Pretendimi: Kjo video tregon një sherr që ka ndodhur në qershor 2025 në Vlorë
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————-
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullojnë pamje nga një video që pretendohet se tregon një “incident [të] pazakontë [që] ka ndodhur në ujërat e Vlorës.”
Video tregon një zënkë fizike mes disa grave dhe familjarëve të tyre në mes të detit.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet e mësipërme qarkullojnë në rrjete të paktën që nga viti 2021.
Në Gusht 2021, një portal italian pretendonte se video ishte xhiruar në një plazh italian, ndërsa një portalet ukrainas pretendonin se pushuesit që ziheshin ishin ateistë dhe besimtarë në Langeron, Odessa.
Në qershor 2022, një portal në gjuhën maqedonase botoi pamjet duke i vendosur ato në Paralia, në Greqinë veriore.
Megjithëse burime të ndryshme kanë pretenduar se video është xhiruar në vende të ndryshme, versioni i saj më i hershëm është botuar në kanalin e Telegram, @xydessa, një kanal dedikuar “lajmeve nga Odessa dhe rajoni.”
Në versionet e hershme të videos, dëgjohet se personat në të flasin një gjuhë sllave.
Si përfundim, video e mësipërme me gjasa tregon një zënkë në një plazh të Odessa në Ukrainë në gusht 2021. Ç’është e sigurt është se video nuk është filmuar në Vlorë në 2025.