Në Konferencën e Donatorëve, në shkurt 2020 Shqipëria përfitoi një angazhim për të asistuar në përmbushjen e nevojave në shumën totale të premtuar prej 1.15 miliard euro, nga të cilat rreth 295 milion euro në grante. Nga analiza e të dhënave dhe raportimeve publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe përgjigjeve të Ministrisë të Rindërtimit, rezuton se Shqipëria ka përthithur rreth 277 milion euro, ose rreth 94% të angazhimeve që iu dhanë në Konferencën e Donatorëve. Ndonëse kjo është vlera e nënshkruar, qeveria shqiptare nuk raporton mbi ecurinë e realizimit të investimeve publike për rindërtimin të mbështetura nga këto grante. Ecuria e realizimit të financimeve me grante nuk raportohet as në raportin e zbatimit të buxhetit faktik në vitin 2020 dhe, as në përgjigje që institucionet i kanë dërguar Faktojes. Monitorimi dhe transparenca mbi realizimin e projekteve të realizuara nga donatorët është e rëndësishme për të ndjekur ecurinë e procesin e reindërtimit dhe kapej së afateve mbi të cilat qeveria shqiptare është angazhuar.
——————————————-
Në Konferencën e Donatorëve, në shkurt 2020 Shqipëria përfitoi një angazhim për të asistuar në përmbushjen e nevojave në shumën totale të premtuar prej 1.15 miliard euro, nga të cilat rreth 295 milion euro në grante dhe rreth 853 milion euro në kredi. Kjo pohohet edhe në raportin e buxhetit faktik për vitin 2020 ku citohet “Në Konferencën e Donatorëve në Bruksel më 17 shkurt 2020 u premtuan 1.15 miliardë Euro fonde për rindërtimin dhe rimëkëmbjen pas tërmetit; ndër të cilat 295.73 milionë Euro ishin grante, 853 milionë Euro hua dhe 3.42 milionë Euro kontribute në natyrë.”
Në po të njëjtin raport citohet se “Deri në dhjetor 2020, 94% e granteve (277 milionë Euro) u finalizuan në marrëveshje konkrete; ndërsa 1.1 milionë Euro grante ishin në proces negocimi. Disa donatorë po i zbatojnë kontributet nëpërmjet sistemeve të tyre; në bashkërendim me qeverinë shqiptare, përfshirë donatorët më të mëdhenj si BE (115 milionë Euro); Emiratet e Bashkuara Arabe (75 milionë USD) dhe Turqia (44.8 milionë Euro). Disa donatorë kanë zgjedhur të përdorin sistemet e shtetit shqiptar, si Gjermania nëpërmjet KfW-së (11 milionë Euro); Zvicra, e cila ka kaluar një pjesë të kontributit të saj prej 9.5 milionë Euro nëpërmjet Fondit të Rindërtimit, si edhe Republika Çeke dhe Sllovakia. Donatorët vendas kanë akorduar 12.2 milionë Euro për rindërtimin, kryesisht nëpërmjet Fondit të Rindërtimit. Sektorët kryesorë që përfitojnë nga grantet e donatorëve ndërkombëtarë janë strehimi (39%); arsimi (35%) dhe infrastruktura publike, përfshirë kulturën (20%)”.
Por sa nga këto projekte janë raportuar dhe si paraqitet realizimi i tyre deri tani në raport me shkallën e përthithjes së financimeve?
Në portalin e rindërtimit nuk raportohen informacione në lidhje me shkallën e përfitimit të granteve në funksion të procesit të rindërtimit, sipas angazhimit në Konferencën e Donatorëve. Në Raportin e Buxhetit Faktik për vitin 2020, të raportuar në Kuvend, nuk jepet informacion se sa nga këto projekte grante nga donatorët janë realizuar dhe të cilat janë përkthyer në investime publike për qytetarët shqiptarë.
Grantet e supozuara të nënshkruara 94% e totalit, rreth 277 milion euro nuk raportohen se sa janë realizuar. Kjo nëse do i referohemi investimeve publike të raportuara nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Sipas bazës së të dhënave deri në Dhjetor 2020 për investimet publike me financim të huaj (ku raportohen ato investime të kryera me burim financimi grante), projektet kryesore të raportuara përfshijnë projekte infrastrukturore si ndërtim rrugësh, furnizim me ujë, ujitje, menaxhim mbetjesh, blerje automjetesh, mbështetje për shëndetësinë, por asnjë projekt për rindërtimin,me burim financimi për grante apo kredi.
Nga Ministria e Rindërtimit, në përgjigjen mbi kërkesën për informacion është referuar se janë negociuar dhe nënshkruar përgjatë muajve në vijim të Konferencës së Donatorëve nga Ministri i Shtetit për Rindërtim marrëveshje granti, për financimin e projekteve konkrete në sektorin e edukimit, strehimit, infrastrukturës publike apo granteve të rikonstruksionit për të cilat janë lidhur marrëveshjet përkatëse ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe donatorëve të huaj si më poshtë.
Vlera totale e granteve të nënshkruara nga Konferenca e Donatorëve sipas tabelës është rreth 277 milion euro.
Në po të njëjtin informacion të përcjellë është referuar se në procesin e rindërtimit janë përfshirë edhe financimet nga organizatat jo-fitimprurëse shqiptare të angazhuara në projekte që zbatohen nga këto donatorë si më poshtë:
Ministria e Rindërtimit në përfundim të kërkesës për informacion për Faktoje është shprehur se e gjithë shuma e granteve dhe kredive është angazhuar në projekte që zbatohen nga donatorët dhe që pjesa tjetër e donatorëve i kanë kanalizuar fondet drejtpërsëdrejti si transferta buxhetore.
Nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në përgjigjen drejtuar kërkesës për informacion, nuk u dha informacion për listën e granteve aktive dhe realizimin faktik të disbursimeve, por u referua vetëm lista e granteve të premtuara gjatë Konferencës së Donatorëve si më poshtë:
Pra edhe në këtë përgjigje, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk jepet informacion mbi realizimin faktik për vitin 2020 dhe 8 mujorin e vitit 2021 sipas kërkesës, as për fondet që zbatohen nga donatorët dhe as për fondet që janë kanalizuar drejtpërsëdrejti si transfertë buxhetore dhe si janë përdorur këto fonde më pas.