EMI KALAJA
Në Velipojë, plazhin më të madh në veri të vendit, sezoni turistik i goditur nga kriza e pandemisë, nisi me përplasje mes pushtetit vendor dhe qeverisë. Një vendim i Këshillit të Ministrave që i heq të drejtën bashkive për trajtimin e aplikimeve për stacionet e plazhit dhe aksionet e befta të IKMT për shembjen e objekteve në bregdet, ditën e çeljes së një sezoni të brishtë turistik, la ‘shenja’ dhe pasoja. Situata e krijuar, sipas një verifikimi për “Faktoje” ka lënë të pakënaqur komunitetin e biznesit, por edhe pushues në Velipojë, të cilët tregojnë se vërejnë edhe rritje të çmimeve.
Në fund të muajit maj, qeveria doli me një vendim për një shtesë në vendimin nr.171, datë 27.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit” ku përfshihet shtrirja e sezonit turistik veror nga 1 qershori deri me 15 nëntor.
Ky vendim, i botuar në 1 qershor në Fletoren Zyrtare, ndër të tjera konsiston në kalimin e kompetencave nga pushteti vendor tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit, për aplikimet që operatorët turistikë bëjnë për shfrytëzimin e stacioneve të plazhit dhe zgjatjen e sezonit turistik deri në 15 nëntor.
Në 5 qershor, kur ende nuk ishte dhënë “ok” për çeljen e sezonit turistik dhe vendi ndodhej ende në gjendje emergjence për shkak të pandemisë, në Velipojë u mbajt një takim me fokus mbarëvajtjen e turizmit, ku ishte i pranishëm ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Gjatë këtij takimi, kryetarja e bashkisë Voltana Ademi shprehu hapur pakënaqësinë ndaj vendimit të qeverisë.
“Procedura që po aplikohet për stacionet e plazheve ka disa mangësi. Shqetësimet e operatoreve turistikë janë se kanë rritje kostosh për zënien e hapsirës për stacionet e plazhit. Ato shprehin shqetësim pasi më 1 qershor deri ne 15 nëntor është sezoni i përcaktuar këtë vit, me 15 nëntor nuk bëhet plazh në Shkodër pasi atëherë veshim pallton. Kjo është barrë fiskale për biznesin që i bie të jetë barrë 2-3 fish për biznesin.”- deklaroi kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi.
Ministri Lleshaj në prani të task forcës së turizmit dhe mediave, dha sinjale mirëkuptimi dhe deklaroi se do komunikonte me instancat përkatëse.
“Do flas për rirregullimin e afatit të kohëzgjatjes që të mos kemi kosto të panevojshme për ato që përdorin stacionet e plazhit”- premtoi ai.
Por situata gjatë javës që vijoi precipitoi në Velipojë. Në 10 qershor, ditën që kryeministri Edi Rama kishte deklaruar të hapur sezonin turistik, IKMT ndërhyri në një aksion dyditor duke prishur 24 beach bar-e si ndërtime pa leje. Aksioni, i cili në nisje të sezonit u konsiderua një goditje për imazhin e Velipojës dhe turizmin u denoncua nga kryetarja e Bashkisë Shkodër si një veprim që po kryhej pa urdhër ekzekutiv. Ajo propozoi që këto aksione të mbaheshin në fund të sezonit.
Përplasja megjithatë vijoi pas rezistencës së pronarëve të biznesve dhe familjarëve të tyre ndaj aksionit të IKMT, ku policia iu përgjigj me forcë dhe gaz lotësjellës në një përlëshje që zgjati disa orë. Fadroma e IKMT mori para çdo gjë dhe të nesërmen, bregdeti i Velipojës i ngjante nje fushëbeteje. Rrënojat e strukturave të shembura mbetën për javë të tëra përgjatë bregdetit të Velipojës.
Aksioni i IKMT në Velipojë
Hapi i radhës, pas këtij aksioni ishte depozitimi në prokurori i një padie nga Bashkia Shkodrës, ku parashtroheshin të gjitha shkeljet e konstatuara sipas saj në aksionin e organizuar nga IKMT në Velipojë.
Padia e depozituar nga Bashkia Shkodër
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryetarja Ademi iu rikthye sërsh problemeve të krijuara, jo vetëm nga aksionet e IKMT.
“Ministria ka përcaktuar një distancë në 45 metër nga bregu, kjo është një hapësirë e papërdorshme. Bizneset kanë kryer aplikimin, kanë paguar taksa dhe nuk kanë lidhur kontrata. Ne jemi akoma në situatën që nuk ka asnjë shazlong të vendosur. IKMT duhet të kryejë pastrimin e mbetjeve. Po kalojmë traumë në sezon. Kemi bregdet të shkatërruar, në bazë të ligjit duheshin vendosur elemente si beach bar, banjo publike, dushe por ato u shkatërruan. Mbetet propozim i pa marrë në konsideratë heqja e 15 Nëntorit si kohëzgjatje e sezonit .”-tha kryebashkiakja.
