.

.

BallinaPertejSi do të "mbijetojnë" qytetet turistike nga koronavirusi

Si do të “mbijetojnë” qytetet turistike nga koronavirusi

Merxhan Daci, SARANDË

Anxhela Ruçi, GJIROKASTËR

Inva Hasanaliaj, VLORË

Turizmi pritet të jetë një nga sektorët më të prekur nga pasojat e pashmangshme prej koronavirusit të ri COVID-19. “Faktoje” kontaktoi me operatorë të tre qyeteve të cilët turizmin e kanë pjesë të rëndësishme të ekonomisë lokale. Si do të ndikojë sipas tyre kjo situatë tek turizmi?

————————————————————————————————————————————————————-

Një ndër problemet më të mëdha për turizmin në Sarandë ishte shëtitorja e papërfunduar e qytetit, deri në momentin që u “shfaq” koronavirusi, tanimë një kërcënim global.

Sezoni turistik, ende nuk është çelur, por shqetësimi tek banorët e bashkisë Sarandë është i madh. Rezervimet në hotele dhe struktura të tjera kanë filluar të anulohen.

Menaxheri i një prej resorteve më të mëdha në zonën e Sarandës i tha “Faktoje” se për periudhën mars-maj janë anuluar prenotimet e madje po kështu kanë nisur anulimet edhe për muajt korrik dhe gusht, kur kërkesat për akomodim në Sarandë dhe Ksamil, arrijnë pikun.

Një nga resortet e Sarandës

Soraldo Nebo, operator në zonën e Sarandës dhe Ksamilit, i tha “Faktoje” se situata e koronavirusit po sjell ndikim në turizmin lokal, sepse që në momentin kur u identifikuan rastet e para me koronavirus, turistët nisën të anulonin prenotimet.

Deri në këto momente agjencitë që kishin prenotimet e grupeve për turet vendase i kanë shtyrë për shtator dhe tetor si dhe ka një ngrirje. Një pasiguri sesi të veprojnë”, tha Nebo.

Soraldo thotë se ajo që po bëjnë është përgatitja e një fushatë ndërgjegjësuese për turistët që të mos anulojnë prenotimet, por t’i shtyjnë ato për më vonë.

Mussle Tour që organizon Soraldo/ Foto: ksamil.al

Saranda pret çdo vit rreth 800 mijë turistë çdo vit.

Teksa vitet e shkuara pasiguritë e banorëve të zonës që kanë edhe biznese turistike kishin të bënin me paqëndrueshmërinë politike, këtë vit pandemia e COVID-19 duket se po i frikëson ata më shumë se çdo gjë tjetër.

Shumë prej tyre, vitet e fundit kanë marrë kredi për të rritur kapacitetin e bizneseve.

Askush nuk di të thotë si do të shkojë ky sezon dhe nëse turizmi, motorri i ekonomisë për Sarandën e Ksamilin do të gjenerojnë dot të ardhura për banorët e zonës dhe ekonominë e vendit.

Frika për përhapjen e coronavirusit ka ndikuar edhe në pikën më të fortë të qytetit të gurtë, turizmin. Rreth 124 mijë turistë e vizituan Gjirokastren gjatë vitit 2019, ndërsa në mesin e muajit mars të këtij viti, për shkak të koronavirusit, bizneset dhe hotelet janë mbyllur.

Bizneset në Gjirokastër, 19 mars 2020, mesditë

Ëngjëllush Serjani, përfaqësues i Zyrës së Turizmit në Bashkinë Gjirokastër tha për “Faktoje” se 2020-a nisi mbarë për qytetin, por sapo dolën rastet e para me koronavirus në Shqipëri, situata u përkeqësua deri në anulim 80% të rezervimeve.

Për herë të parë Gjirokastra pati nje sezon dimëror turizmi me prenotime të shumta në fundjavë. Kjo situatë pozitive vazhdoi deri më 10 mars. Pas kësaj date situata ndryshoi, turizmi ndaloi dhe nisën anulimet e rezervimeve. Nga një monitorim i situatës nga Zyra e Turizmit në bashkinë Gjorkastër, rezulton se për periudhen 15 mars-15 maj jane anuluar pothuajse 80% e rezervimeve dhe vetem 20%  e tyre janë shtyrë për muajt në vijim.”

E njëjta situatë paraqitet edhe për investimet në fushën e turizmit. Në qytetin e Gjirokastrës, pesë operatorë në fushën e hoteleri-turizmit kanë ndërprerë investimet në zonën historike të qytetit.

