BallinaUncategorizedSi firuan dosjet për krimet zgjedhore dhe moskompetenca e SPAK që ‘shfryu’ ‘Patronazhistët’

Si firuan dosjet për krimet zgjedhore dhe moskompetenca e SPAK që ‘shfryu’ ‘Patronazhistët’

ANILA HOXHA

Pjesa dërrmuese e kallëzimeve për krime zgjedhore apo korrupsion për zgjedhjet e 25 prillit nuk po hetohen. Nga 158 njoftime për vepra penale në fushën zgjedhore, Prokuroria e Përgjithshme raporton se të paktën 1/3 e tyre u pushuan ose procedimi penal nuk filloi. Edhe SPAK, raporton se nga 149 kallëzime, ka të regjistruara vetëm 33 çështje, ndërsa pjesa tjetër janë ridërguar pranë policive dhe prokurorive, ose është shpallur moskompetenca. Këtë fat pati edhe dosja e “Patronazhistëve” që SPAK e regjistroi si “korrupsion në zgjedhje”, por përfundoi në prokurorinë e rrethit Tiranë për “Përhapje të sekreteve vetjake” dhe “hyrje e pautorizuar kompjuterike”.

Pak orë përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Narti Marku dhe Xhuljano Tota nga Qerreti u ndaluan nga një patrullë policore rrugëve të Katundit të Ri në Durrës. Të dy u denoncuan se po shpërndanin para për të blerë vota, një akt që konsiderohet krim zgjedhor. Në procesverbalët e arrestimit në flagrancë, shërbimet e policisë gjyqësore raportuan se nga kqyrja e automjetit ku udhëtonin dy personat kishte materiale kompromentuese:  18 zarfe me nga një apo dy kartëmonedha 5 mijë lekëshe, në total 200 mijë lekë si dhe 2 kopje orientuese të fletëve të votimit. Sot, rreth gjashtë muaj më vonë, dy të rinjtë janë nën hetim për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, por me kërkesë të SPAK ndodhen në masën lehtësuese të detyrimit me paraqitje.

Vota të shitura?

Marku dhe Tota mohojnë të kenë shpërndarë para për votuesit.  Narti Marku këmbëngul se ishte aktivist i LSI dhe ka qënë i ngarkuar për t’u kujdesur për komisionerët.

“Unë kam në patronazh 19 qendra votimi dhe vetë jam anëtar i KZAZ numër 1515. Në pamundësi për t’u shërber gjithë komisionerëve dhe numëruesve të votave, nga kursimet e mia i kam ndarë në zarfa paratë për t’jua dhënë që t’i përdornin gjatë ditës së votimeve”, ka deklaruar i akuzuari lidhur me paratë e gjetura. Një shfajësim tjetër ka dhënë edhe për modelet e fletëve të votimit, duke argumetuar se përmes tyre “…do të orientonte prindërit e tij se si të votonin”.

Ky ishte vetëm një nga rastet e denoncuara gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit nën akuzën për shitblerje të votës. Monitorimi i qendrës FOL, që bazohet në denoncime të subjekteve politike, përfshin edhe kallzime që pretendojnë se qytetarëve po u premtohej edhe pajisja me pasaportë bullgare në rast se jepnin votën për një parti të caktuar, si në rastin e zonës së Maqellarës. Pavarësisht indicieve, hetimet nuk gjurmuan raste konkrete, ndërsa fati i këtyre kallzimeve nuk dihet ende nëse u mbajtën nga SPAK apo janë përcjellë për moskompetencë në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Në një komunikim zyrtar më 2 nëntor, Prokuroria e Përgjithshme bëri një  panoramë statistikore lidhur me çështjet zgjedhore në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm. Ky përditësim, i gjashti nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk veçonte nenet përkatëse ku më herët detajoheshin akuzat si pengimi i subjekteve zgjedhore, dëmtim me dashje i materialit zgjedhor, votim më shumë se njëherë, shkelje e fshehtësisë në zgjedhje deri tek braktisja e detyrës së komisionerëve, përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike dhe korrupsioni në zgjedhje.

Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë marë gjithsej 158 njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve prej të cilave, 91 drejtpërdrejt në prokurori. Nga këto të fundit 70 njoftime përbëjnë kallëzime të subjekteve politike/kandidatëve drejtpërdrejt në prokurori, 3 njoftime të shtetasve në prokurori dhe 18 njoftime të institucioneve shtetërore në prokurori.
Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar me vendim pushimi 20 çështje me 2 persona ne hetim. Janë pezulluar 3 cështje dhe janë në gjykim 4 cështje me 4 persona. Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë në proçes verifikimi paraprak 13 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 24 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 34 njoftime”, thuhet në komunikimin zyrtar të
Prokurorisë së Përgjithshme.

