.

.

BallinaFaktometerPa kategoriShpërblimi i fundvitit për familjet me ndihmë ekonomike në Has

Shpërblimi i fundvitit për familjet me ndihmë ekonomike në Has

ANDI BORA

Ndryshe nga një pjesë e familjeve në vendin tonë që trajtohen me ndihmë ekonomike, për të cilët u lëvrua një fond shtesë për shpërblimin e fundvitit që lamë pas, për të njëjtën kategori familjesh në Has, ky shpërblim nuk është marrë.

Kështu deklaroi më herët këshilltari i Partisë Demokratike në Bashkinë Has, Miftar Dauti, nëpërmjet një statusi te publikuar në rrjetin social Facebook.

Të njëjtin shpjegim ashtu si në status, z.Dauti e dha edhe gjatë intervistës telefonike që patëm me të.

Për të verifikuar deklaratën e dhënë nga z.Dauti, “Faktoje” komunikoi edhe me Përgjegjësin e Sektorit të Ndihmës Ekonomike, Shani Kastrati, i cili tha se shpërblimi për fundvitin është dhënë. Ndërkohë ndihma ekonomike për muajt nëntor-dhjetor nuk është dhënë e plotë. Kjo, pasi fondi i miratuar për familjet që trajtohen me këtë ndihmë, bashkisë i është lëvruar në masën 90%, pra me diferencën 10%, e cila sipas tij, ka reflektuar edhe në shpërndarjen e ndihmës ekonomike.

Me anë të një shkrese zyrtare dërguar nga “Faktoje” Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në përgjigjen e ardhur, rezulton se fondi i akorduar për Bashkinë Has për vitin 2017-ë, është në vlerën e 112.8 milionë lekëve, shumë e cila iu është shpërndarë 2005 familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Në vazhdim të përgjigjes, thuhet se nevoja për të trajtuar të gjitha këto familje me ndihmë ekonomike, ka qenë 114.3 milionë lekë.

E llogaritur në përqindje, diferenca e cila nuk i është akorduar Bashkisë Has, për vitin 2017-ë, është vetëm 1.3%, ndërsa e përkthyer në vlerë monetare është 1.46 milionë lekë, pra jo 10 %, ashtu siç deklaroi edhe Përgjegjësi i Sektorit të Ndihmës Ekonomike.

Por me anë të një komunikimi të dytë me z.Kastrati, ai shpjegoi së për periudhën nëntor-dhjetor, ka pasur buxhet të mbetur nga muajt e tjerë pasardhës, por që nuk ka qenë i mjaftueshëm.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shuma prej 1.46 milionë lekëve, i është shtuar fondit të miratuar për Bashkinë Has, i cili është çelur për periudhën janar-shkurt 2018-ë, duke e çuar vlerën nga 25.5 milionë lekë, në 27.1 milionë lekë.

Po sipas kësaj Ministrie, në përgjigjen e saj, shpjegohet edhe mënyra sesi akordohen fondet: “Bazuar në legjislacionin për Ndihmën Ekonomike (NE), fondet akordohen për muajt Janar-Shkurt bazuar në kërkesat e bëra nga vetë bashkitë ndërsa për 2 mujorët e tjerë të vitit akordimi kryhet bazuar në të dhënat statistikore të 2 mujorëve paraardhës pra, Shkurt Mars 2017 janë çelur me të dhënat statistikore Nëntor Dhjetor 2016, e kështu në vazhdim”.

Por, sipas një komunikimi tjetër që patëm me z.Kastrati, Përgjegjësin e Sektorit të Ndihmës Ekonomike, ky fond nuk është akorduar për periudhën Janar-Shkurt.

Si rrjedhojë, kjo deklaratë është e paverifikueshme dhe shkrimi është i pakategorizueshëm.

Për periudhën Nëntor-Dhjetor, familjet që janë trajtuar me ndihmë ekonomikë kanë qenë 1977.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img