Në maj të vitit 2023, një vit pasi Rusia sulmoi Ukrainën, portalet shqiptare dhe ato në Kosovë publikuan artikuj që befasuan lexuesit: Fëmijët serbë po trajnoheshin nga ushtria ruse për luftë. Imazhe të fëmijëve me uniforma dhe armë qarkulluan masivisht në mediat online. Mjaftoi një kërkim i thjeshtë në rrjet nga Faktoje për të zbuluar një të vërtetë krejt tjetër. Pamjet nuk ishin të reja, aty shfaqeshin stërvitje të fëmijëve që kishin ndodhur pesë vjet më parë dhe që organizoheshin nga një kompani private ruse, E.N.O.T, e cila aktualisht nuk operon më në Serbi.
Kjo ngjarje është vetëm një shembull i mënyrës se si dezinformimi nga rajoni i Ballkanit Perëndimor arrin të depërtojë në Shqipëri, përmes përzierjes së narrativave të jashtme dhe interpretimit të tyre në kontekstin lokal, shpesh pa verifikim të duhur.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor, me historinë e tij komplekse, tensionet etnike dhe institucionet politike ende të brishta, është terren ideal për manipulime mediatike. Për shqiptarët, kjo do të thotë se lajmet e rreme shpesh vijnë nga jashtë vendit, por përhapen brenda vendit nga portale ose aktorë të ndryshëm. Sigurisht, nuk mund të harrohet edhe roli i rëndësishëm që luan “gazetaria e keqe”, ajo ku lajmet vetëm riprodhohen dhe kopjohen nga portalet online pa minimumin e verifikimit për vërtetësinë e tyre.
Tre vite “betejë” me informacionet e pavërteta në rajon
Monitorimi që Faktoje ka kryer gjatë tre viteve të fundit në bashkëpunim me pesë partnerë të Ballkanit Perëndimor, si dhe përpunimi i të dhënave të mbledhura nga mbi 200 artikuj përgënjeshtrues apo analitikë mbi narrativat dhe lajmet e pavërteta që kanë qarkulluar në vend, tregojnë qartë se Shqipëria kryesisht bie në “rrjetën e dezinformimit” që Rusia, me ndihmën e Serbisë, hedhin në Ballkanin Perëndimor.
Rrjedha e përhapjes së dezinformimit
Skema është e thjeshtë: Rusia ngre lajme apo narrativa të pavërteta. Më pas mediat serbe, shpesh herë të ndihmuara nga zyrtarë të lartë, i përhapin këto narrativa dhe lajme të pavërteta në masë. Natyra “sensacionale” e këtyre pretendimeve sjell edhe riprodhimin e tyre nga mediat e vendeve të tjera të rajonit, duke përfunduar edhe në Shqipëri.
Roli i Rusisë është kryesisht strategjik. Qëllimi, sipas studiuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, është krijimi i përçarjeve brenda popullsive ballkanike, i frikës, paqartësisë apo dyshimit ndaj të tjerëve.
“Në thelb është një luftë psikologjike e cila ka për qëllim të ndryshojë përceptimin e një popullsie ndaj Rusisë, BE-së, NATO-s, etj. Në Ballkan qëllimi është diskreditimi i këtyre dy strukturave, nxitja e mosbesimit ndaj tyre” – Ledion Krisafi.

Shoqëria shqiptare është e rrezikuar nga ky dezinformim për shkak se krijon perceptime të gabuara për vlerat evropiane apo relativizuar vendimet e diskutueshme të udhëheqësve problematikë dhe autokratë në Evropë dhe në rajon, vlerëson Erjon Tase nga Akademia e Studimeve Politike.
Serbia, nga ana tjetër, shpesh krijon dezinformim të brendshëm për të konsoliduar kontrollin mbi publikun vendor.
Siç shpjegon një nga partnerët rajonalë të Faktojes, Nikola Petrovic, gazetar i ISAC Fund në Serbi “kur politika bën kaq shumë gjëra gabim, dy mënyrat më të lehta për të ruajtur kohezionin midis votuesve janë të krijosh kriza që vetëm ti mund t’i zgjidhësh (pasi ti, haptazi, i krijove ato) dhe të kesh armik të jashtëm (ose të brendshëm).”

Shqipëria në këtë përplasje mbetet si dëm kolateral për shkak se mbështet pavarësinë dhe politikat e tjera të Kosovës.
Në këtë kontekst, Shqipëria përballet me një sfidë të trefishtë: të identifikojë dhe përgënjeshtrojë lajmet e rreme që vijnë nga jashtë, të kuptojë mekanizmat e adaptimit të tyre brenda vendit, dhe të ndërtojë një publik të aftë të dallojë mes informacionit të besueshëm dhe dezinformatave.
