Pas konspiracionit gjatë pandemisë së Covid, tashmë është lufta në Ukrainë që po shërben për të nxitur informacione të rreme rreth ekzistencës së laboratorëve amerikanëve dhe ushtrisë së NATO për krijimin e armëve biologjike në Ukrainë. Faktet rrëzojnë propagandën ruse të lajmeve të rreme.
“Më poshtë, një hartë e Ministrisë Ruse të Mbrojtjes të laboratorëve biologjikë të financuar nga SHBA në Ukrainë, si dhe dokumentet që ekspozojnë kërkimet e NATO-s për armët biologjike në laboratorët ukrainas.”- shkruan në një postim në rrjetin social Facebook një përdorues, duke shtuar se ‘zyrtarët e korruptuar amerikanë kërkojnë të mbrojnë operacionet e tyre kriminale dhe kërkimin e bioarmëve në Ukrainë.’
Postimi nga Investiguesi Shkrimor është shpërndarë më 7 shkurt dhe ka marrë dhjetra pëlqime nga përdorues të tjerë.
Kjo nuk është hera e parë që në media sociale qarkullon ky pretendim. Prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë ka qarkulluar herë pas herë një pretendim i rremë se presidenti rus Vladimir Putin po synon laboratorët e armëve biologjike të drejtuara nga SHBA në Ukrainë. Këto pretendime të rreme shfaqen herë pas herë në rrjete sociale si pjesë e propagandës ruse përmes manipulimit të fakteve.
Në fakt, rezulton se SHBA nuk drejton asnjë laborator të armëve bioloigjikë në Ukrainë. Vendi është një nga shumë republikat e ish-Bashkimit Sovjetik dhe vende të tjera, në partneritet me Departamentin e Mbrojtjes si pjesë e Programit të Reduktimit të Kërcënimeve Bashkëpunuese.
SHBA-ja mund të sigurojë fonde për të përmirësuar ose ndërtuar laboratorë në vende të tjera, por laboratorët drejtohen nga vendet partnere dhe qëllimi i programit është të parandalojë kërcënimet biologjike, jo t’i krijojë ato. E njëjta logjikë vlen edhe për pretendimet për përfshirje të NATO-s në këto laboratorë, kur Ukraina nuk është pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Sipas kolegëve tanë të Polifact, pretendimet e rreme nga Rusia që pretendojnë përdorimin e armëve biologjike nga SHBA nuk janë të reja dhe nisën të shpërndaheshin në mediat shtetërore në javët para pushtimit.
“Një përdorues i Twitter-it nga ana e @WarClandestine përhapi një histori më 24 shkurt se Rusia po synonte vendet e laboratorëve biologjikë të drejtuar nga SHBA kur filloi të pushtonte Ukrainën. Kjo llogari u pezullua shpejt nga Twitter, por të tjerë ndanë postimin dhe filluan të përdorin hashtag #USbiolabs për të përhapur pretendimin e rremë.”– shkruan Polifact, duke shtuar se Andy Weber, një anëtar i Bordit të Drejtorëve të Shoqatës së Kontrollit të Armëve dhe një ish-ndihmës sekretar i mbrojtjes për programet e mbrojtjes bërthamore, kimike dhe biologjike ka pohuar se në Ukrainë nuk ka laboratorë të drejtuar nga ushtria amerikane.
“Përkundrazi, Programi i Reduktimit të Kërcënimeve Bashkëpunuese të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së ka ofruar mbështetje teknike për Ministrinë e Shëndetësisë së Ukrainës që nga viti 2005 për të përmirësuar laboratorët e shëndetit publik, misioni i të cilëve është analog me Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve”, ka thënë Weber për PolitiFact.
“Këta laboratorë kanë luajtur kohët e fundit një rol të rëndësishëm në ndalimin e përhapjes së COVID-19”, shton ai.
Megjithatë, pretendimet e rreme për ‘biolabs’ janë aq të përhapura sa Agjencia për Reduktimin e Kërcënimeve të Mbrojtjes publikoi një video më 11 janar për t’i kundërshtuar ato dhe për të shpjeguar se çfarë bën Programi Bashkëpunues për Reduktimin e Kërcënimeve. Në të, Chris Park, një zyrtar i Departamentit të Shtetit, foli në Kombet e Bashkuara për t’iu përgjigjur pretendimeve nga Kina dhe Rusia për “aktivitet të dyshimtë” në laboratorët në rajon. Ai i quajti pretendimet “dezinformim të pastër”.
Park tha se programi “punon për të ndërtuar kapacitete në mbarë botën për të zbuluar, parandaluar dhe zbutur sëmundjet infektive”.
Programi i Reduktimit të Kërcënimeve Biologjike, sipas Ambasadës së SHBA-së në Ukrainë, “punon me vendet partnere për të kundërshtuar kërcënimin e shpërthimeve (të qëllimshme, aksidentale ose natyrore) të sëmundjeve infektive më të rrezikshme në botë”.
Sipas Këshillit Atlantik, një institut kërkimi, propagandistët rusë kanë përhapur prej kohësh propagandë në Ukrainë, duke përfshirë pretendimet se këta laboratorë po eksperimentojnë me qytetarë pa dijeninë e tyre.
Edhe kolegët tanë të Snopes raportuan se ky pretendim është i rremë. Po ashtu edhe verifikuesit e lajmeve nga Usa Today raportojnë të njëjtën gjë.