Si përdoren profilet e rreme për të përhapur gjuhë urrejtje dhe dezinformim në Kosovë dhe në Shqipëri

19

Fjolla Demaku

Rrjetet sociale janë burimi kryesor i informacionit për një pjesë të madhe të të rinjve në Shqipëri dhe në Kosovë. Por, në një hapësirë ku informacioni përzihet me manipulimin dhe ku opinioni shpesh ndërtohet artificialisht, kufiri mes së vërtetës dhe perceptimit bëhet i paqartë.

Një profil me emër të zakonshëm dhe fotografi të vjedhura apo të gjeneruara me inteligjencë artificiale më pas mbush rrjetet sociale me komente, shpërndarje dhe narrativa të njëjta.

Profilet e rreme përbëjnë një problem serioz për mënyrën se si ndërtohet realiteti online dhe si ndikohet opinioni publik. Problemi bëhet edhe më i thellë në kontekste si Kosova dhe Shqipëria ku besimi në media dhe institucione është shpesh i brishtë. Në një mjedis të tillë, çdo informacion që përhapet shpejt dhe në mënyrë masive ka më shumë gjasa të pranohet pa u verifikuar dhe kjo krijon një terren të përshtatshëm për gjuhën e urrejtjes, e cila, jo vetëm që përhapet, por gradualisht normalizohet.

Për shumicën e të rinjve, përballja me profile të rreme është bërë pjesë e përditshmërisë. Sibora Këllezi studente e gazetarisë në Tiranë tregon se has pothuajse gjithmonë profile të dyshimta, sidomos në platforma si Instagram dhe TikTok. Ajo i identifikon ato përmes mungesës së elementeve bazë të një identiteti real: fotografi autentike, aktivitet normal dhe rrjet real ndjekësish. Megjithatë, edhe kur ekziston ky vetëdijësim, ndikimi nuk zhduket plotësisht.

“Numri i madh i komenteve apo reagimeve mund të krijojë përshtypjen që lajmi është i besueshëm ose i rëndësishëm, edhe pse jo gjithmonë është i vërtetë,” shprehet ajo.

Ajo pranon se ka pasur raste kur ka besuar informacione që më pas kanë rezultuar të rreme, duke treguar se reagimi i parë, shpesh, është emocional dhe i menjëhershëm, ndërsa verifikimi vjen më vonë.

Nga ana tjetër, Bora vlerëson se: “Të rinjtë janë disi më skeptikë krahasuar me grupmoshat më të rritura, të cilat, sipas saj, bien më lehtë pre e mashtrimeve të thjeshta online. Megjithatë, kjo nuk i bën të rinjtë të paprekshëm ndaj formave më të sofistikuara të manipulimit.”, – përfundon ajo.

Një perspektivë tjetër vjen nga studentja Valentina Istrefi, e cila punon si gazetare e re në “Media Katror” në Prishtinë. Ajo e sheh fenomenin në një kontekst më të gjerë, të lidhur me mënyrën se si funksionojnë vetë platformat digjitale. Ajo vëren se profilet e rreme janë bërë më të sofistikuara dhe shpesh mbështeten nga rrjete të tjera llogarish të dyshimta, duke krijuar një iluzion vërtetësie. Sipas saj, ndikimi nuk vjen vetëm nga përmbajtja, por edhe nga mënyra si ajo shpërndahet.

Shpesh njerëzit reagojnë pa e verifikuar, pa e parë burimin apo pa e lexuar komplet lajmin.”, – thekson studentja nga Mitrovica, duke shtuar se komentet dhe reagimet mund të jenë të manipuluara. Një element kyç që ajo evidenton është roli i algoritmeve: “Ti sheh vetëm një anë, atë që të shfaqet vazhdimisht. Kjo krijon një realitet të pjesshëm, ku përdoruesi ekspozohet vazhdimisht ndaj të njëjtës lloj përmbajtjeje, duke forcuar bindje që nuk janë domosdoshmërisht të bazuara në fakte, por në përsëritje.”, – shprehet Istrefi.

