi këtë çështje, Tema dhe gazeta të tjera i kanë përhapur këto spekulime si fakte në titujt e tyre.

Burimi: Gazeta Tema

Për më tepër, Tema pretendon se uzina e Gramshit po mbikqyrej nga të pandehurit pasi aty prodhoheshin “fishekë të kalibrit  5.56 mm…Ky lloj municioni përdoret për automatikët M14 nga forca tokësore e ushtrisë shqiptare dhe disa vende të NATO-S.” Në të vërtetë, uzina e Gramshit kishte që në vitet 90-të që nuk prodhonte armë dhe përdorej në mënyrë sporadike për të çmontuar municionet.

Ndërkohë, Top Channel pretendoi se vetë të dyshuarit e kishin pranuar se ishin rekrutuar nga shërbimet sekrete ruse.

Burim: Top Channel

“Sipas burimeve të Top Channel, shtetasi rus ka rrëfyer se është kontaktuar nga agjentë rusë për të bërë foto të objekteve të rëndësisë të veçantë si uzina ushtarake, porte dhe ujësjellës në vendin tonë, por thotë se nuk ka më shumë informacione,” shkruan Top Channel përsëri pa specifikuar për cilat burime bëhet fjalë.

Ndërkohë deklaratat e dhëna ndër muaj nga avokatët e të pandehurve nuk e kanë konfirmuar kurrë se tre personazhet erdhën në Shqipëri për hir të agjenturës ruse dhe i kanë mëshuar faktit se janë eksplorues urbanë të lëvizjes Urbex.

Raportime të ngjashme u bënë dhe nga Ora News. Në një artikull të detajuar, aty shkruhet se “Tre personat e arrestuar më 20 gusht 2022 pranë Uzinës Mekanike Ushtarake Çekin të Gramshit dyshohet se kanë hyrë në Shqipëri me detyra të caktuara nga shërbimet e inteligjencës ruse.” Kjo akuzë e listuar në artikull është marrë nga deklarata e prokurorisë se Elbasanit, por akuza të tjera, sipas të cilave Zorani ka arritur të eksplorojë brendësinë e uzinës për 25 minuta dhe përshkrime mbi natyrën e punës së tij, janë bazuar në spekulime.

Pretendime të pabaza dhe të ekzagjeruara u përhapën në të gjithë hapësirën mediatike. Kjo ndenjë paniku u përkeqësua nga lufta në Ukrainë – e cila në gusht ishte në muajin e saj të gjashtë. Ndërsa e gjithë bota, dhe sidomos Europa dhe anëtarët e NATO-s ishin në alarm për hapat e mëtejshëm të Rusisë, dhe frika e sulmeve me teknika si spiunazhi, i bënë këto narrativa më joshëse për mediat shqiptare. Timofeva, një nga të akuzuarit, në intervista të ndryshme ka bërë të njejtën lidhje midis situatës së saj dhe luftës në Ukrainë.

Provat dhe Akuzat

Natyra gjysmë-sekrete e çështjes, si dhe deklaratat e dhëna nga Prokuroria e Elbasanit, ndikuan në pështjellimin mediatik dhe atë të opinionit publik. Faktet e përgjithshme të publikuara nga policia e Elbasanit ishin këto: me datë 20 gusht, dy ushtarë që ruanin uzinën në Gramsh pikasën një person të paidentifikuar. Në momentin që ata i janë afruar subjektit, rusit Mikhail Zorin, ai i ka sulmuar me një spray neuroparalizues. Pas neutralizimit të Zorin, policia është njoftuar për futjen pa leje në uzinë, dhe është vënë në dispozicion për të gjetur dy bashkudhëtuesit e Zorin, rusen Svetlana Timofeeva dhe ukrainasin Fjodor Mihajlov, të cilët po ashtu po qarkullonin pa leje në zonën e uzines.

Ndaj të pandehurve vazhdojnë të jenë akuzat për “sigurim të informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj,” sipas nenit 214 i Kodit Penal, “mbajtje pa leje të armëve të ftohta” dhe “kundështim me forcë të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore.” Këto akuza ende nuk janë hedhur poshtë edhe pas lirimit ndërsa hetimet vazhdojnë.

Ndërsa hetimet filluan, prokurori Kreshnik Ajazi tha për BIRN se në bazë të nenit 279 të Kodit të Procedurës Penale, prokuroria kishte të drejtë t’i mbante sekret provat e mbledhura ndaj të akuzuarve. Deri sot e kësaj ditë, këto prova nuk janë vënë në dijeni të publikut të gjerë.

Megjithatë Ajazi i mohoi pretendimet e tre të akuzuarve se ata ishin thjesht ekspolorues dhe udhëtarë të zakonshëm me një pasion për ndërtesat e harruara dhe rrënojat e kohës së Luftës së Ftohtë. “Gjithmonë ka një histori mbulimi. Ata janë ose gazetarë, ose blogerë, apo fotografë,” tha ai për mediat një ditë pas arrestit, edhe pasi pohoi se, në ndryshim nga narrativat mediatike, mjetet e mbledhura nga policia nuk ishin lehtësisht të identifikueshme si mjete spiunazhi.

Aludimet per provat

Edhe pse provat e prokurorisë nuk janë bërë ende publike, në portalet shqiptare pati spekulime të shumta mbi natyrën e tyre. Emisioni Inside Story i Top Channel pretendoi se kishte marrë informacion mbi objektet e sekuestruara nga policia, duke përfshirë sipas tyre tri lingota ari. Këtë foto nuk u bënë publike, por ideja e lingotave të arit mori dhenë në portalet shqiptare të cilat e konsideruan provë se rusët dhe ukrainasi kishin ardhur në Shqipëri për arsye spiunazhi. Portali Dosja, përshembull, ka spekuluar se ato do shiteshin në tregun e zi për të lehtësuar punën dhe lëvizjen e tyre në zonë.

Burim: Dosja

Po ashtu u spekulua se tre të akuzuarëve iu gjendën diamante, fishekë si dhe drone dhe celularë. Por informacioni për lingotat e arit, diamantët dhe fishekët ka mbetur i paverifikuar. Prokuroria e ka pranuar gjetjen e dronit dhe celularëve pasi deri në janar të këtij viti, të dhënat e gjendura në to mbeteshin ende të pazbërthyera, duke ngadalësuar hetimet. 

Ndonëse prokuroria nuk ka komentuar apo verifikuar kurrë ekzistencën e këtyre objektve, Timofeeva ka folur për sendet e gjetura. Ajo e ka përshkruar situatën e arrestit të saj si një rastësi fatkeqe. “Të gjitha këto gjëra dukeshin të tmerrshme së bashku; makinë luksoze, biçikleta, skuteri, dy dronë, tri kamera, tenda dhe dyshekët e gjumit, pastaj Mikhail kishte syze për të parë natën [një gjë e ligjshme që mund ta blesh në çdo dyqan me mallra për gjueti] dhe Fedir kishte më shumë se një celular, një laptop dhe një hard disk me fotot nga shumë vende që ai kishte vizituar,”  shkroi ajo në një letër nga burgu.

Por si e akuzuara edhe avoktatët e tjerëve i kanë përshkruar këto mjete si të nevojshme për punën që ata kanë bërë si eksplorues urbanë, dhe nuk kanë lidhje me spiunazhin.

Të pandehurit i refuzojnë akuzat

Në një sërë intervistash të dhëna përgjatë 9 muajve të fundit, tre të pandehurit dhe avokatët e tyre vazhdojnë t’i mohojnë akuzat duke thënë se Timofeva, Zorini dhe Mihajlov kishin ardhur në Shqipëri për të eksploruar objekte të braktisura siç mendonin se ishte dhe uzina në Gramsh. Timofeva sidomos është përshkruar si një ekploruese dhe blogere me shumë eksperiencë. Në faqen e saj të Instagramit nën emrin Lana Sator, ajo ka dokumentuar dhjetëra udhëtime dhe fotografitë e  objekteve të braktisura në 33 vende. Puna e saj si blogere ndër vite i ka sjellë gati 250,000 ndjekës në Instagram. 

Në një intervistë tjetër me shkrim, ajo thotë: “Unë besoj se historia jonë u transformua në një thriller spiunësh nga gazetarët.”

Në një tjetër intervistë për Top Channel, ajo përshkroi sesi ndodhën ngjarjet në ditët para arrestit. Timofeeva tha se ajo e njihte Zorinin prej shumë kohësh dhe ai e ftoi për një vizitë në Shqipëri ndërkohë që ajo vetë jetonte në Gjeorgji.  Ukrainasin Mihajlov e takoi për herë të parë në Durrës dhe shprehu habi dhe shqetësim për makinën e tij luksoze, e cila nuk justifikohej me punën e tyre.

Timofeva vetë ka kërkuar azil në Shqipëri, pasi vetëm pak ditë pas arrestimit në Gramsh, një urdhër arresti i ngjashëm u përgatit në Rusi ku ajo akuzohet se ka fotografuar objekte sekrete ushtarake ruse. Sipas Timofevës, qeveria ruse kërkon ta ndëshkojë për disa postime që ajo ka bërë kundër luftës në Ukrainë dhe qeverisë së Putin. “Nëse kthehem në Federatën Ruse do të persekutohem për shkak të bindjeve te mia politike”, ka thënë ajo.

Në fakt, në dhjetor 2022 Rusia kishte kërkuar që Timofeva të ekstradohej pasi qeveria ka hapur një çështje kundër saj. Avokati i Timofevës ka thënë për mediat se nëse kjo shtetase do të ekstradohej në Rusi, do të persekutohej pasi ishte një vepër penale tërësisht e sajuar nga autoritetet ruse, thjesht për ta çuar në Rusi pasi ajo ka qenë kundër regjimit.

Qeveria Shqiptare çdramatizoi ‘thrillerin’ me spiunë

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka thënë në disa raste se siguria kombëtare nuk është cënuar dhe prej vitesh [uzina e Gramshit] nuk ka aktivitet.

Disa ditë pas arrestimit edhe kryeministri Rama ironizoi narrativën e spiunazhit. “Këta persona çfarë qëllimesh të vërteta kanë në vendin tonë? Sepse më falni, por një mision spiunazhi që shfaqet me një veturë sportive e cila duket sikur thërret ‘aman hajde më shihni dhe më kapni se jam e veçantë’, është pak si qesharake. Kështu që i takon hetimit të nxjerrë më shumë. Shqetësimi ynë është ku është qëllimi i vërtetë,” ka thënë ai.

Hetimet janë ende në vazhdim, ndërsa prokuroria e Elbasanit pret ekspertizë nga jashtë për analizimin e provave dhe aparteve të përdorur nga tre të akuzuarit. Për momentin tre personazhet e dosjes së “spiunazhit“ do të jenë të detyruar të qëndrojnë në Shqipëri.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli