Pretendimi: Qeveria e Kosovës i ka 10 ditë kohë për të shpallur non- grata Alex Soros dhe George Soros. Në të kundërten, trupat amerikane do të tërhiqen nga “Bondsteel”.

Verdikti: E pavërtetë

——————————————–

Në fillim të shkurtit 2025, në rrjete sociale qarkulloi pretendimi se qeveria e Kosovës kishte marrë një ultimatum nga ShBA për të shpallur non-grata miliarderin George Soros dhe të birin. Në të kundërt, trupat amerikane do të tërhiqeshin nga baza ushtarake “Bondsteel”, ShBA do të mbyllte ambasadën në Kosovë, dhe do të bllokonte gjithë fondet për Kosovën.

Me gjasa frymëzuar nga një sërë veprimesh të papritura nga administrata e sapoardhur e Donald Trump, përdoruesi nuk ndjen nevojën për të ofruar ndonjë provë apo burim për këtë pretendim të jashtëzakonshëm.

Megjithatë, gati një muaj më pas, dhe 20 ditë nga përfundimi i ultimatumit të pretenduar, qeveria e Kosovës nuk ka njoftuar as ndonjë ultimatum, aq më pak ndonjë shpallje non-grata të Soros.

Ambasada amerikane në Kosovë, gjithashtu, nuk ka njoftuar ndonjë ultimatum, aq më pak tërheqjen e misionit diplomatik nga Prishtina. Sipas postimit më të fundit të ambasadës në platformën X, më 10 mars, zëvendës-shefja e ambasadës, Anu Pratipati, ishte në Prishtinë dhe vizitoi Muzeun e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës.

Ushtria amerikane ka rreth 600 trupa në kampin Bondsteel, i cili gjendet pranë Ferizajt dhe është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan. Në fillim të marsit 2025, Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha për Radion Evropa e Lirë se, për momentin, “nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.

Lajme se amerikanët do të tërhiqen nga Bondsteel si presion ndaj qeverisë kosovare kanë qarkulluar ndër vite në Kosovë. Në 2022, kolegët e Kallxo përgënjeshtruan një lajm të ngjashëm. Në 2019 qarkulloi lajmi se amerikanët do të tërhiqeshin nga Bondsteel nëse nuk tërhiqej taksa 100% e vendosur në atë kohë nga Qeveria Haradinaj.