Ndikimi i Kinës është i pranishëm në Shqipëri, edhe pse në formën e një “fuqie të butë” krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Analiza e Faktojes zbulon se si Kina përcjell propagandën e saj në Shqipëri, përmes mediave të kontrolluara nga Republika Popullore kineze. Rasti që analizojmë lidhet me marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve dhe narrativën që i serviret publikut nga Radio e Jashtme e Kinës, e pranishme në Shqipëri prej më shumë se një dekade.
“Trend rritës i shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës”. Ky është titulli i zgjedhur nga Radio e Jashtme e Kinës, seksioni shqip, për të përcjellë këtë fundvit tek publiku shqiptar, ecurinë e marrëdhënieve tregtare mes shtetit ziatik dhe Shqipërisë.
Artikulli i publikuar më 8 dhjetor nis me fjalinë: “Në 10 mujorin e këtij viti, sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka shënuar ulje të eksporteve me vendet e BE-së, por ka rritje të tyre me vendet e rajonit dhe Kinën.”
Më tej në artikull sqarohet se rritja e importeve me Kinën është 26 përqind, duke e konsideruar ekonominë e dytë të botës, një ndër partnerët kryesorë të Shqipërisë në tregti.
“Kjo tregon se ka një tendencë të ekonomisë shqiptare, të biznesve, të importuesve dhe eksportuesve shqiptarë për t’iu drejtuar tregut kinez.”, nënvizon artikulli i Radio Ejani, seksioni shqip i Radios së Jashtme kineze, e pranishme në Shqipëri që prej nëntorit të 2012.
Referuar të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave për periudhën janar-tetor Kina konsiderohet vërtetë si partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, me thuajse 8 për qind të totalit të vëllimit tregtar.
“Nëse shohim të dhënat e INSTAT, grupi minerale dhe lëndë djegëse zë vendin kryesor në eksportet me Kinën. Kjo, sepse ka vite tashmë që industria minerare orientohet për tregun e Kinës dhe një numër i madh biznesesh kryesisht nga India kanë investuar në sektorin e shfrytëzimit të burimeve minerare, për të kryer këto eksporte drejt saj. Nga ana tjetër, importet nga Kina janë gati dhjetë herë më të larta se eksportet, në tre grupmallra kryesore: 1-Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi, 2-Materiale ndërtimi dhe metale, 3-Tekstile dhe këpucë”, argumenton eksperti për ekonominë, Eduard Gjokutaj.
Referuar INSTAT, partnerët tanë kryesorë tregtarë, nga janari në tetor rezultojnë:
Italia (29,5 %), Kina (7,8 %), Turqia (6,8 %) dhe Greqia (6,6 %)
Nga ana tjetër, sipas INSTAT, importet me Kinën kanë pasur rritjen më të madhe në dhjetëmujor, pasuar nga Gjermania dhe SHBA.
Kina (26,0 %), Gjermania (5,0 %) dhe SHBA (28,9 %)
Verifikimet e Faktoje tregojnë se të dhënat që përcjell Radio Ejani në publikimin e 8 dhjetorit janë të sakta, por interpretimi i tyre i lë vend propagandës, pasi mesazhi kryesor është përshtatur sipas interesave të Kinës. Që në nisje të shkrimit i mëshohet më së shumti faktit që janë ulur eksportet me vendet e BE-së dhe më pas theksohet se ato janë rritur me Kinën.
“Në aspektin ekonomik Kina është e interesuar në promovimin e marrëdhënieve tregtare dypalëshe. Mesazhi në këtë marrëdhënie ‘përshtatet’ me narrativën e interesit të përbashkët duke e kundërvën me tregtinë me fuqitë e tjera, përfshi BE-në.”, shpjegon pedagogu i gazetarisë investigative Lutfi Dervishi.
Edhe të dhënat e 11-mujorit nuk e lëkundin pozicionin e Kinës në tregtinë me Shqipërinë. Referuar INSTAT, Kina rezulton sërish partneri i dytë tregtar me 8% të volumit, pas Italisë që zë 29.2% të tregtisë me jashtë.
“Kina, ndryshe nga fuqi të tjera të interesuara për rajonin në aspektin e komunikimit publik nuk futet në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Interesi i saj është promovimi i narrativës së Kinës si një fuqi në rritje, promovimi i projektit ‘Një brez një rrugë’, promovimi i zhvillimeve teknologjike.”, thekson Dervishi.
‘Radio Ejani’
Përtej ekonomisë, shteti kinez vijon përpjekjet për të shtrirë ndikimin kulturor në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe veçanërisht në Shqipëri.
Që prej 28 nëntorit të 2012-s në Shqipëri ka nisur transmetimin në FM, Radio e Jashtme e Kinës, seksioni shqip i shtrirë në Tiranë dhe Durrës.
Edhe pse me një shtrirje të kufizuar në frekuenca, Radio Ejani i ka kushtuar vëmendje të lartë pranisë së saj në rrjetet sociale. Radio e Jashtme kineze është e pranishme edhe në Facebook, X e Instagram, media sociale të cilat janë të ndaluara zyrtarisht brenda territorit kinez. Por jo në Shqipëri.
Në rrjetin social facebook, faqja e RADIO EJANI numëron 1.1 milionë ndjekës dhe poston mesatarisht 30 herë në një ditë. Bie në sy se ndjekësit nuk ndajnë komente apo reagime, megjithë frekuencën e lartë të postimeve me informacione nga ekonomia, politika, kultura apo teknologjia, ndërkohë që numri i pëlqimeve, komenteve apo shpërndarjeve në postime është thuajse inekzistent.
Nga një hulumtim i bërë përmes Meta Ad Library (ku çdokush mund të kontrollojë sa reklama ka sponsorizuar një faqe, apo sa para shpenzohen për to në dy platformat e Meta-s) ne zbuluam se nga nëntori i 2021 deri në dhjetor 2023 Radio Ejani ka sponsorizuar 330 reklama gjithsej në facebook. Nga ky total, 39 reklama kanë qenë çështje me karakter social, zgjedhje dhe politikë.
Nga ky regjistër mund të përllogariten përafërsisht shpenzimet totale të kryera për reklama. Për shembull, Radio Ejani ka sponsorizuar 289 dollarë amerikanë në dy vitet e fundit (11 mars 2021- 17 dhjetor 2023).
Një tjetër tregues që ilustron intresin e Kinës në përhapjen e ndikimit të saj, është edhe investimi tek brezi i të rinjve shqiptarë përmes ofrimit të studimeve apo kampeve verore në shtetin Aziatik.
E tillë është nisma “Unë dhe ti në Pekin” një program për promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze që organizohet prej disa vitesh nga Zyra Qendrore e Institutit Konfuci (Hanban) dhe Universiteti i Studimeve të Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU) si dhe organizma të tjerë arsimorë të Kinës, siç përshkruhet në një artikull në faqen CRI online shqip.
E gjitha iliustron praninë e ndikimit të Kinës në Shqipëri, edhe pse në formën e një “fuqie të butë” krahasuar me vendet e tjera të rajonit.
Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli