BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitSi po “bashkëjeton” Shkodra me Covid-19 

Si po “bashkëjeton” Shkodra me Covid-19 

ANILA PRIFTI

Qyteti i Shkodrës është ndër zonat me numrin më të lartë të të prekurve nga Covid-19, pas Tiranës dhe ku respektimi i masave parandaluese nga individët rezulton të jetë i ulët. Në spitalin rajonal është arritur të raportohet për deri në 50 persona që dyshohet se janë mbartës të virusit dhe përfunduan në urgjencë, por pas testimit, zyrtarisht numri i të infektuarve është mesatarisht 10 persona në ditë. Mjekët, që punojnë nën trysninë e krijuar nga psikoza e pandemisë, përpiqen të ruajnë qetësinë edhe pse vetë rrezikohen çdo ditë prej saj.


Epidemiologia e vetme në gjurmim të Covid-19 për 115 mijë banorët e Shkodrës, Dhurata Hysa sprapset dy hapa kur tenton ta takosh. 54-vjeçarja, nënë e një djali dhe një vajze, është e bindur se nuk infektohesh nëse respektohen masat.

“Tani nuk kemi më vatra, por është transmetim komunitar. Personat asimptomatikë janë evidentë në të gjithë institucionet apo në jetën e përditshme, por ajo që është thënë nuk po zbatohet. Nëse respektohet distancimi fizik dhe mbahet maska, jo vetëm në ambjentet e jashtme, por edhe në ato familjare shanset për t’u infektuar mund të jenë edhe zero” – thotë ajo, e pyetur për “Faktoje”.

Dhurata, më afër se askush tjetër me të infektuar nga Covid-19, ndihet si të ishte në garë me virusin: “Jam mirë, duhet të isha prekur me kohë…” –thotë ajo.

Në Drejtorinë e Operatorit të Shërbimeve dhe Kujdesit Shëndetësor për Rajonin e Veriut, aty ku edhe punon Dhurata Hysa, i gjithë personeli që përballet me situatën e vështirë të krijuar nga pandemia, i është nënshtruar testimeve të herëpashershme, dhe rezultatet kanë qenë negative. 

Dhurata Hysa

Vetëm 90 km larg kryeqytetit, Shkodra konsiderohet si një vatër e nxehtë pas Tiranës dhe Durrësit. Në fazën e parë të shfaqjes së Covid-19 u identifikuan 100 raste të infektuarish, por me vendosjen e kufizimeve, përmes aktit normativ të qeverisë, shumë shpejt u bë shkëputja e zinxhirit të transmetimit të virusit derisa u vendos faza e pauzës me zero Covid. Me daljen graduale nga izolimi i përgjithshëm, gjatë muajit maj, që javën e parë të liridaljes u shfaqën rastet e reja pranë Shërbimit të Operatorit Shëndetësor.

Epidemiologia Dhurata Hysa tregon se gjurmimi ishte i shpejtë, por dendësia e popullsisë, prej 7 mijë banorësh për km katrorë dhe neglizhenca nga ana e qytetarëve për respektimin e masave parandaluese, solli një numër të lartë të infektuarish me Covid. Më shumë se 150 persona rezultojnë të prekur aktivë, nga rreth 3 mijë të testuar, ndërsa numri i viktimave deri në fillim të korrikut ishte 12, të grupmoshave nga 60 vjeç deri në 80 vjeç dhe të gjithë të raportuar me sëmundje bashkëshoqëruese sipas autoriteteve shëndetësore. Në këto kushte kërkohet ndihmë për kapacitete kryesisht në burime njerëzore dhe në logjistikë.

Sot në Shkodër, për pacientët me Covid-19 është vetëm një autombulancë e Urgjencës Kombëtare. Për gjurmimin e infeksionit është një personel modest prej 3 personash, i përbërë nga epidemiologia, një laborant dhe një asistent.

“E vërteta është se virusi asnjëherë nuk kalon. Unë e kam thënë që në fillim, që Covid-i do të vazhdojë. Njerëzit u treguan të padurueshëm”- thotë epidemiologia Hysa.

Pritja e të dyshuarve në spital

Paniku ka përfshirë popullatën e Shkodrës dhe një nga treguesit, është numri i lartë i personave që kërkojnë ndihmë në Urgjencën e Spitalit të referuar nga 127-ta ose mjekët e familjes, të cilët nuk është çudi të preken nga kontakti me pacientët. Por nga testimet e deritanishme nuk rezulton ndonjë pozitiv. Sipas drejtorit të Spitalit Rajonal të Shkodrës, Ardian Dajti, identifikimi i personave me Covid-19  përmes testit, ka arritur deri në 10 të prekur në ditë nga më shumë se 50 urgjenca që paraqiten si të dyshuar të infektuar nga virusi.

Protokolli nuk ka ndryshuar, ndiqen po ato rregulla që prej shfaqjes së pandemisë. Fillimisht vizitohen nga infeksionistë dhe vlerësohet shkalla e nevojës për trajtim (triazhim).

“Në qoftë se rasti dyshohet për Covid, bën një CD skaner dhe shohim nga ana imazherike ka apo nuk ka indikacion, ka apo s’ka dyshime që ky person është me Covid. Kur nga interpretimet radiologjike është i dyshimtë, kalon te reparti i infektivit te bokset e veçanta. Një person në gjendje të mirë, merr tamponin dhe pret përgjigjen në shtëpi. Personi që ka oksigjenime të ulta, mbahet në spital, asistohet me oksigjen, me terapi të nevojshme derisa të vijë përgjigjia e tamponit. Nëse është pozitiv, pacienti drejtohet për në spitalin Covid në Tiranë. Kur pacienti është mirë, pavarësisht se del pozitiv, ai trajtohet në shtëpi”- tregon Dajti.

 

Ardian Dajti

Ndërkohë familjarët e të shtruarve janë të shqetësuar. Në pritje të përgjigjes së testit luten për njeriun e tyre.

“Kam burrin në oksigjen, kjo është kolerë. Nuk dimë gjë akoma çfarë ka. Do mbyllemi brenda, por me çfarë do të ushqehemi?”- thotë Dile Fizi. Si kjo grua ka shumë njerëz nëpër shkallët e spitalit të Shkodrës. Izolimi dhe karantimi, nëse rezultojnë pozitivë me Covid, për ta do të thotë mbijetesë më e vështirë.

Ata që përpiqen të ruajnë qetësinë janë mjekët, nga radhët e të cilëve, të paktën zyrtarisht, nuk rezulton të jetë i prekur ndokush nga virusi.

Frika nga e ‘keqja’

Përveç Covid-19 edhe në Shkodër qarkullojnë shumë teori konspiracioni, lidhur me pandeminë.

“Po ndodh një gjë e keqe ndër njerëz, por nuk ka koronavirus”- thotë Mark Gjushi, pronari i një servisi makinash në hyrje të qytetit. Nuk di të tregojë çfarë është kjo e keqe dhe çfarë e bën të mendojë se virusi nuk ekziston, por i pëlqen të besojë se “këto lojëra i bëjnë njerëzit e pasur dhe politikanët.

Ajo që të tërheq vëmendjen në Shkodër, është numri i ulët i individëve që respektojnë rregullat e protokollit për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Shumë pak prej tyre ruajnë distancim fizik apo mbajnë maska në mjediset publike.

“Çfarë mbron maska, që bëhet me djersë sa ta vendosësh!”- thotë kamerieri në një nga baret në qendër të Shkodrës. Temperatura shënon 36 gradë. Pronari është i shqetësuar për xhiron e ditës.

“Do bëhet më keq…A mbahet maska në këtë temperaturë 24 orë, jo nuk mbahet”- thotë një i moshuar. Gjithsesi të moshuarit i druhen më shumë se të rinjtë prekjes nga virusi.

“Kam frikë, kam frikë se vuaj, jo se vdes”- thotë Gjon Bardhi, një pensionist që të shumtën e kohës jeton në Itali, por që nga shfaqja e pandemisë dhe mbyllja e kufijve, ka qenë i detyruar të qëndrojë në Shkodër.

Për gazetarin Simon Shkreli gjendja e krijuar nga pandemia në qytet është alarmuese:

“Qytetarët nuk respektojnë rregullat, por neglizhencë ka edhe nga autoritetet përgjegjëse. Këtu ka shumë të infektuar”.

“Situata në Shkodër ka dalë jashtë kontrollit, përtej hetimit epidemiologjik që deklarohet se bëhet. Nga ajo që zyrtarisht nuk thuhet, por e pranuar nga drejtuesit e shëndetesisë këtu në qark, zinxhiri i infektimit nuk ndiqet i plotë për shkak të mungesës së tamponeve”- thotë gazetari Bepin Kolvata.

Nga psikoza prej Covid-19 tek telefonatat për policinë

Nga bisedat e zhvilluara, mësuam se shkodranët nuk duan të ekspozohen si “spiunë” të policisë. Por të infektuarit me virus i kanë vënë në shenjestër. Edhe pse emrat nuk janë bërë publikë, nëpër kafene njerëzit kërkojnë të mësojnë ‘të rejat’ për personat e radhës që janë prekur nga Covid-19.

