Mbi 125 mijë të porsalindur kanë përfituar bonusin e bebes që prej hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama shprehet se nuk është ndalur në asnjë moment mbështetja për familjet e reja. Por, ajo që vihet re nga të dhënat zyrtare është se shqiptarët po “mjaftohen” me 1 ose 2 fëmijë, pasi numri i përfituesve të 120 mijë lekëve është më i ulët.
———————————————————————-
“Nuk e kemi ndalur për asnjë moment mbështetjen për familjet e reja që gëzohen me fëmijë. Nga Janari 2019, kur nisi programi universal i qeverisë, 121,955 të porsalindur kanë përfituar bonusin e bebes: 40,000 lekë për fëmijën e parë; 80,000 lekë për fëmijën e dytë; 120,000 lekë për fëmijën e tretë”, shkroi kryeministri Edi Rama në Facebook më 26 mars.
Postimi i Ramës në Facebook, 26 mars 2022
Në lidhje me këtë çështje dhe për të mësuar se sa bebe kishin marrë shpërblimet e përcaktuara, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 28 mars. Pyetjet lidheshin me numrin e fëmijëve përfitues gjatë periudhës së përmendur nga kryeministri Rama.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, 28 mars 2022
Në lidhje me këtë çështje, Ministria e Shëndetësisë e delegon përgjegjësinë te Shërbimi Social Shtetëror, por ky i fundit njofton zyrtarisht se ata zotërojnë shifra vetëm për spitalet private dhe foshnjet e lindura jashtë vendit.
Në 5 maj morëm një përgjigje nga Shërbimi Social Shtetëror, ku na bëhen të ditura vetëm shifrat për foshnjat e lindura në spitalet private dhe ato jashtë vendit.
“Informacioni që ne disponojmë i përket periudhës që nga prilli 2019 deri në mars 2022. Ju kujtojmë se Shërbimi Social Shtetëror shpërndan bonusin e bebes për fëmijët e lindur jashtë vendit dhe në spitalet private brenda Republikës së Shqipërisë”, sqaron zyrtarisht SHSSH.
Nga të dhënat vihet re se në periudhën prill 2019-mars 2022 e kanë përfituar çekun e bebes 39.698 foshnje të lindura në spitalet private dhe ato jashtë shtetit. Sipas të dhënavë të SHSSH, numri më i madh i përfituesve është i shumës 80 mijë lekë me 17.078 foshnja. Pra bëhet fjalë për prindër që kanë sjellë në jetë fëmijën e tyre të dytë.
Përgjigjia e Shërbimit Social Shtetëror, 5 maj 2022
Ne iu drejtuam sërish me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 9 maj, ku dërguam të njëjtat pyetje. Duke qenë se nuk morëm një përgjigje nga ky institucion dhe në tejkalim të afateve ligjore, e ankimuam në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.
Kërkesa për informacion dërguar MSH, 9 maj 2022
Pas më shumë se një muaji nga kërkesa e dytë për informacion, morëm një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më 16 qershor.
“Prej datës 1 janar 2019 deri më datë 31 mars 2022, bazuar në Vendimin Nr. 288, datë 10.4.2020 të Këshillit të Ministrave ‘Për përcaktimin e masës dhe të procedurës së dhënies së ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura dhe mënyrën e bashkëpunimit, ndërmjet institucioneve të shërbimit spitalor dhe atyre të gjendjes civile’, bonusin e bebes e kanë përfituar në total 125,325 të porsalindur në spitale publike, private dhe jashtë vendit”, thekson Ministria e Shëndetësisë e cila më tej sqaron:
“Përfitues të 40 mijë lekëve për periudhën Janar 2019 – Mars 2022 janë 47,380 të porsalindur. Përfitues të 80 mijë lekëve për periudhën Janar 2019 – Mars 2022 janë 48,986 të porsalindur. Përfitues të 120 mijë lekëve për periudhën Janar 2019 – Mars 2022 janë 25,404 të porsalindur”.
Nga të dhënat shihet se numri më i madh i përfituesve është me 80 mijë lekë, pra prindër me fëmijë të dytë. Ndërkohë, vihet re se ka një numër të ulët të përfituesve me 120 mijë lekë, çka tregon që shqiptarët po tkurrin lindjet.
Faktoje bisedoi edhe më një nënë, e cila së fundmi ka sjellë në jetë fëmijën e saj të tretë. 32-vjeçarja D.S. tregon se ajo e mori në kohë bonusin e bebes.
“Pasi linda fëmijën, im shoq, me kartat tona të identitetit bëri regjistrimin e fëmijës në zyrën që është enkas për këtë punë në maternitet dhe na dorëzuan çekun prej 120 mijë lekësh. Gjithashtu më dhanë edhe një shportë me produkte për bebin”, shprehet nëna e 3 fëmijëve.