*Prokuroria e Përgjithshme

Hetimet e SPAK për zgjedhjet

Incidenti më i rëndë përgjatë fushatës zgjedhore sigurisht që ishte ai në Elbasan, ku gjatë përplasjes me armë zjarri u vra shtetasi Pjerin Xhuvani, një aktivist i PS si dhe u dëmtua një oficere policie. Mes shumë të shoqëruarve gjendej dhe ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj.

*(SPAK)Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Për këtë dosje, ende nuk ka një finale të hetimit nga SPAK, Struktura e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku besimi dhe pritshmëria e qytetarëve vazhdon të jetë ende e lartë. Falë këtij besimi, pjesa kryesore e denoncimeve të subjekteve politike i kanë dërgura në këtë institucion denoncimet e tyre për shitblerje të votës dhe keqpërdorim të funksionit publik.

Dy ditë pas zgjedhjeve, në 27 prill, SPAK konfirmoi se volumi i kallzimeve ishte i lartë dhe kryesonte korrupsioni aktiv në zgjedhje.

Aktualisht në Prokurorinë e Posaçme janë në hetim 33 procedime penale, nga të cilët janë regjistruar:
• 27 proçedime penale për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 Kodi Penal.
• 2 proçedime penale për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b Kodi Penal.
• 2 proçedime penale për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a Kodi Penal. (E lidhur me subjekte në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme)
• 1 proçedim penal për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 248 dhe 328 Kodi Penal.
• 1 proçedim penal për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Përhapja e sekreteve vetjake”, parashikuar nga nenet 328 dhe 122 Kodi Penal.

Sipas të dhënave zyrtare nga SPAK për “Faktoje”, deri në muajin shtator raportohen të regjistruara 149 denoncime që lidhen me dyshimet e krimeve zgjedhore të 25 prillit. Aty kryesojnë denoncimet e Partisë Demokratike me 80 të tilla, 20 janë përcjellë nga institucioni i Presidentit, 10 janë dërguar për kompetencë nga prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe 19 të tjera janë nga policitë.

Në vetëm një rast SPAK nisi hetime me inisiativën e prokurorëve dhe sipas përgjigjes zyrtare, në total konsiderohen si të regjistruara vetëm 60 raste. Plot 69 denoncime të tjera u ridërguan sërish për veprime pranë policive lokale ose prokurorive përkatëse. Sa i përket shpalljes së moskompetencave, kryeprokurori i prokurorisë së posaçme antikorrupsion, z.Arben Kraja, i pyetur nga “Faktoje” nënvizoi se “moskompetenca shpallet kur dalin elementë të veprave penale që nuk janë në kompetencë e SPAK, sepse ky institucion ka vetëm dy vepra në fushën e zgjedhjeve.”

*Arben Kraja , kreu I SPAK

Pavarësisht volumit të madh të cështjeve, bazuar në denoncimet e subjekteve politike dhe presidentit, por edhe gjetjeve të mediave, SPAK ka mundur të provojë vetëm një rast të shitblerjes së votës së krimit zgjedhor. Përmes një njoftimi zyrtar SPAK njoftoi se shtatë muaj pas zgjedhjeve u dorëzuan si të pandehur shtetasit Denis Xholi dhe Albjon Ceku, punonjës të bashkisë së Bulqizës, të evidentuar prej  mbështetësve të  Partisë Demokratike teksa po shpërndanin para.

Një monitorim i Qendrës FOL mbi ecurinë e cështjeve të korrupsionit në zgjedhje që u vlerësuan se nuk duhet të hetoheshin nga SPAK tregon se si u shpërndanë këto dosje:

“19 cështje të gjurmuara rezultuan se u shpërndanë konkretisht 2 në Vlorë, 3 në Tiranë, 4 në Lushnjë, 1 në Korcë, 1 në Kavajë, 1 në Lezhë, 2 në Elbasan, 4 në Fier dhe 1 në Berat”.

I njëjti monitorim sjell si gjetje faktin se asnjëri nga subjektet që denoncuan korrupsionin në zgjedhje nuk e kundërshtuan gjyqësisht vendimin për së paku 20 dosje për të cilat u vendos mosfillimi.

