Sezoni i ri turistik në Shqipëri ka nisur me lajme të mira sa i përket situatës epidemiologjike nga pandemia. Numri i të prekurve dhe të shtruarve në spital është ulur ndjeshëm, ndërsa vaksinimi i popullsisë dhe kategorive të veçanta po vijon. Por edhe pse u premtua nga dy ministrat, Manastirliu dhe Klosi se do ketë një protokoll enkas për këtë sezon, aktualisht Shqipëria ka në fuqi protokollin që mban datën 29 maj 2020. Ndryshe ndodh në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku, nisur nga kushtet e reja të pandemisë, ka një protokoll të dedikuar për sezonin turistik 2021.
“Edhe përse po shkojmë mirë me vaksinimin, na duhet që së bashku me ekspertët e dy institucioneve tona t’i paraqesim Komitetit të Ekspertëve një protokoll të caktuar edhe për vitin 2021, pasi përsëri do të duhet të kemi disa rregulla në zbatimin e këtij sezoni ashtu siç në fakt kishim edhe në vitin e kaluar”-tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë një komunikimi të përbashkët me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe taskforcën për Turizmin.
Nga kërkimet e Faktojes rezulton se edhe pse ka nisur sezoni i ri turistik, Shqipëria ka në fuqi ende protokollin e vjetër, një urdhër i përbashkët i ministres së Shëndetësisë dhe atij të Turizmit që mban datën 29.05.2010. Ky dokument që shërben për të treguar, orientuar dhe rregulluar parakushtet e nevojshme që duhet të ndërmerren nga sipërmarrjet e shërbimeve turistike përgjatë sezonit turistik 2020, për të garantuar mbarëvajtjen e suksesshme të aktivitetit si dhe parandaluar rrezikun e përhapjes së virusit Covid-19 ishte përshtatur për situatën e vjetshme. Sivjet kushtet e pandemisë kanë ndryshuar, numri i të prekurve është ulur dhe procesi i vaksinimit është kryer në masën 14.6% të popullësisë.
Ndërkohë për sezonin turistik 2021, Ministrja e Shëndetësisë me datë 10 maj në emisionin Opinion u shpreh:
“Ne tashmë i kemi vendosur datat tona. Një herë në dy javë Komiteti Teknik i Ekspertëve mblidhet për të vendosur se si do procedojmë në muajt që vijnë, ndaj besoj që dy javët që do vijnë do jenë edhe ato javë që do jenë përcaktuese pr vendimmarrjen në funksion të turizmit.”
Faktoje bëri një kontroll në faqen e botimeve zyrtare nga ku konstatoi se nuk është miratuar apo urdhëruar një protokoll anticovid për sezonin turistik 2021.
Ne gjithashtu i drejtuam një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Turizmit, nëse kanë një protokoll anticovid për këtë ashtu siç u zotuan dy ministrat në muajin maj, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.
Kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Turizmit.
Faktoje pyeti edhe kreun e ISHP zonjën Albana Fico, njëkohësisht anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve në qoftë se ka një protokoll të ri anticovid për vitin 2021, por as ajo nuk ktheu përgjigje.
Screenshot nga komunikimi me drejtoreshën e ISH Albana Fico
Ndërkohë, ish-drejtori i ISHP Gazmend Koduzi shprehet:
“Nuk jemi në të njëjtat kushte si në fillim, tanimë kemi një numër shumë të vogël të infektuarish. Prandaj duhet të bëhet një përditësim ose një protokoll i ri për vitin 2021, sepse është kosto për bizneset.”- tha zoti Koduzi.
Edhe vetë Ministri i Turizmit Blendi Klosi, përgjatë një takimi me homologen spanjolle Maria Reyes Maroto Illera, javën e kaluar tha:
“Pavarësisht se për shkak të vaksinimit masiv Shqipëria ka dalë nga zona e kuqe e hartës botërore të COVID-19 për numrin e infektimeve, edhe sezoni turistik 2021 do të ketë një protokoll sa i takon masave anticovid, për të patur një situatë të kontrolluar gjatë sezonit turistik.”
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren, pas mungesës së përgjigjeve nga institucionet zyrtare.
Në fillim shkuam në disa biznese që operojnë në bregdet për të kuptuar se me çfarë protokolli po funksiononin tashmë që ka nisur sezoni turistik dhe kanë mbërritur pushuesit e parë.
Në kafenetë, restorantet dhe hotelet që vëzhguam në Durrës, rezulton se ishin të njëjtat masa, që nga fillimi i pandemisë. Këtë e konfirmon edhe menaxheri i një hoteli në zonën e ish Sektorit Rinia.
“Jo, nuk kemi protokoll të ri, akoma jemi me ato masa. Gjëja e vetme që dimë është që është hequr maska në rrugë. Pastaj, turistët vendas dhe të huaj kanë ardhur për pushime, duan të pushojnë, nuk e kanë mendjen të ruajnë distancën, ose të mbajnë maska brenda ambienteve të hotelit. Ne kemi të vendosur në hyrje të hotelit dezifektantë.” – tregon ai.