Ky ndikim bëhet edhe më i qartë kur shihet nga këndvështrimi psikologjik. Sipas Teuta Haliti psikologe nga Drenasi i Kosovës , të rinjtë janë më të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni, sepse ndodhen në një fazë të formimit të identitetit dhe të kuptimit të botës përreth. “Tek të rinjtë ndikimi është shumë më i madh, sepse ata janë ende në procesin e krijimit të identitetit dhe leximit të realitetit.”, – thekson ajo.Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj gjuhës së urrejtjes, talljes dhe fushatave denigruese krijon një ambient ku opinioni nuk ndërtohet mbi fakte, por mbi emocione kolektive. “Nuk binden nga argumenti, por nga zhurma.”, – shpjegon psikologia.

Kur një mesazh përsëritet çdo ditë, ai fillon të duket si i vërtetë, pavarësisht nga përmbajtja e tij reale. Ky proces lidhet edhe me atë që në psikologji njihet si “efekti i përsëritjes” – informacioni i dëgjuar shpesh perceptohet si më i besueshëm. Në këtë mënyrë, të rinjtë mund të formojnë qëndrime ndaj figurave publike jo mbi bazën e analizës kritike, por mbi bazën e klimës emocionale që krijohet online.

Si funksionon “ushtria fantazmë” online?

E ashtuquajtura “ushtri fantazmë” funksionon si një rrjet i koordinuar llogarish, që veprojnë në mënyrë të sinkronizuar.

Procesi zakonisht nis me publikimin e një përmbajtjeje, që mund të jetë një lajm i manipuluar, ose një video jashtë kontekstit, apo një narrativë e caktuar. Menjëherë pas publikimit, aktivizohet një grup profilesh që e shpërndajnë, e komentojnë dhe e përforcojnë atë.

Siç thekson edhe intervista me eksperten e komunikimit Jonila Godole, kjo funksionon si një “kor i rremë”: “Disa profile e nisin mesazhin, të tjerat e mbështesin, ndërsa një valë e tretë e amplifikon përmes komenteve dhe shpërndarjeve. Qëllimi nuk është domosdoshmërisht të bindet menjëherë publiku, por të krijohet ndjesia se ‘të gjithë po flasin për këtë’ dhe ‘të gjithë mendojnë kështu’.”

Dhe në këtë luftë, një rregull i vjetër propagandistik vazhdon të funksionojë: sa më shumë që përsëritet një gënjeshtër, aq më e besueshme bëhet. Raportime të ndryshme mediatike në Kosovë kanë ngritur dyshime për rrjete të organizuara, që aktivizohen në momente të caktuara politike.

 Dezinformimi është vetëm faza e parë.

Artikujt e publikuar nga Faktoje tregojnë se përmbajtje të manipuluara, video të vjetra, deklarata të nxjerra jashtë kontekstit përdoren për të ndërtuar narrativa që synojnë diskreditimin e figurave publike. Por efekti real nuk qëndron vetëm te informacioni i rremë. Efekti qëndron te reagimi që ai prodhon.

Pasi përmbajtja shpërndahet nga profilet e rreme, fillon një valë komentesh që kalon shpejt nga kritikë në sulm.

Anonimati që rrit guximin për të sulmuar

Sipas psikologes Teuta Haliti, profilet e rreme nuk ndikojnë vetëm përmes përmbajtjes që shpërndajnë, por përmes mënyrës se si ndryshojnë sjelljen dhe reagimin e publikut. “Anonimiteti në rrjete sociale ul ndjeshëm ndjenjën e përgjegjësisë personale, duke krijuar një terren ku individët ndihen më të lirë të shprehen në mënyrë agresive dhe pa filtër. Ky fenomen lidhet me atë që në psikologji njihet si “efekti i dezinhibimit online”, sipas psikologes, ky është momenti ku njerëzit thonë dhe bëjnë gjëra që nuk do t’i bënin në komunikim të drejtpërdrejtë.

Kur mungon frika nga pasojat, rritet guximi për të sulmuar,” shpjegon ajo, duke theksuar se profili i rremë krijon një lloj mburoje psikologjike, që ul ndjenjën e fajit dhe të përgjegjësisë.