 

Ku humbën “Patronazhistët”

Në fashikullin e vendosur në dispozicion për “FAKTOJE”, tregohet se si SPAK, shpalli moskompetencën edhe për procedimin numër 95, i njohur ndryshe si “dosja e patronazhistëve”, duke e dërguar për kompetencë në prokurorinë e Tiranës. Në shkresën e firmosur nga prokurorja Enkeleida Millonai tregohet se kjo çështje përfundoi nën hetim vetëm për “Përhapje të sekreteve vetjake” dhe “hyrje të pautorizuar kompjuterike”, ndonëse SPAK e regjistroi më 14 prill për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”.

Si pikënisje e hetimit shërbeu artikulli i Lapsi.al ku u publikua ekzistenca e një databaze me të dhënat e 910 mijë qytetarëve të Tiranës, përfshirë të dhënat prsonale si ID e kartës së identitetit, punësimin dhe bindjen politike. Për të njëjtën cështje dorëzoi kallzim Partia Demokratike si dhe Presidenti i Republlikës, z. Ilir Meta, i cili përcolli denoncimin e një qytetari që banonte në Zvicër.

Qytetari që jetonte jashtë Shqipërisë prej 18 vitesh dhe ishte regjistruar në portalin e-Albania duke lënë aty numrin e telefonit, pretendoi se përveç familjes së tij, këtë të dhënë nuk e kishte askush tjetër.

“Përshëndetje a e di se në Tiranë janë 50 mijë votues me origjinë nga Kukësi? Një deputet në Tiranë zgjidhet me 10 mijë vota. A nuk e meritojnë kuksianët të kenë 3 deri në katër deputetë nga Kukësi? Voto 12 Partia Socialiste/ Voto një kuksian. Voto Dallandyshe Bici, nr. 22 në listën e PS” – ishte mesazhi që iu përcoll si ankesë presidentit nga qytetari dhe që sillet si e dhënë edhe në dosjen e vënë në dispozicion për “FAKTOJE”.

Për këtë hetim SPAK, argumenton në shpalljen e moskompetencës se nuk mundësoi gjetjen e ndonjë të dhëne, prove apo indicieje që të vërtetojë se është konsumuar vepra penale e korrupsionit aktiv në zgjedhje. Institucioni ku SPAK ka marrë informacion është Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, që mundësoi listën elektronike online të zgjedhësve, përmes portalit qeveritar e- Albania.

“Me kërkesë të DPGJ – thuhet në argumentat e SPAK- gjenerimi i listës përfundimtare të zgjedhësve është realizuar me mbështetjen e kompanisë austriake Xion, e kontraktuar nga AKSHI për mirëmbajtjen e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile”. Por më tej SPAK nuk mundi të saktësojë se nga cili prej institucioneve rrodhën të dhënat personale për të cilat ekziston dyshimi se janë përdorur për fushatën zgjedhore.

Pavarësisht kësaj pamundësie për të vënë gishtin mbi një fajtor, SPAK nuk e mohon “…ekziston dyshimi se punonjës të caktuar, të ngarkuar me administrimin e sistemeve të informacionit, mund të kenë përhapur të dhënat private të qytetarëve shqiptarë. Ata kanë jo vetëm mundësi aksesi për njohje informacioni, por edhe kompetenca më të gjera, të përcaktuara si punonjës të specializuar pranë institucioneve të sipërcituara”.

I pyetur nga “Faktoje”, z. Arben Kraja garantoi se SPAK nuk ka patur pengesa për këtë dosje. “Hetimet janë kryer të plota dhe do të vazhdojnë edhe më tej”, u shpreh drejtuesi i SPAK.

Gert Shella, drejtues i INFOCIP (Qendra për Cështje të Informimit Publik) mbasi publikoi raportin e ndërmjetëm këmbëngul për “FAKTOJE”, se prokuroritë janë brenda afateve proçeduriale për të hetuar gjithçka ndodhi në zgjedhjet e 25 prillit. Sa i përket dosjes së “patronazhistëve” Shella shton se, SPAK nuk duhet të kishte shpallur moskompetencën” mbasi ajo është një çështje korruptive e pastër duke qenë se dyshohen institucione që ia kanë dhënë informacionin një partie.

“Vërtet mund të mos jetë krim zgjedhor, por ama është krim korruptiv!” – thotë z.Shella. Sipas tij, edhe 136 sinjalizimet e dorëzuara nuk duhet të ishin mbyllur nga KAS si çështje administrative, por duhet t’i kishin kaluar edhe ato prokurorisë për t’u hetuar.

 

*Ky artikull u mbështet nga projekti “Forcimi i Transparencës së Zgjedhjeve në Shqipëri” (SETA), financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë dhe Aksioni i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img