Dyshimet dhe paniku i krijuar nga pandemia ka shtuar telefonatat “denoncuese” në polici.

“Ka shumë të tilla, disa i bëjnë nga frika, por edhe kot”- thotë një punonjës i sallës.

Duket se psikoza e krijuar nga situata ka “futur në një thes” edhe persona që nuk janë të infektuar, por emri u përfundon në sallën operative të policisë si i infektuar me Covid që del lirisht nëpër qytet.

“Nuk kemi mundësi të marrim në vëzhgim të gjithë të sëmurët. Ne japim mbështetje për çdo kërkesë që vjen nga Komiteti i Emergjencave”-thotë Niko Brahimi, Drejtori i Policisë së Shkodrës. Vetë uniformat blu janë duke përjetuar ankth nga Covid-i!

Beci: Tampon me lekë

Më shumë se një mijë shqiptarë apo të huaj për arsye të ndryshme çdo ditë kalojnë në doganën  e Hanit të Hotit drejt vendeve të komunitetit Evropian duke përdorur aeroportin e Podgoricës në Malin e Zi. Kështu konfirmon Drejtori i Shërbimit të Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër, Astrit Beci. Këtu përfshihen dhe punëtorët sezonalë nga qyteti i Shkodrës. Kjo kategori kërkon kryerjen e testit përmes tamponit në mënyrë të rregullt. Për t`i dhënë zgjidhje situatës nga ky Shërbim është sugjeruar përdorimi i tamponëve me pagesë.

“Tamponimi i 48 orëve të fundit, për shkak të vonesës nganjëherë të përgjigjes apo numrit të tamponëve të mundshëm në ditë është thuajse i parealizueshëm. Këta persona mund të paguajnë dicka për një shërbim që është i përditshëm dhe që nuk i përket shëndetësisë. Deri tani pagesa e përdorur për tampon ka qenë zero gjatë gjithë kohës, nga tamponi i parë, i dyti, i treti, i katërti deri në negativitetin e përgjigjes për personat. Kjo ka rritur dukshëm koston ditore, përsa kohë nuk je i qartë sa kohë duhet të përballemi me këtë lloj situate”- tha për “Faktoje” Astrit Beci, Drejtor i Operatorit të Shërbimeve dhe Kujdesit Shëndetësor për Rajonin e Veriut.

“Faktoje” mësoi që kërkesa të shumta për testim 48 orësh, bëhen nga biznesmenë të cilët për shkak të punës kalojnë shpesh pikën kufitare.

Astrit Beci

Mbyllja e kufijve tokësorë me Malin e Zi, me t’u shfaqur rastet e para me Covid-19, ishte një ndër masat për parandalimin e përhapjes së virusit, për shkak të numrit në rritje të shtetasve të infektuar aktiv në Shqipëri (foto dogana). Më 21 qershor Mal i Zi hapi kufijtë vetëm për disa kategori; mjekët, diplomatët apo organizatat ndërkombëtare, ushtarakët, misionet humanitare, kategori të veçanta pasagjerësh në tranzit, personat që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare në Malin e Zi, si dhe transportin e mallrave.

Shkodra “shumë larg” Tiranës

Në një situatë normale, të vish nga Shkodra në kryeqytet, duhet 1 orë e gjysmë, por Shkodra sot është shumë larg Tiranës. Udhëtimi drejt metropolit në situatën e pandemisë komplikohet, veçanërisht për banorët e periferisë apo të zonave në anë të autostradës. Në autobusët ndërqytetas, që rinisën aktivitetin pak javë më parë, për shkak të kufizimeve nga pandemia, ka shumë pak pasagjerë dhe përfiton kush shkon i pari në qendër të qytetit.

Shoferi i veshur si ushtarak nuk e heq maskën, dhe ndihet i frikësuar nga kontakti me pasagjerët gjatë kohës që u merr paratë e biletës.

“Nuk din njeriu nga i vjen virusi…” -thotë drejtuesi i një prej autobusëve të linjës rrugës për në Tiranë.

Drejtuesi i autobusit

Nëse je “pa fat” për të marrë autobusin duhet të presësh në rrugë me orë, deri kur të ndalojë dikush me makinë të vogël dhe të duhet të paguash dyfishin e vlerës në krahasim me muajin janar. Janë mjete që posaçërisht kryejnë transportin e pasagjerëve nga Shkodra në Tiranë dhe bileta kushton 12 mijë lekë të vjetra, ose dyfishin e shumës që paguhej para se të shfaqej pandemia me pasojat e saj.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img