.

.

BallinaPertejShqipëria vijon të jetë vendi me më pak investime për shëndetësinë në Rajon

Shqipëria vijon të jetë vendi me më pak investime për shëndetësinë në Rajon

Organizata Botërore e Shëndetësisë, më herët paralajmëroi vendet mbi mundësinë e një vale të dytë të “Covid-19”, duke kërkuar nga qeveritë të rrisnin investimet në spitale dhe burime njerëzore. Shqipëria, me gjithë investimet e kryera që nga filllimi i pandemisë, vijon të jetë vendi me kapacitetet me të ulta infrastrukturore spitalore në rajon, si në shtretër ashtu dhe në burime njerëzore.


Kryeministri Edi Rama, në komunikimin publik mbi situatën e Covid-19, më 16 qershor, u shpreh se qeveria do vijojë të jetë në gatishmëri në raport me pandeminë “Covid-19”. Rama argumentoi se po merren të gjitha masat me qëllim përballimin e një vale të dytë të pandemisë duke kërkuar nga qytetarët të respektonin udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gatishmëria jonë vazhdon të rritet në atë front me shtimin e investimeve e të mjeteve në rast se larg qoftë do duhet të përballojmë më të keqen fare, por ama fati i kësaj lufte vendoset nga qytetarët, jo nga bluzat e bardha – u shpreh Rama.

Shqipëria rriti së fundmi me gati 20 për qind numrin e shtretërve spitalorë për të përballuar pandeminë Covid-19. Por, me gjithë investimet, vendi ynë mbetet me kapacitet me të ulta infrastrukturës spitalore në rajon, si në shtretër dhe në burime njerëzore thotë një raport i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Raporti i OECD, që referon burime nga Banka Botërore, nxjerr në pak se Shqipëria ka vetëm 1,2 mjekë për 1000 banorë dhe 3,4 infermierë për 1 mijë banorë.


Raporti i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim

Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm Shqipëria ka më pak burime njerëzore në stafet mjekësore se Rajoni dhe me gjerë.

Instituti iVjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, në një raport të publikuar në fillim të muajit qershor, nxjerr në pah se në Shqipëri, norma e mjekëve të cilët janë larguar nga vendi është e barabartë me 18% të totalit të mjekëve të cilët janë në vendin tonë.

Sipas raportit të Institutit të Vienës, janë 772 mjekët shqiptarë të cilët punojnë jashtë vendit, në një prej vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, ndërkohë që në vitin 2010 kjo shifër ishte257. Në 7 vitet e fundit janë larguar 515 mjekë nga vendi ynë, në rritje me 200%. Gjermania mbetet destinacioni kryesor, dhe gjatë kësaj periudhe kohore largimet për në Gjermani janë 10-fishuar, thotë raporti. Më pas ndjekin: SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Greqia.

Shqipëria jo vetëm që ka numrin më të ulët të burimeve njerëzore, por ka një diferencë të thellë me vendet e Ballkanit dhe Europës Lindore, ku numërohen 2-4 mjekë për 1000 banorë. E njëjta situatë vlen edhe për infermierët dhe për numrin e shtretërve. Shqipëria ofron 2,5 shtretër për 1000 banorë, ndërsa mesatarja rajonale është 4 shtretër lër 1000 banorë.

Sipas OECD që i referohet të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, Shqipëria kishte 310 shtretër për shtrimin në spital të pacientëve me koronavirus para se të ndërtohej spitali Covid 3.

Shqipëria ka kapacitet të ushtrojë 500 teste molekulare për Covid-19 dhe ka 304 respiratorë gjithsej në të gjithë sistemin. Aktualisht në sistemin spitaloj janë të shtruar rreth 90 persona të inefktuar nga koronavirusi, por numri në rritje i rasteve të reja, ka rikthyer frikën për një valë të dytë të pandemisë.

Lexo dhe: Sistemi i “brishtë” shëndetësor shqiptar përballë pandemisë “Covid-19”

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img