Por ndikimi nuk ndalet te gjuha e urrejtjes. Një element edhe më i fortë është mënyra se si përsëritja e informacionit ndikon në perceptimin e së vërtetës. Sipas saj, truri i njeriut ka tendencë ta konsiderojë si më të besueshme atë që e dëgjon shpesh. Edhe kur një informacion është i pavërtetë, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tij krijon ndjesinë e njohjes, dhe kjo njohje shpesh ngatërrohet me të vërtetën.“Pas një kohe, publiku nuk pyet më ‘a është e vërtetë’, por fillon të mendojë ‘ndoshta ka diçka, sepse po thuhet gjithandej’.”, – thekson ajo.

Një tjetër pasojë e rëndësishme është normalizimi i gjuhës së urrejtjes.

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ofendimeve dhe sulmeve verbale çon në atë që psikologjia e quan “mpirje emocionale”. Me kalimin e kohës publiku nuk reagon më ndaj kësaj gjuhe, sepse ajo bëhet pjesë e zakonshme e komunikimit. Në këtë pikë, ndikimi i profileve të rreme shkon përtej informacionit. Ai prek mënyrën se si njerëzit mendojnë, si reagojnë dhe si e perceptojnë realitetin, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes asaj që është e vërtetë dhe asaj që thjesht përsëritet më shumë.

Gratë e rreme: kur propaganda merr fytyrë njerëzore

Një nga format më të sofistikuara të këtij manipulimi është përdorimi i profileve me identitete të fabrikuara të grave

Raportime mediatike kanë identifikuar profile që përdorin fotografi të grave të marra nga rrjete të tjera apo të krijuara artificialisht, dhe që shfaqin një aktivitet të vazhdueshëm politik. Këto profile që postojnë çdo ditë për çështje politike, komentojnë në mënyrë sistematike në postime të figurave publike, ndërhyjnë në debate për të orientuar narrativën dhe shpesh përdorin një gjuhë të fortë, ironike apo denigruese. Ato nuk duken si propagandë, duken si qytetarë të zakonshëm. Dhe pikërisht këtu qëndron fuqia e tyre. Një profil me emër dhe fotografi të besueshme krijon ndjesinë e autenticitetit. Kur dhjetëra profile të tilla përsërisin të njëjtin mesazh, propaganda nuk perceptohet më si e tillë, por si opinion publik.

Pse “qytetari i zakonshëm” bind më shumë?

Sipas profesoreshës së komunikimit Jonila Godole, një profil që duket si qytetar i zakonshëm është shumë më bindës sesa një burim zyrtar. Ndryshe nga një parti apo institucion, që perceptohet se ka interesa, një profil me foto personale, gjuhë të thjeshtë dhe tone emocionale krijon afërsi dhe besim.

“Këto profile nuk flasin si propagandë, por si komshiu apo kolegu,” thekson ajo.

Në këtë mënyrë, propaganda moderne nuk vjen më me logo apo deklarata zyrtare, por me forma të përditshme komunikimi: batuta, mllef, përvoja personale apo “shqetësime qytetare”.

Roli i algoritmit: kur emocioni fiton mbi faktin

Një faktor vendimtar në këtë proces është mënyra si funksionojnë vetë platformat. Sipas ekspertes së komunikimit Jonila Godole, algoritmet e rrjeteve sociale nuk shpërblejnë të vërtetën, por reagimin. Përmbajtjet që nxisin zemërim, frikë apo përçmim përhapen më shpejt, sepse gjenerojnë më shumë ndërveprim.

Për të bërë një një analizë kërkon kohë dhe vëmendje, ndërsa një akuzë apo fyerje prodhon reagim të menjëhershëm. Në këtë ambient, gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi nuk janë vetëm të pranishme, por shpesh bëhen dominante. Me kalimin e kohës, kjo krijon një klimë ku urrejtja normalizohet, ndërsa mendimi kritik perceptohet si i lodhshëm apo i parëndësishëm.

“Koret e rreme” të gjuhës së urrejtjes

Për eksperten e komunikimit Prof. as. Dr. Jonila Godole përhapja e një narrative në rrjetet sociale nuk është spontane, por shpesh funksionon si një mekanizëm i koordinuar që krijon iluzionin e një reagimi të gjerë publik.Ajo e përshkruan këtë si një “kor të rremë”, ku disa profile e nisin një ide, ndërsa të tjera e komentojnë, e shpërndajnë dhe e mbrojnë. Më pas, përmbajtja amplifikohet nga forma të tjera në portale, postime në Instagram, grupe në Facebook apo video në TikTok,  duke u paraqitur si një reagim i natyrshëm i qytetarëve. Qëllimi, sipas saj, nuk është gjithmonë bindja e menjëhershme. “Shpesh mjafton të krijohet mjegull, një ndjesi se ‘të gjithë po mendojnë kështu’,” thekson ajo.

Si mund të dallohet një fushatë e koordinuar?

Ekzistojnë disa shenja që mund të ndihmojnë në identifikimin e këtyre fushatave. Sipas pedagoges Jonila Godole, një prej tyre është ritmi dhe ngjashmëria e reagimeve. Kur shumë profile publikojnë të njëjtin mesazh, me të njëjtat fjalë dhe në të njëjtën kohë, kjo është një shenjë e qartë koordinimi.

Po ashtu, rëndësi ka edhe vetë profili: mungesa e historisë personale, aktiviteti i kufizuar vetëm në tema të caktuara apo sjellja agresive janë indikatorë që duhet të ngrenë dyshime. Një tjetër element është mënyra e komunikimit. Ndryshe nga reagimi real publik, që karakterizohet nga larmi mendimesh dhe diskutim, fushatat e koordinuara shpesh përsërisin të njëjtat fraza dhe synojnë sulmin, jo debatin.

Në këtë kontekst, ajo sugjeron që përdoruesit të bëjnë disa pyetje bazë: kush po e thotë këtë, pse po e thotë dhe pse po përsëritet në të njëjtën mënyrë nga shumë të tjerë.

Sepse, siç përfundon ajo, “ndonjëherë ajo që duket si zëri i popullit është vetëm jehona e një dhome të mbyllur.”

Në të njëjtën linjë, profesor Elvin Luku shpjegon se këto rrjete funksionojnë përmes një koordinimi që krijon atë që ai e quan një “tymnajë digjitale”. Sipas tij, profile të ndryshme shpërndajnë të njëjtin informacion, shpesh me elemente emocionale apo konspirative, duke krijuar një volum të madh reagimesh në një kohë shumë të shkurtër.

Ai thekson se një nga arsyet kryesore pse këto praktika janë kaq të përhapura lidhet me lehtësinë teknike dhe mungesën e kontrollit të identitetit në platformat online. “Kjo i mundëson një grupi të vogël aktorësh të prodhojnë një realitet të shtrembëruar, ku një narrativë e organizuar paraqitet si opinion i gjerë publik. Në këtë mënyrë, përmes komentimeve të sinkronizuara, sondazheve të manipuluara dhe shpërndarjeve të përsëritura, krijohet përshtypja e një shumice dominuese.”

Një tjetër dimension i rëndësishëm është roli i algoritmeve. 

Sipas Prof. Lukut, platformat digjitale janë të ndërtuara për të favorizuar përmbajtjet që gjenerojnë reagime të forta zemërim, frikë apo përçmim. Për këtë arsye, përmbajtjet dezinformuese dhe gjuha e urrejtjes shpesh përhapen më shpejt sesa informacioni i verifikuar apo analizat e balancuara.

Një realitet që kërkon përgjigje

Në Kosovë dhe Shqipëri, ku besimi në media shpesh është i brishtë dhe edukimi mediatik mbetet i kufizuar, profilet e rreme dhe rrjetet e koordinuara gjejnë terren të përshtatshëm për të operuar, pasi shpesh përballë është një audiencë që konsumon informacionin shpejt, pa verifikim dhe në bazë të emocioneve.

Ky është një realitet që kërkon përgjigje në disa nivele: nga institucionet, për të hetuar dhe adresuar ndërhyrjet e mundshme, nga mediat, për të verifikuar dhe demaskuar narrativat e rreme nga shoqëria, për të zhvilluar një kulturë më kritike ndaj informacionit.

Sepse nëse ky mekanizëm lihet të funksionojë pa kontroll, ai nuk do të ndikojë vetëm debatet e sotme por edhe mënyrën se si do të kuptohen ngjarjet nesër.

