BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriKryeministri Edi Rama përmendet 14 herë në aktakuzën ndaj McGonigal

Kryeministri Edi Rama përmendet 14 herë në aktakuzën ndaj McGonigal

Në 23 janar 2023, mediat amerikane publikuan lajmin e arrestimit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal. Ai akuzohet se ka punuar për një oligark rus. Në dokumentat e gjykatës amerikane ku renditen akuzat ndaj McGonigal, përmendet 14 herë Kryeministri Edi Rama, si person me të cilin i akuzuari është takuar disa herë dhe e ka fshehur këtë fakt në raportimet e detyruara ndaj FBI-së.

Çështja ka ngjallur shumë zhurmë dhe polemika në Shqipëri, duke vështirësuar ndarjen e fakteve nga spekullimet, ndaj Faktoje vendosi të hedhë dritë mbi çka thuhet zyrtarisht nga drejtësia amerikane.

Jona Plumbi

Dy aktakuza ndaj McGonigal

Akuzat ndaj McGonigal u ngritën në dy dokumente të ndryshme, në aktakuzën e prokurorisë së New Yorkut  dhe në atë të prokurorisë së Columbias.

aktakuzën e New York-ut, McGonigal akuzohet për shkeljen e sanksioneve ekonomike të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë. McGonigal akuzohet edhe për pastrim parash përmes një kompanie amerikane, që e përdori për të marrë pagesa nga Banka e Rusisë, për shërbime të ofruara ndaj oligarkut të sanksionuar rus Oleg Deripaska.

Aktakuza e dytë, e bërë publike në Washington D.C., akuzon McGonigal se gjatë kohës kur shërbente si zyrtar i lartë i FBI-së, mori $225,000 fshehurazi nga një person, të cilin më pas e përdori si dëshmitar në hetimin e nisur prej tij, pa informuar FBI-në për marrëdhënien që kishte me këtë person. Hetimi lidhej me një shtetas amerikan, të kontraktuar për të lobuar në SHBA në emër të një “politikani shqiptar të një partie tjetër” nga ajo e Kryeministrit të Shqipërisë.

*faksimile e aktakuzës së prokurorisë së Columbias ndaj McGonigal, ku përmendet Kryeministri Rama dhe lobimi i politikanit shqiptar për të cilin u hap hetimi nga Mcgonigal
*faksimile e aktakuzës së prokurorisë së Columbias ku përmendet lobimi i politikanit shqiptar për të cilin u hap hetimi nga Mcgonigal

Ku dhe si përmendet Kryeministri Edi Rama në aktakuzën ndaj McGonigal?

Shqipëria dhe Kryeministri Edi Rama përmenden vetëm në njërën prej dy aktakuzave të ngritura ndaj Mcgonigal, asaj të prokurorisë së Columbias në Karolinën e Jugut.

Katërmbëdhjetë herë përmendet “Kryeministri i Shqipërisë” në 16 faqet e aktakuzës. Ai është i vetmi person që identifikohet lehtësisht në aktakuzë. Referencat e tjera janë të paidentifikueshme në vetvete, si ajo e “politikanit kosovar” apo i “shtetasit të huaj” përpara të cilit McGonigal bëri të ditur punën e tij në FBI.

*faksimile e aktakuzës së Columbias ndaj McGonigal ku përmendet Kryeministri Edi Rama
*faksimile e aktakuzës së Columbias ndaj McGonigal ku përmendet Kryeministri i Shqipërisë

Sipas 9 akuzave të drejtësisë amerikane në Columbia ndaj McGonigal, ai fshehu informacion nga byroja federale e hetimit, FBI në lidhje me takimet apo marrëdhënien me disa persona. Ndër ta, McGonigal fshehu takimet e kryera me Kryeministrin Rama dhe të paktën dy persona të tjerë me shtetësi shqiptare (në aktakuzë njihen si: Personi A dhe Personi B).

Cilët janë personazhet?

Charles McGonigal – ka shërbyer si zyrtar i Byrosë Federale të hetimit, FBI nga viti 1996 deri në 2018-n kur doli në pension. Nga viti 2016 deri në 2018-n ai ishte shefi i kundërzbulimit të F.B.I.-së në Nju Jork.

Personi A (Agron Nezaj) – Në aktakuzën amerikane, Personi A është një shtetas shqiptar, me pasaportë amerikane, që jeton dhe ka një biznes në New Jersey. Ai është mik i McGonigal. Një dokument i Jurisë së Madhe të SHBA-së drejtuar FBI-së ku kërkon mbledhjen e më shumë informacioneve nga dëshmitarët e çështjes, konfirmoi se Personi A është Agron Nezaj, pronar i firmës Spectrum Risk Solutions, Inc dhe A&E International.