Kanalet e përhapjes së dezinformatave
Monitorimet e Faktojes tregojnë se shumica e lajmeve të rreme që mbërrijnë në Shqipëri nga vende të treta, apo ajo që konsiderohet si “ndërhyrje e jashtme malinje” (FIMI) – vjen nga mediat e kontrolluara nga shteti në Rusi (RT, Tass, etj) dhe Serbi (Kurir, Danas, Blic, B92, Pink) dhe gjejnë vend në portalet online në Shqipëri (KosovoOnline, Pravda) apo publikime në rrjete sociale.
Mediat sociale, këtu përfshihen portalet informuese, por edhe profile të caktuara me shumë ndjekës, përbëjnë formën kryesore të përhapjes së dizinfomimit, sipas Erjon Tases. “Për fat të keq, – vijon ai – shoqëria jonë ka zgjedhur që të informohet nëpërmjet këtij formati online që nuk ka profesionalizmin dhe filtrat e duhura të kontrollit të një mediaje klasike”.
Shpesh herë, narrativat false të Rusisë dhe Serbisë raportohen pa informacion plotësues apo kontekst edhe nga portalet online të lidhura me mediat tradicionale në Shqipëri. Tase vlerëson se edhe mediat tradicionale sot nuk kanë redaksitë e duhura për të verifikuar lajmet apo detyrohen të jenë sa më të shpejta në transmetimin e informacionit, duke rënë pre e dizinformatave.
Në fund, është edhe rendja pas mbledhjes të sa më shumë klikimeve online ajo që luan rol në përhapjen e informacioneve të paverifikuara.
Klasifikimi i dezinformatave: narrativat më të përdorura
Pas tre vitesh pune të pandërprerë, Faktoje ka arritur të krijojë një “hartë” të dezinformimit që qarkullon në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor. Ajo që del nga monitorimet është se lajmet e rreme nuk janë të rastësishme. Ato funksionojnë si rrjete të strukturuara narrativash, të cilat ushqehen dhe mbështesin njëra-tjetrën për të ndikuar perceptimin e publikut.
Në këtë hartë, Faktoje ka identifikuar disa grupime kryesore të dezinformatave që kanë ndërtuar themelet e manipulimit informativ në hapësirën shqiptare. Këto grupime më pas mund të ndahen në tema më specifike, të cilat risillen vazhdimisht për të përhapur keqinformim.
Grupimi I: narrativa kundër perëndimit
Në qendër të këtyre narrativave qëndron ideja se Perëndimi nuk është më një aleat, por një rrezik. Portale të ndryshme, sidomos pas nisjes së luftës në Ukrainë, kanë shpërndarë me intensitet narrativën ruse dhe atë serbe se “Perëndimi po nxit luftë me Rusinë”.
Këto narrativa e portretizojnë NATO-n dhe BE-në si aktorë që kërkojnë konfrontim ushtarak, ndërsa Rusia shihet si pala e detyruar të mbrohet.
Një tjetër linjë brenda këtij grupimi është ai se “Perëndimi po ndërhyn në punët e brendshme të vendeve të tjera”. Artikujt që e ndjekin këtë narrativë portretizojnë BE-në dhe SHBA-në si forca që imponojnë politika, ndikojnë zgjedhje apo dëmtojnë sovranitetin e vendeve të vogla.
Në të njëjtën frymë, një tjetër narrativë e këtij grupi janë ato që mund të përmblidhen si “Politikat e dështuara të Perëndimit”. Këto dezinformata përdorin problemet reale të demokracive perëndimore për të ndërtuar një imazh të zymtë të Europës dhe SHBA-së: protesta, papunësi, përçarje politike. Qëllimi është i qartë – të zbehet aspirata pro-evropiane e publikut.
Grupimi II: Justifikimi i luftës në Ukrainë – Rusia si viktimë
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka prodhuar një zinxhir të gjerë narrativash që synojnë ta justifikojnë agresionin.
Në shumë raste, media në rajon, përfshirë portale shqiptare, kanë përcjellë me pak, ose aspak verifikim mesazhin se Rusia po mbrohet nga provokimet e NATO-s. Në këtë version të realitetit, Moska paraqitet si “e detyruar” të veprojë për sigurinë e saj. Kjo linjë e butë, e paraqitur si “version alternativ” i së vërtetës, tenton të normalizojë një luftë të nisur si pushtim.
Një tjetër narrativë e përsritur është ajo që synon diskreditimin e Ukrainës dhe liderëve të saj, që qarkullon përmes artikujve që vënë në dyshim legjitimitetin e qeverisë ukrainase ose e portretizojnë presidentin Zelensky si figurë teatrale, të manipuluar nga Perëndimi. Në këtë mënyrë, viktima e luftës paraqitet si mashtruesi, ndërsa agresori si mbrojtësi.
Grupimi III: Narrativat rajonale dhe etnike
Në Ballkan, dezinformimi ka një armë të fuqishme: historinë. Narrativat etnike dhe rajonale përbëjnë një grupim të tërë që ringjall frikën dhe ndarjet e vjetra.
Një prej linjave më aktive është propaganda serbe kundër Kosovës, e cila portretizon Prishtinën si burim destabiliteti, shkelëse të të drejtave të serbëve apo shtet të dështuar. Këto artikuj nuk ndalen në kufijtë serbë — ato qarkullojnë në media shqiptare e rajonale, duke ushqyer tensione dhe keqkuptime.
Në raste të tjera, portalet nxisin panik me narrativën e “fillimit të luftës në Ballkan”, veçanërisht pas nisjes së luftës në Ukrainë apo pas incidenteve në veri të Kosovës. Këto lajme krijojnë atmosferë frike, përforcojnë polarizimin dhe mbjellin mosbesim ndaj politikave që ndjek Kosova në arenën ndërkombëtare apo në marrëdhënie me Serbinë.
Së fundmi, vazhdon të rikthehet edhe miti i “Shqipërisë së Madhe” – një ide e vjetër propagandistike që përdoret për të justifikuar qëndrimet agresive të Beogradit, por që në të njëjtën kohë provokon reagime të forta nacionaliste.
Grupimi IV: Dezinformimi i brendshëm përmes “kërcënimit rus”
Klasteri i katërt ka një natyrë më të brendshme dhe është përforcuar veçanërisht pas nisjes së lufës në Ukrainë. Ai lidhet me mënyrën se si kërcënimi i ndërhyrjes së huaj (FIMI) dhe veçanërisht asaj ruse, përdoret për qëllime të brendshme politike.
Në disa raste, politikanë dhe media e kanë shfrytëzuar frikën ndaj ndikimit rus për të ngritur akuza ndaj kundërshtarëve, për të mbuluar dështime apo për të forcuar pozicionet në opinionin publik. Në këtë mënyrë, dezinformimi i huaj transformohet në instrument të brendshëm manipulimi.
I tillë ishte rasti kur kryeministri Edi Rama pretendoi se po përcillte shqetësimin e Brukselit për protestat qytetare në Shqipëri kundër rritjes së çmimit të naftës menjëherë pas nisjes së luftës në Ukrainë.Por ndërsa kryeministri Rama qortonte protestuesit shqiptarë duke i akuzuar ata se po bëjnë veprime “që i pëlqejnë Rusisë”, Brukseli i quante protestat e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve si shqetësime legjitime.
Pasojat reale në Shqipëri
Në Shqipëri, dezinformimi nuk është më një fenomen i padëmshëm që qarkullon nëpër rrjete sociale, ai ka filluar të gërryejë besimin e qytetarëve në media, institucione dhe vetë politikën.
Edhe pse Shqipëria nuk është e prirur të besojë narrativat kundër perëndimit, sipas Ledion Krisafit “dezinformimi rus është bërë aq i sofistikuar sa një pjesë e shqiptarëve mund të jenë duke menduar ose thënë gjëra që vijnë nga dezinformimi rus por pa e ditur fare që vijnë prej andej”.
Gjatë tre viteve të fundit, Faktoje ka dokumentuar qindra raste të lajmeve të rreme që kanë krijuar konfuzion publik, kanë ndezur debate të polarizuara dhe kanë minuar perceptimin e publikut mbi burimet e besueshme të informacionit.
Qëllimi final është ulja e besimit te sistemet demokratike, institucionet apo udhëheqësit e tyre, kujton Erjon Tase.

“Për fat të keq, edhe në demokracitë më solide në Evropë dhe SHBA po shikojmë gjithnjë e më shumë polarizim të shoqërive të nxitur nga politika. Nëse do të ketë një venitje të këtyre vlerave dhe besimit ndaj Perëndimit, rrezikojmë një venitje në vitet e ardhshme të këtij ndikimi orientues të Evropës në shoqërinë shqiptare dhe ngecje apo kthim pas në hapat e deritanishëm” – Erjon Tase.
Në anën tjetër, kriza e besimit tek mediat është një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë e dezinformimit. Për qytetarin e zakonshëm, të dallosh një burim serioz nga një portal dezinformues është bërë një sfidë e përditshme. Mungesa e njohurive të thelluara të qytetarëve mbi çështjet gjeopolitike krijojnë hapësirë për funksionimin e fushatave dezinformuese për këto tema.
“Ka shumë njerëz në Shqipëri që mendojnë se NATO ka fajin kryesor për luftën ne Ukrainë, ka shumë që mendojnë se Evropa ka ndryshuar qëndrim ndaj Kosovës dhe pse jo një ditë mund të pendohet për pavarësinë që i dha, ka shumë që mendojnë se Rusia do fitonte në një luftë të mundshme me NATO-n dhe se Evropa është e dobët. Një pjesë prej këtyre mendimeve janë rrjedhojë e fushatës psikologjike ruse që ka për qëllim pikërisht të ndikojë mendimet që një njeri ka për çështje të tilla”, shpjegon Ledion Krisafi.
Në fund të ditës, pasojat e disinformimit nuk maten vetëm me lajmet e rreme që qarkullojnë, por me heshtjen e qytetarit që nuk di më kujt t’i besojë, një heshtje që e bën demokracinë më të brishtë dhe më të manipulueshme.