Duke lënë mënjanë, situatën e krijuar nga aksionet e IKMT që pas Velipojës e Shëngjinit prekën edhe pjesën tjetër të vijës bregdetare drejt jugut, kur vjen fjala tek mbarëvajtja e turizmit, Kryeministri Edi Rama paraqiti një tjetër realitet të pritshëm me urdhërin e ri të qeverisë. Sipas këtij të fundit, me mënyrën e re të aplikimit për stacionet e plazhit përmes platformës e-albania, shmangeshin kostot dhe ryshfetet.
Por si ka qenë kjo përvojë për operatorët e biznesit në Velipojë? Ne kontaktuam disa prej tyre për të kuptuar nëse mënyra e re e aplikimit për stacionet e plazhit, vërtetë ua ka shmangur kostot, në para dhe kohë.
Të intervistuarit për “Faktoje” pranuan të tregojnë faturat, por refuzuan të identifikohen, sepse i friksohen penalizimit. Sipas tyre ato u dëmtuan edhe nga prishja e beach bar-eve në mënyrë selektive. Për këtë arsye, ne vendosëm t’u referohemi atyre me emërtimin Operatori 1 dhe 2.
Operatori 1: “Vjet me sivjet janë dyfishuar taksat për stacionet e plazhit. Vjet një stacion ka qënë vijë bregdetare 21.8 m2 dhe 22.5m2 vertikal . Dhe një parcelë ka kushtuar mestarisht 318.000 lekë të vjetra.
Sivjet parcelat variojnë nga 9 m2 deri në 11 metra vijë bregdetare dhe 45 m2 vijë ranore që është absurd pasi askush nuk rri në atë distancë nga deti dhe tani kam paguar 796.000 lekë të vjetra.. Pra më shumë se dyfishin. Vjet kam patur 60 m2 vijë bregdetare, sivjet kam vetëm 28 metra katrorë dhe paguaj më shumë se vjet.”
Fatura e viti 2020
“Ne duhet të punësojmë minimalisht një roje bregdetare, një punonjës që mbledh lekët e çadrave dhe një rojë nate, plus taksat që do i paguajmë deri në nëntor. Punojmë vetëm dy muaj dhe këto me sforco, sepse jemi në pandemi, jemi të detyruar të rrisim çmimin e shezlongeve.”- ankohet operatori 1.
Operatori 2 tregon se ka të njëjtin problem me kostot për stacionin e plazhit, por edhe distancën e lejuar për aktivitet nga bregdeti.
“Vjet kam pasur 36 metra vijë bregdetare dhe kam paguar 6 milion e 800 mijë lekë të vjetra, siç shihet nga faturat e vitit 2019. Sivjet kam paguar 9 milionë lekë dhe kam vetëm 28 metra vijë bregdetare. Kjo sepse kemi paguar dhe muajin Tetor dhe Nëntor. Sot që flasim është data 18 korrik dhe nuk kam bërë as 2 milion lekë të vjetra xhiro. Pushues ka shumë pak, më shumë kemi punuar në Shtator vjet se në Korrik këtë vit.”-thotë operatori 2.
Fatura e vitit 2020
Pasi kontaktuam me operatorët, të cilët dëshmojnë se sivjet po përballen me kosto shtesë, pas urdhërit të ri për aplikimin, iu drejtuam kreut të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Ledion Lako. Ky i fundit kërkoi që informacioni të merret në rrugë zyrtare në faqen info@turizmi.gov.al. Kërkesa për informacion është dërguar që më datë 6 korrik, por edhe pse ka kaluar afati ligjor për kthim përgjigjeje, ende nuk kemi marrë një të tillë.
Kërkesa për informacion dërguar më 6 korrik
Ndërkohë, ne kërkuam një prononciom nga Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi për të mësuar nëse ishte marrë ndonjë masë për shkurtimin e periudhës së sezonit turistik, ashtu sic ishte premtuar nga ministri Lleshaj në 5 qershor, gjtë takimit në Velipojë.
“Në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë është përcaktur që sezoni do paguhet nga 1 qershori deri me 15 nëntor. Domethënë për dy muaj ato do paguajnë për një hapësirë që nuk përdoret as nga pushuesit, as nga biznesi. Në Shkodër nuk bëhet plazh deri në 15 nëntor por maksimumi deri me gjysëm të shtatorit. Unë kam bërë kërkesë për ta ndryshuar, por nuk ka patur një vendimmarrje ndryshe.”-u përgjigj kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
Ne morëm edhe opinionin e disa pushuesve në Velipojë të cilët shprehin pakënaqësi për çmimin e shezlongeve dhe mungesën e masave anti-covid si përshembull respektimi i distances në çadrat e plazhit.
