Pretendimi: Tronditet Turqia nga vrasja e Erdoganit
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Në fund-qershor 2026, në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullojnë një numër postimesh me titullin: “Tronditet Turqia, vritet Erdogan”. Postimet shoqërohen me çfarë duken si pamje nga kamera sigurie dhe një foto e disa agjentëve të forcave speciale të veshur me kamuflazh, dhe ftojnë lexuesin të klikojë në lidhjen në komente për të mësuar më shumë detaje.

Megjthëse postimet e mësipërme japin përshtypjen se Turqia është tronditur nga vrasja e presidentit të saj prej 12-vitesh, Rexhep Tayip Erdogan, lexuesi që klikon lidhjen e referuar në komente për të mësuar më shumë do të zhgënjehet kur të shohë se artikulli nuk flet për presidentin Erdogan, por një burrë nga Stambolli të quajtur Emir Erdogan, i cili pretendohet se është vrarë.

Dukshëm, titujt e mësipërm kanë për qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve nga lexuesit kureshtarë që duan të mësojnë më shumë për fatin e presidentit të një shteti.
Ndërkaq, as historia që tregon artikulli, i cili nuk referon asnjë burim, nuk është e vërtetë.
Nga një kërkim me emra dhe fjalë kyçe nuk rezulton asnjë Emir Erdogan të jetë vrarë në Stamboll, as ndonjë “komisar Arda Yilmaz.”
Pamjet që shoqërojnë postimin janë marrë nga ngjarje që nuk kanë lidhje me historinë e trilluar. Pamjet nga kamerat e sigurisë janë nga një vrasje në vitin 2025, ndërsa pamjet e forcave speciale tregojnë një operacion të policisë turke në 2023, kur u kap koka e një karteli droge, Dritan Rexhepi.







