.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriShkollat e rindërtuara me standarde nuk po i ndalin largimet masive, boshatisen klasat në Kurbin

Shkollat e rindërtuara me standarde nuk po i ndalin largimet masive, boshatisen klasat në Kurbin

Ilda Hoxha & Patris Pustina 

Pas një procesi të vonuar për rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga tërmeti 2019, shkollat po përballen me mungesë të nxënësve. Ikja në masë e njerëzve nga Shqipëria drejt vendeve të Europës, për një jetë më të mirë po boshatis edhe institucionet arsimore. Gjatë një verifikimi, Faktoje konstatoi se në zonën e Kurbinit shkollat po rrezikojnë të kthejnë klasat kolektive, sepse këtë vit janë larguar shumë të rinj. Ekspertët dhe shifrat zyrtare tregojnë qartë se ka një rënie të konsiderueshme të numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar.

—————————————————————————————-

“Pa godinat, pa pajisjet, pa kushtet, është e pamundur të pretendosh të kesh arsim të një cilësie tjetër”, deklaroi kryeministri Edi Rama më 2 nëntor.

Mirëpo, teksa është investuar në shkolla të reja dhe pajisje, drejtuesit e institucioneve arsimore janë të shqetësuar për mungesën e nxënësve. Faktoje ishte në Kurbin në fund të muajit shtator, për të parë nga afër si po ecte procesi mësmor në shkollat e rindërtuara. Një prej objekteve arsimore të rëndësishme të zonës së Kurbinit është shkolla “Demokracia”. Një godinë e re, e rindëruar pas dëmtimit nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019, por që sot përballet me një tjetër problem, mungesën e nxënësve.

Drejtuesit e kësaj shkolle i thanë Faktoje se për shkak të mungesës së nxënësve po rrezikohet mbyllja e klasave dhe rikthimi i klasave kolektive. Më tej, drejtuesit bënë të ditur se shkolla ka një kapacitet prej 200 nxënësish, por aktualisht e frekuentojnë thuajse gjysma e tyre. Ndërkohë, në klasën e parë këtë vit ishin vetëm 4 nxënës.

“Po rrezikohet mbyllja e klasave dhe bashkimi i tyre në klasa kolektive. Ka 4-5 vite që ka nisur të ndihet ky emigracion, por sivjet kanë ikur më shumë se kurrë më parë”, thanë drejtuesit e shkollës “Demokracia”.

Shkolla “Demokracia” në Kurbin, shtator 2022

Fenomeni i largimit të të rinjve ndihej edhe në shkollën 9-vjeçare “Gjokë Elezi”. Burime nga kjo shkollë i thanë Faktoje se ka një rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve krahasuar me një dekadë më parë.

“Në vitin 2012 kishim rreth 700 nxënës, ndërsa sot kemi rreth 470. Ndihet shumë që po largohen, sepse çdo vit shihet që kemi ulje të numrit të tyre”, thanë punonjës të shkollës.

Shkolla 9-vjeçare “Gjokë Elezi” në Kurbin, 22 shtator 2022

Për shkak të numrit të ulët të nxënësve, shkolla 9-vjeçare “Cub Capani” në Kurbin funksionin me klasa kolektive. Në këtë shkollë janë 91 fëmijë që zhvillojnë procesin mësimor në klasa kolektive.

Shkolla 9-vjeçare “Cub Çapani” në Kurbin 22 shtator 2022

Rënia e numrit të nxënësve në shkolla konfirmohet për Faktoje edhe nga kreu i Sindikatës së Arsimit, Isa Halili. “Rënia e numrit të nxënësve në arsimin parauniversitar, këtë vit është shumë e madhe”, thotë Halili.

Në një artikull të publikuar më 16 shtator të këtij viti, revista “Monitor” raportonte se numri i nxënësve në arsimin parauniversitar kishte rënë me 37% nga viti 2010 në 2022.

Më 27 tetor, SCAN raportoi se fenomeni i migrimit dhe rënia e lindshmërisë ka bërë që shumë shkolla në zonat rurale të mos kenë nxënës. Në këtë kontekst, qeveria po planifikon që të rikthejë një koncept ndryshe, duke riorganizuar shkollat e duke shtuar “Shkollat e Bashkuara”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img