Pushues në Velipojë
“Në Velipojë na pëlqen, rëra dhe deti. Kemi ardh me çadër se nuk kemi takat të paguajmë nga 800 lek deri në 10 euro. Ato nuk janë as higjenike pasi nuk ka distancë, krevatët janë afër dhe na kanë zënë dhe hapësirën.”-thotë një pushues nga Shkodra.
Pushues në Velipojë
“Jam me çadër personale se shezlonget janë afër dhe nuk ka distancë për t’u ndier të sigurtë. Unë nuk e lë për kosto edhe pse janë të shtrenjtë, 10 mijë lek të vjetra çadra.”-thotë një tjetër pushues.
Nga vëzhgimi dhe biseda me opertorët turistikë dhe disa pushues kuptuam se çmimet për disa shërbime, jo vetëm nuk janë ulur, por disa prej tyre kanë pësuar rritje, gjë që justifikohet nga operatorët turistikë me taksat dhe kohëzgajtjen ‘artificiale’ të sezonit turistik deri në 15 nëntor.
Po si do të ndikojë kjo situatë në aspektin ekonomik?
Mario Çurçija, njohës i çështjeve ekonomike, thotë për “Faktoje”:
“Në 2017-n të dhënat zyrtare flasin për një kontribut të brendshëm bruto rreth 9 %, kontributi direkt ky, por kemi dhe atë indirekt dhe në ekonomi ka efekt të shumfishtë. Për ta analizuar duhet menduar se sa përqind nga 8.5 deri ne 9% e kontributit bruto të turizimit vijnë nga turistë të huaj. Mbyllja e kufijve ndikon negativisht në mos’hyrjen e turistëve në Shqiperi ndërkohë që kufizohet njëkohesisht edhe dalja e shqiptarëve jashtë vendit. Kjo të jep idenë e kompensimit, por nuk mund të jete kështu pasi ndryshe është kapaciteti i konsumatorit që vjen p.sh. nga Gjermania, Anglia e ndryshe është kapaciteti i një shqiptari që lëviz jashtë vendi. Në këtë drejtim ne jemi me të humbur.”
I pyetur për afatet e vendosura deri me 15 nëntor, Çurçia vëren:
“Ka dallim mes taksës dhe tarifës. Nëse nuk ofroj shërbim në një përiudhë të caktuar nuk jam i detyruar të paguaj taksë, ky është parimi i përgjithshëm. Nëse tarifat janë shtrirë në një periudhë kaq të gjatë kohore është patjetër një problematikë që mund të dëmtojë dhe kthehet në krizë strukturore e cila falimenton biznesin. Kam pikëpamje skeptike sesa efekt mund të ketë diçka e tillë, pasi ajo që është më shqetësuese është struktura bazë dhe struktura bazë mbahet në këmbë nga fluksi i turistëve. Dhe nësë shërbimet që ofrohen kanë konsum 0 nuk mund të bëhet fjalë për taksa dhe tarifa.”.
Ndërkohë Fatlum Nurja, një tjetër njohës i çështjeve të ekonomisë dha këtë opinion për “Faktoje”:
“Po të shikosh strategjinë e Bashkisë Shkodër në lidhje me Velipojen, në qëllimin nr. 1 të kësaj strategjie apo në Planin e Përgjithshëm Vendor, thuhet që Velipoja do promovojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, të ekoturizmit, bujqësisë, blegtorisë dhe peshkimit.
Mungesa e akteve rregullatore në Velipojë, mungesa e planeve te detajuara vendore, mungesa e lejeve të ndërtimit (provizore apo definitive) të studiuara me seriozitet që i japin zhvillim ekonomisë i dha dorë të lirë pjesës tjetër të qeverisë, asaj qendrore, që të ndërhynte brutalisht në fillim të sezonit, duke e kthyer plazhin si një pikë shkarkimi inertesh.”
Sipas të dhënave të siguruara për “Faktoje” nga Zyra e Turizmit në Bashkinë Shkodër, në vitin 2019 në Velipojë janë regjistruar 233 741 netë fjetje, ndërsa numri i vizitorëve shënoi mbi 100 mijë.
Këtë vit parashikimet flasin për 60% më pak turistë dhe pushues në Velipojë, duke pasur parasysh situatën e krijuar nga Covid-19, që përfshin edhe kufizimin e lëvzjeve në kufij.