Foto në hyrjen e një hoteli në zonën e ish Sektorit Rinia
Recepsionistja e një tjetër hoteli thotë:
“Jo, nuk ka ardhur asnjë protokoll shtesë, ne akoma mbajmë të afishuar nëpër dyer të hoteleve broshurat me masat e vjetra që edhe ato nuk para respektohen shumë. Unë ndërkohë jam vaksinuar me AstraZeneca e me sa di unë edhe një pjesë e kolegëve të mi.”
Foto në hyrjen e një hoteli në zonën e ish Sektorit Rinia
Ndërsa restorante të ndryshme në zonën e Pistës Iliria nuk kanë të vendosur asnjë broshurë në dyer ose dezinfektantë në tavolina.
Foto e një restoranti në zonën e Pistës Iliria në Durrës
Ne bëmë një vëzhgim edhe në disa struktura hoteliere në bregdetin e Vlorës.
“Nuk kemi asnjë protokoll nga Ministria e Shëndetësisë. Tanimë nuk besoj që do na dërgojnë gjë se sezoni turistik ka filluar dhe ne nuk kemi mundësi të marrim masat e duhura.” – tregon pronari i një hoteli në zonën e Radhimës.
Foto nga recepsioni i një hoteli në zonën e Radhimës që tregon masat e vjetra anticovid.
Gjatë verifikimit konstatuam se në recepsion mbaheshin dezinfektantë dhe bëhej matja e temperaturës.
“Ne kemi vendosur dezifektantë këtu në recepsion dhe një matës temperature. Por, edhe vetë pushuesit nuk i respektojnë shumë masat. Pastaj tani nuk kemi më mundësi të bëjmë të vështirët, sepse kemi investuar goxha për këtë sezon turistik” – tregon menaxheri i një hoteli në zonën e Lungomares.
Foto nga recepsioni i një hoteli në zonën e Lungomares
Ndërkohë në Shqipëri, i vetmi njoftim zyrtar është nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëve, që më datë 27 maj njoftoi lehtësimin e disa masave, por nuk artikuloi ndonjë protokoll të dedikuar për sezonin turistik.
Ndërsa operatorët turistikë shqiptarë, ende nuk janë njohur me protokollin e sezonit turistik, bizneset në Maqedoninë e Veriut e kanë një të tillë, të miratuar së fundmi.
Screenshot nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shendetësisë së RMV, ku janë të deklaruar protokollet anticovid
Në protokollin e miratuar nga qeveria maqedonase janë specifikuar me detaje masat për çdo tipologji biznesi.
Sipas protokollit duhet që strukturat akomoduese të kenë një numër të kufizuar personash, çdo person e ka të detyrueshme mbajtjen e pajisjeve mbrojtëse (maskat mbrojtëse), punonjësit duhet të kryejnë dezinfektim të rregullt, vendosje të broshurave në vende të dallueshme që tregojnë masat anticovid.
Pikë tjetër e parashikuar në protokollin anticovid janë dhe bizneset e kafeneve. Bazuar në protokoll, ato kanë detyrim që të shërbejnë vetëm në mjediset jashtë, mbajtja e maskës nga personeli është e detyruar, tavolinat duhet të jetë 1.5-2 metra larg njëra-tjetrës, vendosja e dezinfektantëve është e detyrueshme në çdo tavolinë, ndërsa numri maksimal i njerëzve në një tavolinë është i kufizuar në 4 persona.
Gjithashtu sipas protokollit anticovid do të lejohet organizimi i dasmave, festimeve në ambient të hapur/tarraca verore deri në 100 persona, po jo më shumë se 50% nga kapaciteti i hapësirës dhe deri në maksimum 6 persona në një tavolinë me sigurim të distancës mes personave. Prania e muzikantëve është e lejuar vetëm gjatë organizimit të dasmave, në pajtueshmëri me protokollet.
Edhe protokolli i punës për restorantetet parashikon monitorimin nga një person për mbajtjen e higjienës personale (larja e shpeshtë e duarve), përgatitje dhe shërbimin e ushqimeve, vendosjen e dezinfektantëve në çdo tavolinë.
Masa tjetër e vendosur në protokoll është lejimi i pranisë së publikut në garat sportive të cilat mbahen në ambient të hapur, deri në 30% nga kapaciteti i përgjithshëm, me respektim të distancës së detyruar prej 1.5 deri në 2 metra dhe me respektimin e masave për mbrojtje nga COVID-19.
Sipas mediave maqedonase Shtabi kryesor Koordinues për COVID-19 i Maqedonisë së Veriut thekson se ky vendim është miratuar duke pasur parasysh gjendjen aktuale epidemiologjike në vend, e cila karakterizohet me zvogëlim të numrit të rasteve dhe të shtruarve me Covid në spital.
*Përditësim
Një ditë pas publikimit të këtij lajmi qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndryshuar disa pika në protokollin Covid-19. Si fillim është hequr ora policore. Një pikë tjetër që është vendosur në protokoll janë eventet publike ku tanimë lejohen me kapacitet deri në 1000 persona,ndërsa kufizimet për dasmat janë hequr.