I keqinterpretuar studimi në SHBA për rritjen e rrezikut pas dozave shtesë të vaksinave

378

Në rrjete sociale po qarkullon një lajm që pretendon se dozat shtesë të vaksinës kundër Covid-19 rritin rrezikun e marrjes së virusit. Lajmi bazohet në një studim të bërë nga klinika Cleveland, por verifikimet tregojnë se disa lexues kanë keqinterpretuar përmbajtjen e tij.

Studimet shkencore mbi virusin e Covid-19 janë kthyer në hobin e preferuar të grupeve antivaksinë dhe konspiracionistëve, por për fat të keq, jo të gjithë lexuesit kanë përgatitjen e duhur për të interpretuar shkencën. I tillë është rasti i një studimi të Klinikës Cleveland në ShBA, i cili është përdorur për të ushqyer rrjetet sociale me informacione të pavërteta.  

“Studimi i Klinikës Cleveland: Njerëzit që vaksinohen shumë herë me vaksinat kundër Covid kanë më shumë gjasa të marrin virusin…”. Ky është titulli i një artikulli të botuar nga portali Patriotik Media Albania më 11 qershor.

Screenshot nga portali Patriotik Media Albania

“Studiuesit deklaruan se rreziku në rritje i Covid 19 i lidhur me një numër më të madh të dozave të vaksinës ishte i papritur”, vijon më tej artikulli në brendësi.

Verifikimet tregojnë se njerëzit e kanë keqinterpretuar studimin e Klinikës Cleveland. Kolegët tanë nga Montreal Gazette kanë verifikuar se dokumenti në fjalë nuk thotë se përforcuesi bivalent rrit rrezikun e infektimit me COVID, por përkundrazi, se ai redukton infeksionet me 30 për qind.

Pretendimi për rritjen e infeksionit nga dozat shtesë të vaksinave kundër Covid duket se buron nga një printim paraprak i publikuar dhjetorin e kaluar nga studiuesit. Kundërshtarët e vaksinave e kanë përdorur atë për të argumentuar çështjen e tyre, duke shqetësuar një numër të madh lexuesish.

Së pari, ia vlen të shpjegohet se çfarë nënkuptojmë me një botim paraprak të studimeve. Shumica e kërkimeve shkencore prezantohen në takime shkencore dhe publikohen në revista shkencore. Botimet paraprake janë dorëshkrime shkencore të ngarkuara në internet pa ndonjë rishikim të jashtëm.

Potenciali për probleme u ilustrua në vitin 2021 kur një studim i Universitetit të Otavës sugjeroi se shkalla e miokarditit pas vaksinimit ishte disa herë më e lartë se sa ishte raportuar më parë. Ai vlerësim ishte i gabuar. Studiuesit kishin llogaritur gabim numrin e dozave të vaksinave të administruara në Otava gjatë asaj kohe. Ata e tërhoqën botimin, por jo përpara se ajo të shpërndahej gjerësisht dhe të ushqente njëfarë hezitimi ndaj vaksinave. Ndërsa rishikimi nga kolegët ka pjesën e vet të problemeve, të paktën ai mbron nga gabimet dhe keqinterpretimet e dukshme.

Studimi i Klinikës Cleveland është një parabotim i tillë. Dhe ajo që është më e rëndësishme, ky printim paraprak i studimit nuk thotë se dozat shtesë rrisin rrezikun e infektimit me Covid.

Rezultatet kryesore të tij tregojnë se përforcuesi bivalent reduktoi infeksionet COVID me 30 përqind. Ky rezultat mbështetet nga një analizë e fundit e “New England Journal of Medicine” që zbuloi se përforcuesi bivalent ishte më i mirë se vaksina origjinale dhe kishte një efektivitet prej 59 përqind kundër shtrimit në spital dhe 62 përqind kundër shtrimit në spital ose vdekjes.