Dy ditët e fundit, “Faktoje” bëri një vëzhgim në zonën muzeale se si ka ndikuar koronavirusi në aktivitetin turistik. Në rrugicat e kalldrëmta nuk shikon as kalimtarë dhe as turistë, që në këtë periudhë të vitit duhet të kishin mbushur “Qafën e Pazarit”.

Qafa e Pazarit Gjirokastër, 19 mars, mesditë

Bizneset, të cilat kryesisht tregtojnë sende artizanale apo gatime tradicionale, janë të mbyllura për një periudhë të pacaktuar, ose deri atëherë kur rreziku nga përhapja e koronavirusit, të kalojë.

Si në çdo vend dhe në Vlorë nuk mund të flitet për turistë këto ditë dhe në vazhdim. Anulimet për muajin mars dhe prill janë në masën  100%”, tha Vasil Bedinaj, nga Regina Group.

Sipas tij, dëmi ekonomik i pritshëm do të  jetë më  keq se në luftë. “Frika dhe financat e gjithsecilit do të ndikojnë duke sjellë një rënie drastike për të gjithë vitin”-paralajmëron Bedinaj.

Sipas tij, janë diku te 10 mijë net qëndrimi në hotel të anuluara, vetëm për “Regina Group”.

Këtu kemi  një krahasim të rezervimeve midis muajit prill 2019 dhe parashikimit për muajin prill 2020, nga ky operator.

Prill 2019 (*me ngjyrë të gjelbër janë rezervimet, me të verdhë anulimet)

Prill 2020 (me ngjyrë të gjelbër janë rezervimet  dhe me të verdhë anullimet)

Janë pothuajse 14,000 netë  fjetje të anuluara, por përveç kësaj situata  ka ndikuar edhe në numrin e personelit që kemi të punësuar. Aktualisht punonjësit kanë shkruar nëpër shtëpi për shkak të koronavirusit. Janë në total 127 persona të cilët i kemi hequr dhe 60  të tjerë të cilët presim t’i largojmë, pasi çdo aktivitet është pezulluar. Vetëm një plan ekonomik do të ndihmonte në përmirësimin  sadopak të situatës.”-tregon Bedinaj per “Faktoje”.

Kjo agjensi nuk është e vetmja që has vështirësi nga situata e krijuar. Shumë biznese po përballen me sfiddën e mbijetesës në këto kushte.

“Duke mos ditur se kur do të rregullohet situata, shumë agjensi turistike  kanë anuluar  udhëtimet  për muajt prill-maj dhe qershor ndërsa për muajt korrik-gusht nuk kemi asnjë të dhënë”- i tha “Faktoje” Florika Rodakaj, drejtore teknike e “Albania Viaggi Tour Operator”.

Ajo shton se efektet e  situatës që po kalojmë do të lenë pasoja edhe gjatë  vitit 2021, nëse organet kompetente nuk ndërmarrin masa. Situata duhet të monitorohet me kujdes, sepse në rast se pas përfundimit të emergjencës ka rritje të çmimeve nga ana e operatorëve turistikë, kjo do të ‘trembë’ turistët e huaj duke e lënë Shqipërinë në një listë pritjeje të vizitave turistike.

Rodakaj  ndërkohë na njohu me një kërkesë zyrtare që një grup operatorësh i kanë drejtuar kryeministrit e disa zyrtarëve të tjerë.

Kërkesa:

Operatorët turistikë kërkojnë një zgjidhje afatgjatë, pra një bashkëpunim midis qeverisë dhe tour operatorëve.  “Turizmi është gjithmonë një sektor në rrezik nga çdo element, si epidemitë, lufta, paqëndrueshmëria politike etj. Nuk mund të mendojmë vetëm në raste të tilla për të”- përfundoi ajo.

Ndikimi i turizmit në ekonominë e vendit

Në vitin 2019 në Shqipëri erdhën 6,4 milionë të huaj dhe autoritetet i konsiderojnë ata turistë. Nëse konsiderojmë shifrën e vitit 2005 ku në vend erdhën vetëm 600-mijë turistë, rritja rezulton të jetë e konsiderueshme.

Vitet e fundit, turizmi është bërë një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Kontributi i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë bashkë me sektorët që varen prej tij, ka një vlerë prej 26,2% dhe mbi 291 mijë persona janë të punësuar në këtë sektor dhe sektorët që varen prej tij. Ajo se çfarë do sjellë koronavirusi për këtë sektor në vështirësi serioze, mbetet ende për t’u parë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img