ANILA DUSHI
I treti në renditje si qarku me përhapjen më të madhe të Covid-19, në Shkodër vërehet mosrespektim në masë të gjerë i rregullave anti-Covid. Raportet zyrtare tregojnë për 7 biznese të gjobitur gjatë periudhës korrik-gusht dhe vetëm 3 qytetarë për mungesë të maskës në mjedise të mbyllura. Por nga vëzhgimi në terren dhe biseda me mjekët, rezulton mosrespektimi në masë të gjerë i protokollit. Ndërkohë sociologia vëren se aty ku nuk funksionon ndërgjegjja, duhet të veprojë ligji.
Covid-19 në Shkodër ka shënuar rritje gjatë periudhës qershor-gusht, ndërsa shtatori, nuk duket aspak premtues për përmirësim të situatës. Shkodra si qark renditet e treta për numrin e të prekurve me Covid-19. Deri më 2 shtator, sipas të dhënave zyrtare të prefekturës Shkodër ka 593 të prekur, ndër të cilët 548 i përkasin bashkisë Shkodër dhe 45 bashkisë së Vaut të Dejës.
Raportimi ditor nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, Shkodër
Mjekët epidemiologë e konsiderojnë kritike situatën dhe shprehen se gjurmueshmëria e rasteve me Covid-19 po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ata apelojnë që të gjithë të prekurit apo ata që shfaqin simptomat e virusit, të qëndrojnë në banesa dhe të shmangin kontaktet me personat e tjerë. Ata që lëvizin, duhet të respektojnë rregullat mbrojtëse dhe parandaluese, gjë që në këtë periudhë po lihet pasdore. Në rrugët e Shkodrës, lokale apo mjedise tregtare shihen shumë pak ose aspak përdorues të maskave, ndërsa distancimi social pothuajse nuk respektohet fare. Nga rastet e reja me Covid-19, siç raportojnë nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, një pjesë janë kontakte të të sëmurëve të mëparshëm, por ka dhe vatra të reja në lagjet Parrucë, Perash, Dërgut, Rus, Dobraç etj.
Drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Lindita Haxhia thotë:
“E prisnim të kishte shtim të të prekurve nga Covid-19, për shkak të lirimit të masave të mëparshme, por shqetësues është fakti që rritja është e lartë. Pas tre muajsh sacrifice, duke kufizuar lëvizjet dhe një periudhe kur numri i të prekurve në Shkodër ishte i ulët dhe kishte ditë që nuk paraqitej asnjë rast, aktualisht kemi situatë kritike. Është një rritje e pakuptimtë dhe shqetësuese, që do thotë se situata ka dalë jashtë kontrolit nga ana e qytetarëve. Nuk ka respektim të masave mbrojtëse, as distancimi social që është më i lehtë, ka rënie të ndjeshme ndërgjegjësimi dhe janë harruar të gjitha masat e domosdoshme për t’u ruajtur!”
Lindita Haxhia, Drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor
Rënia e vigjilencës dhe mosrespektimi i rregullave të domosdoshme për këtë situatë, ka bërë që rastet me Covid-19 të shfaqen edhe nëpër institucione apo ndërmarrje private. Ndaj drejtuesja e NjVKSh, Haxhia bën thirrje për kujdes nga qytetarët dhe zbatim me përpikmëri të rregullave të domosdoshme.
Përveç masave mbrojtëse personale, mjekët apelojnë edhe për dezinfektimin e vazhdueshëm të mjediseve të punës nga subjektet.
Astrit Beci, Drejtor Rajonal i Operatorit të Kujdesit Shëndetësor
Mjeku Astrit Beci, Drejtor Rajonal i Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, shprehet se situata në Shkodër, ku ka pasur 37 viktima nga Covid-i, është problematike. Virusi ka prekur dhe personelin shëndetësor.
“Sado e madhe të jetë puna e bluzave të bardha, duhet ndërgjegjësim i komunitetit për masat mbrojtëse.Vërehen grumbullime në ceremoni festive apo mortore, të rinj nëpër evente të ndryshme, ku nuk zbatohen këto masa. Kjo është shumë shqetësuese. Duhet një angazhim më i madh i strukturave shtetërore në drejtim të zbatueshmërisë ligjore ndaj grumbullimeve të njerëzve.” -thotë Beci.
Nga vëzhgimi i situatës në Shkodër, vërehen grumbullime në mjedise publike, parqe e lokale, pa mbajtur distancë dhe pa maska. Po kështu në njësitë tregtare, jo të gjithë punonjësit mbajnë maska apo doreza, ndërsa klientët thuajse nuk i mbajnë fare.
Sipas të dhënave zyrtare, në muajt korrik e gusht nga task–forca e ngritur për kontrollin e respektimit të masave anti-Covid, janë ushtruar 2256 inspektime në subjekte. Janë vendosur 7 masa administrative me nga 100.000 lekë në 2 restorante, 1 njësi lëndë ndërtimi pa xham mbrojtës, 1 njësi tregtimi për enë kuzhine dhe 2 byrektore. Po kështu janë gjobitur me nga 2000 lekë, tre shtetas që nuk mbanin maska në mjedise të mbyllura.
Sipas Drejtoreshës së Inspektoriatit Shëndetësor në Shkodër, Arsida Tyli, çdo ditë struktura e përbashkët është në terren për të ushtruar kontrolle në gjithë territorin që mbulon.
