.

.

BallinaAktualitetCovid-19Si qëndron "e vërteta" rreth Ibuprofenit dhe COVID-19?

Si qëndron “e vërteta” rreth Ibuprofenit dhe COVID-19?

Përshtatur nga Med Page Today

A është Ibuprofeni i rrezikshëm për pacientët me COVID-19? Kjo ka qenë një temë e gjerë diskutimi javët e kaluara, pa një përgjigje të qartë. Gjithçka filloi të shtunën e 14 marsit, kur ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran postoi në Twitter se NSAID (barnat jo steriodale anti-inflamatore), duke përfshirë ibuprofenin dhe kortizonin “mund të jenë një faktor përkeqësues” në infeksionin e koronavirusit, ndaj parmacetamoli duhet të përdorej sipas tij për të trajtuar temperaturën.

Më vonë gjatë asaj dite doli një deklaratë zyrtare e ministrisë së Shëndetësisë në Francë mbi menaxhimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19, ku theksohej:

“Ngjarje serioze negative të lidhura me përdorimin e barnave anti-inflamatore (NSAID) janë raportuar tek pacientët me COVID-19, në raste të dyshuara ose të konfirmuara. Ne ju kujtojmë se trajtimi i temperaturës ose dhimbjes në kontekstin e COVID-19 apo të virozave të tjera respiratore është i bazuar tek paracetamoli, pa tejkaluar dozën e 60 mg për kg në ditë. Ilaçet e tjera anti-inflamatore duhet të ndalohen”.

As Veran dhe as ministria nuk dhanë detaje të tjera mbi ngjarjet negative që përmendën. Agjencia shtetëore e lajmeve AFP turbulloi ujërat edhe më tej ditën e martë me një lajm i cili vinte në dukje një artikull të revistës mjekësore britanike Lancet të botuar më 11 mars si një arsyetim – por revista nuk përmendte ilaçet anti-inflamatore ose raportime të ngjarjeve negative. Në fakt, arsyetonte se pacientët me diabet të tipit 2 dhe ata me hipertension mund të ishin në rrezik më të madh ndaj COVID-19 dhe paraqesnin një mundësi teorike se mjekime të caktuara anti-hipertensive mund të rrisnin predizpositën e pacientit për t’u prekur nga infeksioni.

Organizata Botërore e Shëndetit u përfshi gjithashtu në këtë çështje të martën e 17 marsit, me një zëdhënës që iu tha reporterëve se pacientët me COVID-19 të cilët vetëtrajtohen duhet të përdorin paracetamol në vend të ibuprofenit. Por ai, gjithashtu, nuk kishte detaje shpjeguese se ku e bazonte rekomandimin.

Profesionistët e agjencisë po “shqyrtojnë çështjen për të dhënë udhëzime të mëtejshme”, tha ai.

Eskpertët e pavarur shprehën konfuzion rreth paralajmërimeve. CNN citoi dy prej tyre të martën, të cilët thanë se nuk kishin dijeni mbi ndonjë provë që lidhte ibuprofenin në mënyrë specifike me rezultate të përkeqësuara. Megjithatë, një tjetër citoi artikullin e revistës mjekësore Lancet si një sugjerim indirekt i “një rreziku hipotetik” se ilaçet anti-inflamatore mund të promovojnë hyrjen virale në qeliza bartëse – siç “tregohet në modelet e kafshëve, por jo tek pacientët”. Dhe kjo është shumë larg nga “ngjarjet serioze negative” për të cilat ministria franceze e Shëndetësisë tha se u raportuan.

Në fakt, Agjencia Europiane e Medikamenteve u përfshi në këtë çështje të mërkurën e 18 marsit.

“Aktualisht nuk ka prova shkencore që vendosin një lidhje ndërmjet ibuprofenit dhe përkeqësimit të COVID-19,” sipas një deklarate të bërë publike në faqen e agjencisë. “EMA po monitoron situatën ngushtësisht dhe do të rishikojë informacionet e reja që bëhen të disponueshme mbi këtë çështje në kontekstin e pandemisë”.

Deklarata vazhdoi duke pranuar disa të dhëna që ibuprofeni dhe ketoprofeni mund të përkeqësojnë sëmundjen e variçelës (linë e dhenve) dhe disa infeksione bakteriale të caktuara. Por për trajtimin e simptomave të COVID-19, “pacientët dhe profesionistët e kujdesit mjekësor duhet të konsiderojnë të gjitha opsionet e disponueshme të trajtimit, duke përfshirë paracetamolin dhe ilaçet anti-nflamatore. Çdo medikament ka përfitimet dhe rreziqet e veta të cilat janë të reflektuara në informacionin e produktit dhe duhet të merren ne konsideratë së bashku me udhëzimet kombëtare të trajtimit të vendeve të BE, shumica e të cilave rekomandojnë paracetamolin si opsionin e parë të trajtimit për temperaturën apo dhimbjet.”

“Në linjë me udhëzimet kombëtare të trajtimit të BE, pacientët dhe profesionistët e kujdesit mjekësor mund të vazhdojnë të përdorin ilaçet anti-inflamatore (si ibuprofen) në përputhje me informacionin e miraua mbi produktin. Këshilla aktuale përfshin faktin që këto medikamente të përdoren në dozën më të ulët që bën efekt, për periudhën më të shkurtër të mundshme.”

Ndërkohë, shkencëtarë të tjerë këmbëngulën se temperaturat e ulëta deri në mesatare nuk kanë nevojë për trajtim mjekësor. “Temperatura nuk është sëmundje,” tha Jane Orient, mjeke, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës së Fizikanëve dhe Kirurgëve Amerikanë, në një deklaratë për shtyp. “Temperaturat shumë të larta mund të shkaktojnë dëme në tru, dhe fëmijët mund të kenë goditje në kokë. Por mos konsumoni Tylenol ose ibuprofen në shenjën e parë të rritjes së temperaturës.”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img