Personi B (Dorian Duçka) – Shtetas shqiptar i punësuar nga një konglomerat energjitik kinez. Vepronte si këshilltar jo zyrtar i Kryeministrit Edi Rama, me llogari zyrtare emaili dhe pasaportë [shërbimi apo diplomatike] të qeverisë shqiptare. Ai ka qenë zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare. Edhe identiteti i Personit B si Dorian Duçka, është zbuluar përmes dokumentit të Jurisë së Madhe. Dorian Duçka dhe Agron Nezaj ishin miq dhe bashkëpunëtor në biznes me njëri-tjetrin, sipas aktakuzës amerikane.

*kërkesa e Jurisë së Madhe në SHBA për mbledhjen e më shumë informacioneve mbi çështjen McGonigal, pjesë e së cilës është edhe aktakuza ku përmendet kryeministri Rama
*kërkesa e Jurisë së Madhe në SHBA për mbledhjen e më shumë informacioneve mbi çështjen McGonigal

Akuzat që lidhen me Shqipërinë

–Fshehja e takimeve dhe marrëdhënies së McGonigal me Kryeministrin Edi Rama

Një nga akuzat kryesore ndaj McGonigal është fshehja, falsifikimi dhe raportimi i gënjeshtërt mbi takimet e tij me Kryeministrin e Shqipërisë. Në dy raste të ndryshme, McGonigal ka raportuar gënjeshtra në formularin e FBI-së mbi takimet me Edi Ramën, apo nuk e ka raportuar aspak një takim të tillë.

Sipas drejtësisë amerikane, Kryeministri Edi Rama dhe McGonigal janë takuar katër herë në vitet 2017-2018, dy herë në Shqipëri dhe dy herë të tjera në Shtetet e Bashkuara:

Takimi i parëShtator 2017, Shqipëri. Katër ditë përpara se të nisej drejt Shqipërisë, McGonigal njoftoi FBI-në për një udhëtim “jo zyrtar” në Tiranë. McGonigal e fshehu faktin se do të shoqërohej në udhëtim nga Agron Neza dhe se shpenzimet për ta do të pagueshin nga palë të treta.

*faksimile e aktakuzës ku tregohet fshehja e informacionit nga Mcgonigal
*faksimile e aktakuzës ku tregohet fshehja e informacionit nga Mcgonigal

Gjatë takimit, ku ishte Kryeministri Edi Rama dhe Dorian Duçka, McGonigal i shtyrë nga Agron Nezaj e nxiti kryeministrin Rama të mos japë një licensë për kërkimin e naftës në Shqipëri për një kompani ruse. Duçka dhe Neza kishin interesa financiare mbi licensat e qeverisë shqiptare për kërkimin e naftës. Një muaj më pas, Mcgonigal gënjeu në formularin e FBI-së duke fshehur takimin me kryeministrin Edi Rama.

*McGonigal fsheh takimin me kryeministrin Rama në Shtator 2017
*McGonigal fsheh takimin me Ramën në Shtator 2017

Takimi i dytëNëntor 2017, Shqipëri. Gjatë një udhëtimi drejt Austrisë dhe më pas Shqipërisë, McGonigal ia fshehu FBI-së se do të udhëtonte bashkë me Agron Nezën. Pasi u kthye në SHBA, McGonigal fshehu edhe faktin se bashkë me Nezën, në Shqipëri ishin takuar me Dorian Duçkën dhe kryeministrin shqiptar.

*McGonigal fsheh takimin me kryeministrin Rama në Nëntor 2017
*McGonigal fsheh takimin me Ramën në Nëntor 2017

Takimi i tretëDhjetor 2017, SHBA. McGonigal darkoi në New York City me Agron Nezën dhe Kryeministrin e Shqipërisë.

Takimi i katërtMars 2018, SHBA. McGonigal darkoi në Washington D.C., mes të tjerëve, me Kryeministrin e Shqipërisë, Agron Nezën dhe një ish-agjent special të FBI-së, i cili punonte në një firmë shërbimesh profesionale ndërkombëtare.

McGonigal dhe Agron Neza kanë udhëtuar edhe në raste të tjera së bashku, edhe drejt Shqipërisë. Në çdo rast McGonigal nuk i ka raportuar të plota informacionet mbi këto udhëtime apo takime.

Nxitja e nisjes së hetimit për lobimin e PD-së në SHBA

Një tjetër akuzë ndaj McGonigal është fakti se ai u bë shkas për nisjen e një hetimi nga FBI-ja, duke përdorur si informatorë persona me të cilët i lidhte interesi financiar. Bëhet fjalë për hetimin e lobimit në SHBA të “një politikani shqiptar anëtar i një partie tjetër nga ajo e kryeministrit”, siç thuhet në aktakuzë. Në Shqipëri ky hetim njihet gjerësisht si “dosja Nik Muzin” e lobimit të Partisë Demokratike në Amerikë përpara zgjedhjeve të 2017-ës.