Arsida Tyli, Drejtoresha e Inspektoriatit Shëndetësor në Shkodër
“Para fillimit të pandemisë, nuk kishim objekt kontrolli tek të gjitha subjektet, por me shfaqjen e Covid-19 është shtuar objekti i kontrollit dhe jemi pjesë e strukturës së task–forcës së ngritur për këtë qëllim. Pritet të shtohen punonjësit e angazhuar për këto inspektime.”- thotë Tyli.
Sekretarja e Përgjithshme e Prefekturës së Qarkut Shkodër, Felek Kasemi pranon se situata është problematike, sidomos po t’i referohesh shifrave zyrtare të të prekurve me Covid-19.
“Mungesa e ndërgjegjësimit nga vetë qytetarët që po i nënvlerësojnë masat mbrojtëse, është shkaku kryesor i përhapjes. Është i domosdoshëm shtimi i kontrolleve në terren edhe pse ato bëhen çdo ditë nga struktura e përbashkët e ngritur për këtë qëllim sipas ligjit përkatës. Policia e ka të pamundur të ndërhyjë tek qytetarët që nuk vendosin maska në ambjente të mbyllura ose që grumbullohen duke mos ruajtur distancën!”- thotë Kasemi.
Qytetarë shkodranë, të pyetur për “Faktoje” shprehen se edhe kur ato i zbatojnë masat mbrojtëse, vërejnë se në shumë subjekte, sidomos në njësi tregtare, furra buke etj. këto masa neglizhohen.
Qamil Xhema tregon se përdor maskën kur del dhe kur hyn në dyqan, por aty përballet me mosrespektim të rregullave mbrojtëse nga të tjerët.
“Në marketin e lagjes time, që pas lirimit të masave shtrënguese, asnjë punonjës nuk ka as maskë, as doreza. Në tregun e fruta-perimeve, tregtarët qëndrojnë ngjitur me njëri-tjetrin e po ashtu edhe blerësit. Infeksioni është i pranishëm dhe kemi çdo ditë raste në Shkodër, por shteti duhet të ndërhyjë, pasi nuk po vepron edhe aty ku duket hapur moszbatimi i masave anti-Covid.”- thotë Xhema.
Altin Ftoni, një tjetër qytetar tregon:
“Një i afërm i imi është i punësuar në një dyqan, në pedonalen kryesore të qytetit. Ai ha drekë në një lokal pranë vendit të punës, që ofron gatime shtëpie me çmime të arsyeshme. Kuzhinierja e këtij lokali kishte qenë e prekur me Covid-19, por vazhdonte të punonte pasi nuk kishte simptoma të rënda. I afërmi im shfaqi shenja dhe pasi bëri tamponin doli pozitiv. Ai ishte ruajtur maksimalisht duke zbatuar rregullat higjienike. Pas tre javësh mjekim, ai arriti të shërohej dhe atëherë mësoi se kuzhinierja kishte qenë e infektuar gjatë ditëve që ai konsumonte ushqim aty. Si ai mund të jenë infektuar dhe të tjerë!”-thotë i shqetësuar qytetari për “Faktoje”.
Lidhur me këtë rast, drejtorja e ISH Arsida Tyli shprehet se ato kontrollojnë respektimin e masave të protokollit nga lokalet dhe subjektet dhe nuk bëjnë analiza të personelit.
Një shqetësim tjetër i qytetarve lidhet me mungesën e respektimit të masave në furrat e bukës.
Vasfije Sherifi, banore në lagjen “Tre Heronjtë” tregon se në katër furra buke që ndodhen në lagjen e saj, shërben vetëm nga një punonjëse.
“Ajo merr lekët që janë burim infeksioni dhe po me ato duar prek bukën që e fut në qese. Po buka nuk lahet dot, ndryshe janë frutat e perimet, mishi e peshku, që lahen e gatuhen. Në furrat e bukës duhet të jetë një person i veçantë që të marrë lekët dhe tjetri të japë bukën.”- sugjeron Sherifi.
Shitësit ambulantë të produkteve ushqimore të gatshme që punojnë në rrugë përbëjnë sërish një mundësi për përhapjen e virusit. Ata që shesin qofte, petulla etj. nuk janë objekt i kontrollit nga task-forca. Sipas shpjegimit nga drejtues të Inspektoriatit Shëndetësor, ato inspektojnë vetëm njësitë e pajisura me nipt. Por qytetarët e sidomos fëmijët, i konsumojnë shpesh këto produkte që përbëjnë rrezik potencial.
Mosrespektimi i rregullave parandaluese kundër pandemisë nga ana e qytetarëve, në këndvështrimin e sociologes Rajmonda Draçini, ka këtë shpjegim:
“Kjo ndodh, sepse një pjesë e qytetarëve nuk besojnë tek prania e Covid-19, e kanë marrë lehtë, ndërsa ata që besojnë, janë më të pakët dhe kanë bindje se është një grip i zakonshëm që kalon. Përderisa mungon ndërgjegjësimi duhet të ketë më shumë ndëshkime me masa administrative. Mospërdorimi i detyrueshëm i maskës në mjedise të mbyllura, apo grumbullimet pa ruajtjen e distancës së nevojshme, duhet të shoqërohen me mbyllje të atyre institucioneve apo njësive të shërbimit që nuk i zbatojnë këto masa. Duket se dhe gjobat tek bizneset nuk po japin rezultat. Duhen ashpërsuar masat ndëshkimore dhe po kështu të rritet ndërgjegjësimi. Aty ku nuk vepron ndërgjegjja, duhet të veprojë ligji!”