ILDA KURTI & AURORA SHPATAJ
Kryeministri Rama, gjatë një interviste deklaroi se Shqipëria, është vendi me papunësinë më të ulët në rajon. Nga një kërkim në raportet zyrtare ndërkombëtare, për nivelin e papunësisë në Ballkan, rrëzohet ky pretendim i kryeministrit. Nga ana tjetër Shqipëria mbetet një vend me nivel të lartë të punësimit në të zezë, një tjetër sektor që u godit rëndë nga pandemia, por për të cilin nuk ka shifra zyrtare për pasojat.
Më datë 3 dhjetor kryeministri Rama në një intervistë për emisionin “Politiko“, deklaroi se Shqipëria është vendi me papunësinë më të ulët në rajon.
“Banka Botërore ka bërë raportin e papunësisë dhe Shqipëria është vendi me papunësinë më të ulët në rajon. Njëmbëdhjetë pikë diçka përqind. Më të ultën në rajonin tonë.”-shprehet Rama gjatë intervistës.
“Faktoje” vendosi të provojë vërtetësinë e deklaratës së kryeministrit Rama. Referuar raporteve të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, vendi me papunësinë më të ulët në rajon rezulton Serbia, ndërsa Shqipëria i paraprin Serbisë, me shifra papunësie pak më të lartë se Serbisë.
Grafiku i marrë nga Banka Botërore
Edhe sipas grafikut ilustrues të Bankës Botërore që kryeministri Rama ka marrë si referencë, Shqipëria renditet e dyta për nivelin e papunësisë në Ballkanin Perëndimor.
“Faktoje” bëri një verifikim të dytë duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Trading Economics mbi shkallën e papunësisë në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Edhe sipas këtij burimi, Serbia paraqet numrin më të ulët të shifrës së papunësisë në rajon, ku tremujori i dytë i këtij viti paraqitet me 7.30%, shifër e cila shkoi në 9.00% përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti.
Ndërkohë, Shqipëria është vendi i dytë me shkallën e papunësisë më të ulët në Ballkanin Perëndimor, ku bazuar në raportin e publikuar në tremujorin e dytë paraqitet me 11.90% dhe tremujori i tretë i këtij viti paraqitet me shifrën 12.50%.
Pasi kontaktuam me eksperten Ornela Liperi, ajo mori si burim Komisionin Europian, i cili llogarit shifrat e papunësisë për vendet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian.
Edhe sipas këtij raporti, Shqipëria del e dyta në renditje, pas Serbisë.
Raporti i Komisionit Europian përgjatë vitit 2020
Sipas këtij raporti, Shqipëria është me një nivel papunësie prej 12.0% , ndërsa Serbia me 10.4%, ose vendi me nivelin më të ulët të papunësisë në Ballkanin Perëndimor. Kosova ka nivelin më të lartë me shifrën 25.7% e ndjekur nga Mali i Zi me 17.3% e më pas Bosnje -Hercegovinë me 15.7%.
Tabela për vendet e rajonit në lidhje me nivelin e papunësisë.
Nisur nga gjetjet e “Faktoje” dhe burimet e sugjeruara nga ekspertët, vendosëm që deklaratën e kryeministrit Rama ta kategorizojmë si të pavërtetë.