25 Nëntor 2017 – McGonigal njoftoi Departamentin e Drejtësisë për hetimin e mundshëm të lobimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë në SHBA. Ajo që McGonigal nuk tregoi, është se informacioni i kishte ardhur një ditë më parë nga Dorian Duçka, këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Madje, McGonigal i fshehu FBI-së edhe faktin se katër ditë më parë, ai kishte qenë në Shqipëri ku kishte takuar Duçkën dhe kryeministrin Rama.

22 Janar 2018 – McGonigal mori informacion nga Agron Neza mbi lobistin e kontraktuar nga Partia Demokratike Shqiptare dhe ia kaloi këtë informacion FBI-së në New York. Neza e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit Rama.

26 Shkurt 2018 – FBI me kërkesë dhe nën drejtimin e McGonigalit hapi zyrtarisht hetimin penal mbi lobistin shtetas amerikan, të kontraktuar nga PD-ja në Shqipëri. Agron Neza më pas shërbeu si informator për këtë hetim. Më tej, Dorian Duçka ndihmoi në mundësimin e një takimi mes FBI-së dhe dëshmitarëve të çështjes që ndodheshin në Europë, mes të tjerash duke paguar për shpenzimet e dëshmitarëve. Gjatë gjithë kësaj kohe, McGonigal fshehu nga FBI-ja marrëdhënien shoqërore dhe financiare që e lidhte me Agron Nezën, si dhe njohjen apo takimet që kishte kryer me Dorian Duçkën.

Në fakt, pak muaj para hapjes së këtij hetimi McGonigal kishte marrë $225,000 nga Agron Neza, para të cilat nuk i kishte deklaruar në formularët e FBI-së.

Pikëpyetje të tjera që lidhen me Shqipërinë

Aktakuzat e drejtësisë amerikane bazohen në ligjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vlerësojnë zbatimin apo jo të këtyre ligjeve. Në asnjë rast, FBI-ja nuk heton shkeljen e ligjeve të shteteve të tjera, në këtë rast Shqipërisë. Për këtë arsye, çdo pikëpyetje që lind mbi veprimet e kryeministrit Rama, të zbardhura në aktakuzë, do duhet të hetohen nga një prokurori shqiptare si e vetmja prokurori që ka legjitimitetin të vlerësojë shkeljen apo jo të ligjit shqiptar.

Një numër pikëpyetjesh të lidhura me Shqipërinë që ngrihen në aktakuzën e Columbias, por që nuk mund të hetohen nga drejtësia amerikane, janë:

1 – Nëntor 2017, McGonigal e nxiti kryeministrin Edi Rama për një vendimmarrje ekonomike në favor të mikut dhe bashkëpunëtorit të tij në biznes, Agron Neza. Fshehja e takimit nga FBI vërteton se McGonigal nuk vajti në zyrën e Ramës si zyrtari i lartë i FBI-së, por si person privat. Nëse kryeministri Rama ia dëgjoi fjalën zotit Mcgonigal dhe a ka përfituar McGonigal dhe Agron Neza nga vendimet e qeverisë shqiptare mbi dhënien apo jo të licensave të kërkimit të naftës në Shqipëri, mund të hetohet vetëm në bashkëpunim me drejtësinë shqiptare.

2 – Nëntor 2018, McGonigal dhe Agron Neza bisedojnë për mundësi biznesi me një politikan/biznesmen shqiptar, të cilin e intervistuan një ditë më parë për hetimin e një plani për ta vrarë politikanin shqiptar. FBI-ja nuk ka asnjë dokument mbi këtë intervistë. Cili është politikani/biznesmen shqiptar i cili i kërkoi Mcgonigalit të hetonte pasi kishte frikë se donin ta vrisnin? A iu drejtua prokurorisë shqiptare ky politikan/biznesmen për të denoncuar këtë pritshmëri? A hynë në marrëdhënie biznesi politikani/biznesmen shqiptar me Mcgonigal dhe Nezën?

Përfundim

Çështja McGonigal do të vijojë të zërë titujt kryesorë të lajmeve në Shqipëri, për sa kohë historia mbetet e pasqaruar. Deri më tani kryeministri Edi Rama ka refuzuar llogaridhënien përpara zgjedhësve në seancën parlamentare ku ishte parashikuar seanca e pyetjeve dhe përgjigjeve për këtë çështje.

Mediat në Shqipëri por edhe Amerikë vijojnë publikimin e detajeve të reja mbi çështjen, shpesh duke i fryrë njërës apo tjetrës axhendë. Mbetet për t’u parë rezultati i hetimit të drejtësisë amerikane për të kuptuar deri në çfarë pike McGonigal shkeli ligjin amerikan. Mbledhja e mëtejshme e informacioneve për këtë çështje ka gjasa të hedhë më shumë dritë mbi lidhjet e Mcgonigal me kryeministrin Edi Rama. Një gjë është e sigurt, për hetimin e shkeljes apo jo të ligjit shqiptar, përgjegjës mbetet shteti shqiptar dhe prokuroria e posaçme antikorrupsion, SPAK, e ngritur enkas për raste të tilla.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img