Naftëtarët e rafinerisë së Ballshit, ku puna është pezulluar prej një viti, nuk po marrin rrogat. Në muajin maj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh në mbledhjen me “Task Forcën për Naftën” se me kompaninë e re “Allum Enterprises” puna do të rifillonte në muajin qershor. Por deri këtë të hënë mes shtatori puna nuk ka nisur ende rafineri. Nga ana tjetër, rezulton se kompanie “Allum Enterprises” ka paraqitur numër kontakti fiktiv në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Lajme të mira janë raportuar edhe nga Kompania ALLUM Enterprises, e cila është rikthyer në Shqipëri dhe synon rifillimin e punës në Rafinerinë e Ballshit, brenda muajit qershor. Përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë konfirmuar se kanë arritur një marrëveshje me Bankers Petroleum për furnizimin me naftë, me një sasi të parë prej 25 mijë ton – thuhej në komunikimin e zyrës së shtypit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë më 28 maj 2020.
Por qershori kaloi dhe puna në Rafinerinë e Ballshit ende nuk ka nisur!
Rreth 800 naftëtarët e Ballshit protestuan për të disatën here për mos fillimin e punës në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës, KPTHN, ku si pasojë vazhdojnë të mbeten pa u paguar prej muajsh.
Ata u mblodhën para dyerve të uzinës, me arsyetimin se nuk kanë pasur asnjë reagim as nga kompania dhe as nga Ministria e Energjitikës, që nuk e mbajtën premtimin për pagat dhe rifillimin e punës.
Janë tallur me ne përgjatë 11 muajve. Kemi 20 paga të prapambetura. Na u premtua se do merrnim një pjesë të tyre brenda javës së shkuar – i tha “Faktojes”, kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj.
“Faktoje”, referuar të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit provoi të kontaktonte në numrin e telefonit të Allum Enterprises.
Në numrin e kontaktit të depozituar nga “Allum Enterprises”, u përgjigj një qytetare e cila u shpreh se nuk kishte lidhje me kompaninë e naftës.
Është e disata herë që më kontaktojnë. Nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë lidhje me kompaninë. Kam marrë vesh se adresa e kompanisë është te “Kullat binjake” dhe do shkoj t’u kërkoj të heqin numrin tim të kontakitit pasi po bëhet problem për mua – i tha “Faktojes” qytetarja.
“Faktoje” provoi të kontaktojë edhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, nga e cila nuk arritëm të merrnim një përgjigje ezauruese mbi arsyet e mosfillimit të punës në rafinerinë e Ballshit.