Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës Benet Beci, premtoi investim të menjëhershëm në tregun kryesor të qytetit, në lagjen Rus. Verifikimet e Faktoje tregojnë se Bashkia ka siguruar financimin e projektit 36 milionë lekë dhe aktualisht është në proces tenderimi.
Esmeralda Topi
Tregu kryesor i Shkodrës, në lagjen Rus, ku tregtohen fruta-perime, peshk dhe mish vazhdon të jetë në kushte skandaloze. Markata e ndërtuar vetëm tre vite më parë ka degraduar.
Investimi në këtë treg ishte një nga premtimet kryesore elektorale në zgjedhjet e 14 majit.
Teksa synonte mandatin e tij të parë në krye të Bashkisë Shkodër, kandidati socialist Benet Beci u premtoi tregtarëve të lagjes Rus investim të menjëhershëm në markatën e rrënuar.
“Kjo zonë tregtare ka nevojë për kualifikim dhe investim të menjëhershëm. Duhen plotësuar kërkesat e tregtarëve, por dhe të blerësve, në mënyrë që të kenë kushte higjieno-sanitare dhe të denja për ta kryer veprimtarinë tregtare në këtë zonë.”, premtoi Beci më 18 shkurt 2023, teksa takoi tregtarët në lagjen Rus.
Nga ana tjetër, në kulmin e fushatës elektorale, Bashkia e Shkodrës që drejtohej nga demokrati Bardh Spahia, ndau projektin 3D të ndërhyrjes në merkaton e Rusit.
“Tashmë projekti i përfunduar dhe gati për t’u zbatuar, parashikon transformimin e plotë të këtij tregu, duke i dhënë zgjidhje problematikës së mbulesës dhe kushteve të tregtimit, duke rritur edhe më tej standardet.”, shkruhej në postimin e Bashkisë Shkodër më 21 mars.
Por garën e 14 majit e fitoi bindshëm Benet Beci duke u votbesuar nga 34,531 shkodranë. Kjo ishte hera e parë që socialistët fituan këtë bashki, që njihet si bastion i demokratëve prej vitit 1991, kur në Shqipëri u vendos pluralizmi politik.
Investim i menjëhershëm?!
Që nga 19 qershori kur Benet Beci mori zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut të Shkodrës kanë kaluar gjashtë muaj. Për të mësuar mbi fatin e projektit të tregut në lagjen Rus, në muajin shtator Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Shkodër.
Në përgjigjen zyrtare, Bashkia e Shkodrës pohoi se kishte siguruar financimin prej 36,622,584 lekësh për rikualifikimin e merkatos në lagjen Rus nga Agjencia për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor. Nga vlera totale e projektit, 7,466,773 lekë do të mbulohen nga buxheti i Bashkisë Shkodër.
“Nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural është transferuar fondi në vlerën 29,155,811 lekë bashkisë Shkodër.”, pohoi për Faktoje Bashkia e Shkodrës.
Fondi është miratuar nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, si dhe ka marrë konfirmimin e Prefektit teksa siç thotë edhe vet Bashkia:
“Ky projekt është në procedurat e tenderimit.”
Në tregun e lagjes Rus zhvillojnë aktivitetinb 52 tregtarë. Pasi të nisë zbatimi i projektit, bashkia planifikon t’i transferojë përkohësisht tregtarët në një zonë aty pranë.
“Tregtarët aktualë që shesin në tregun e Rusit në momentin e fillimit të zbatimit do të transferohen në një pronë pranë tregut, për të tregtuar aty për një kohë provizore deri në përfundimin e ndërtimit të mbulesës dhe stendave të reja.”
‘Fjala me ken vepër’
Dy muaj pas përgjigjes nga Bashkia, Faktoje udhëtoi drejt Shkodrës për të verifikuar se në çfarë faze ndodhej projekti në fjalë. Më 13 nëntor, në tregun e fruta-perimeve në Rus asgjë nuk kishte ndryshuar.
Që në hyrje të tregut binte në sy peshku që shitej në tokë, në mungesë të kushteve higjieno-sanitare. Arka me peshk e ngjala kundërmonin erë.
Edhe në brendësi të tregut pamja ishte po aq e mjerueshme sa në hyrje ku dalloheshin edhe tenda te improvizuara me qese dhe batanije të vjetra.
Skënder Muçejanin e gjetëm duke tregtuar patate dhe qepë në një nga tezgat e tregut Rus.
“Këtë javë na kanë thënë që do fillojnë me investimin.”, tregon ai, teksa shton me ton qortues: “Fjala me ken vepër, se nuk vazhdohet kështu. Sa më shpejt më e bë, kush s’e do të mirën?!”
Në një tjetër tezgë, takuam nënë Fatimen që nuk i ndante shtizat nga duart. Edhe ajo kishte dëgjuar për rregullimin e tregut.
“Kam tre vjet që shes bashkë me djalin. Unë jam 80 vjeç, kur bie shi dhe është ftohtë nuk dal. Po sot që është kohë e mirë, ja ku jam. Kena dëgju që do rregullohet së shpejti”, pohon ajo.
Mario Çurçija, pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër vlerëson impaktin ekonomik që duhet të kenë investime të tilla vendore.
“Përfitueshmëria e investimit varet nga ndikimi që investimi publik ka në cilësinë e jetës së banorëve dhe ndikimi ekonomik te bizneset private. Nga pikëpamja e pastër ekonomike, madhësia e ndikimit mbi bizneset është diferenca në të ardhurat e bizneseve në periudhën pas investimit me të ardhurat para investimit. Kjo shumë e diferencave duhet të matet në një periudhë të gjatë, të paktën për pesë vite.”, argumenton Çurçija për Faktoje.
Përfundim
Gjatë këtij viti Faktoje ka bërë disa verifikime lidhur me kushtet e tregtimit në markatën e lagjes Rus. Nisur nga këto të dhëna dhe nga verifikimi në terren, premtimin elektoral të kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për investim të menjëhershëm në tregun Rus, e vlerësojmë si pjesërisht të mbajtur.
*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.