Pretendimi: Victoria Nuland, nën-Sekretarja amerikane e Shtetit, pranon se ShBA ka laboratorë të bioarmëve në Ukrainë.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Një video e nën-Sekretares së Shtetit së ShBA, Victoria Nuland, po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se, në të, ajo pranon ekzistencën e laboratorëve të armëve biologjike në Ukrainë.

Në videon 16-sekondëshe, Nuland dëgjohet të thotë: “Ne po punojmë me ukrainasit lidhur me si ato mund të parandalojnë rënien e materialeve kërkimore në duart e forcave ruse.”

Ajo nuk dëgjohet të flasë për laboratorë të armëve biologjike.

Faktoje gjeti se klipi i mësipërm është shkëputur nga një dëshmi e Nuland përpara komisionit të Lidhjeve me Jashtë në senatin amerikan, më 8 mars 2022.

Pyetur nga senator Marco Rubio nëse Ukraina ka armë biologjike apo kimike, Nuland përgjigjet:

“Ukraina ka laboratorë kërkimorë biologjikë, të cilët ne në fakt jemi të shqetësuar tani se forcat ruse mund të kërkojnë t’i marrin nën kontroll. Kështu, po punojmë me ukrainasit lidhur me se si ato mund të parandalojnë rënien e materialeve kërkimore në duart e forcave ruse nëse ato afrohen.”

Në një dëgjesë me senatin, më 10 mars 2022, Drejtorja e Inteligjencës Kombëtare amerikane Avril Haines sqaroi deklaratën e Nuland, duke shpjeguar se laboratorët biologjikë në përgjithësi, përfshi ato nëpër shkolla dhe universitete, “të gjitha kanë pajisje, ose patogjenë, ose gjëra të tjera rreth të cilave duhet të kesh kufizime sepse duhet të sigurohesh që po trajtohen dhe përdoren siç duhet.”

“Duhet të jemi të shqetësuar në të njejtën mënyrë siç duhet të jemi të shqetësuar për një impiant bërthamor apo objekte të tjera që kur të kapen, dhe nëse kapen, mund të ketë dëmtime ose vjedhje. Dhe ato mund, në fakt, të keqpërdorin disa materiale që jane aty, që nuk ka qëllim përdorimi për armë, por gjithsesi mund të përdoret në mënyra të rrezikshme ose që mund të krijojë sfida për popullsinë vendase,” tha Haines.

Në fakt, sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes, që nga 2005, qeveria amerikane ka harxhuar $200 milionë në Ukrainë, në mbështetje të 46 laboratorësh dhe institucionesh shëndetësore ukrainas. Këto institucione janë ndryshe nga laboratorët e armëve biologjike. Në fakt, ato janë krijuar pikërisht për të parandaluar përhapjen e bioarmëve.

Pas rënies së Bashkimit Sovietik, materialet e përdorura në programet sovjetike të armëve biologjike mbetën në territorin ukrainas. Programi i Uljes së Kërcënimit Biologjik ka për qëllim të sigurohet që këto materiale nuk vidhen apo përdoren për qëllime jo kerkimore. Deri më 2014, ky program përfshinte edhe laboratorë rusë.
11 mars 2022, Këshilli i Sigurisë i OKB mbajti një mbledhje lidhur me akuzat e Rusisë për armët biologjike në Ukrainë. Izumi Nakamitsu, përfaqësuesja e lartë e OKB për çështjet e çarmatimit, tha se OKB “nuk ishte në dijeni të ndonjë programi armësh biologjike.”