Ndryshe nga një parti apo institucion, që perceptohet se ka interesa, një profil me foto personale, gjuhë të thjeshtë dhe tone emocionale krijon afërsi dhe besim.

Një faktor vendimtar në këtë proces është edhe mënyra si funksionojnë vetë platformat. Sipas Prof. Godoles, algoritmet e rrjeteve sociale nuk shpërblejnë të vërtetën, por reagimin dhe se përmbajtjet që nxisin zemërim, frikë apo përçmim përhapen më shpejt, sepse gjenerojnë më shumë ndërveprim.

Për eksperten e komunikimit Prof. as. Dr. Jonila Godole përhapja e një narrative në rrjetet sociale nuk është spontane, por shpesh funksionon si një mekanizëm i koordinuar që krijon iluzionin e një reagimi të gjerë publik. Ajo e përshkruan këtë si një “kor të rremë”, ku disa profile e nisin një ide, ndërsa të tjera e komentojnë, e shpërndajnë dhe e mbrojnë me forma të tjera duke u paraqitur si një reagim i natyrshëm i qytetarëve. Qëllimi, sipas saj, nuk është gjithmonë bindja e menjëhershme. “Shpesh mjafton të krijohet mjegull, një ndjesi se ‘të gjithë po mendojnë kështu’,” thekson ajo.

Po ashtu, rëndësi ka edhe vetë profili: mungesa e historisë personale, aktiviteti i kufizuar vetëm në tema të caktuara apo sjellja agresive janë indikatorë që duhet të ngrenë dyshime, si edhe mënyra e komunikimit. Ndryshe nga reagimi real publik, që karakterizohet nga larmi mendimesh dhe diskutim, fushatat e koordinuara shpesh përsërisin të njëjtat fraza dhe synojnë sulmin, jo debatin.

Në këtë kontekst, ajo sugjeron që përdoruesit të bëjnë disa pyetje bazë: kush po e thotë këtë, pse po e thotë dhe pse po përsëritet në të njëjtën mënyrë nga shumë të tjerë. Sepse, siç e thotë ajo “ndonjëherë ajo që duket si zëri i popullit është vetëm jehona e një dhome të mbyllur.”

Në të njëjtën linjë, Prof. Elvin Luku shpjegon se këto rrjete funksionojnë përmes një koordinimi që krijon atë që ai e quan një “tymnajë digjitale”. Sipas tij, profile të ndryshme shpërndajnë të njëjtin informacion, shpesh me elemente emocionale apo konspirative, duke krijuar një volum të madh reagimesh në një kohë shumë të shkurtër.

Një tjetër dimension i rëndësishëm është roli i algoritmeve. Sipas Prof. Lukut, platformat digjitale janë të ndërtuara për të favorizuar përmbajtjet që gjenerojnë reagime të forta zemërim, frikë apo përçmim. Për këtë arsye, përmbajtjet dezinformuese dhe gjuha e urrejtjes shpesh përhapen më shpejt sesa informacioni i verifikuar apo analizat e balancuara.

Në Kosovë dhe Shqipëri, ku besimi në media shpesh është i brishtë dhe edukimi mediatik mbetet i kufizuar, profilet e rreme dhe rrjetet e koordinuara gjejnë terren të përshtatshëm për të operuar, pasi shpesh përballë është një audiencë që konsumon informacionin shpejt, pa verifikim dhe në bazë të emocioneve. Ky është një realitet që kërkon përgjigje në disa nivele: nga institucionet, për të hetuar dhe adresuar ndërhyrjet e mundshme, tek mediat për të verifikuar dhe demaskuar narrativat e rreme, deri tek shoqëria për të zhvilluar një kulturë më kritike ndaj informacionit. Sepse, nëse ky mekanizëm lihet të funksionojë pa kontroll, ai nuk do të ndikojë vetëm debatet e sotme, por edhe mënyrën se si do të kuptohen ngjarjet nesër.

Ky shkrim është realizuar me mbështetjen e iniciativës rajonale të Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, i financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.

Përmbajtja e këtij shkrimi dhe opinionet e shprehura në të, janë përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Kombeve të Bashkuara, përfshirë UNDP, UNFPA, UNESCO, UN Women, ose Fondit të Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes.