BallinaFaktometerE PavërtetëVaksinimi apo imunizimi natyror pakësoi shtrimet në spital nga Covid?

Vaksinimi apo imunizimi natyror pakësoi shtrimet në spital nga Covid?

Prej muajit mars, raportohet përgjysmim i numrit të të shtruarve në spitale nga Covid 19 dhe në muajt në vijim ky numër është ulur me të paktën 4 herë. Kjo rënie vërehet jo vetëm për kategorinë mbi 65 vjeç, që iu nënshtrua më herët vaksinimit, por edhe në grupmoshat mbi 45 vjeç. Ekspertë të pavarur thonë se rënia e numrit të shtrimeve vjen kryesisht nga imunizimi natyror, ndërsa ISHP ia dedikon procesit të vaksinimit, këtë normalizim të situaës nga pandemia.

Që prej nisjes së procesit të vaksinimit në Shqipëri, në datën 11 janar 2021 , janë raportuar 830,281 vaksinime anti Covid, nga të cilat 328,546 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat.

*Të dhënat nga Our World in Data

Në raport me vendet e tjera të rajonit dhe Europës, Shqipëria ka vaksinuar 11% të popullsisë, nga e cila 6.1% është vaksinuar plotësisht. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri citohet se vaksinat e autorizuara ose të miratuara do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjes duke zhvilluar në mënyrë të sigurt mbrojtjen (imunitetin) ndaj Covid 19.

A ka ndikuar vaksinimi në uljen e numrit të të prekurve dhe të shtruarve në spital me covid, kur kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga nisja e këij procesi?

“Faktoje” pyeti Ministrinë e Shëndetësisë për numrin e shtrimeve në spitalet Covid nga muaji janar, deri në muajin maj 2021.

*Përgjigjja nga Ministria e Shëndetësisë për Faktoje.al

 

Nga tabela e mësipërme dallohet se nga muaji mars deri në mesin e muajit maj 2021, numri i shtrimeve ka ardhur në rënie. Piku i shtrimeve, sidomos për grupmoshat mbi 45 vjeç e sipër është shënuar në muajin shkurt dhe më pas ai ka ardhur duke u zvogëluar me disa herë.

Përshembull, në muajin mars, numri i shtrimeve për grupmoshën mbi 65 vjeç thuajse u përgjysmua, në krahasim më shkurtin. Ndërsa gjatë muajit maj, shtrimet u zvogëluan me thuajse 4 herë në krahasim me marsin.

Kjo rënie e numrit të shtrimeve, vërehet të jetë në të njëjtin nivel edhe për grupmoshat që ende nuk ia janë nënshtruar vaksinimit (përjashto ata që i përkasin kategorive të rrezikuara, mjekë, mësues, policë).

Pasi u njoh me të dhënat, Faktoje komunikoi me mjekun Epidiemolog Dr.Ilir Alimehmeti për të marrë opinionin e tij, nëse kjo  rënie përkon me vaksinimet.

Sipas mjekut Alimehmeti, vaksinimi ende nuk ka nisur të reflektohet sipas numrit të shtrimeve.

“Po të shohësh historikun e vaksinimit, vaksinimet masive filluan më datë 28 mars me futjen e vaksines kineze. Që të kesh imunizim të plotë të ofruar nga vaksina përkatese duhen edhe 2 javë pas dozës së dytë, pra erdhi gjysma e majit.

Ndërkohë rënia është e qartë dhe ka filluar që në shkurt-mars. Sidoqoftë numri i të vaksinuarve edhe sot është tejet i ulët (rreth 10% me dy doza plus rreth 8% me një dozë), pra shumë larg shifrës 75% të nevojitur.”- shpjegon ai.

Zoti Alimehmeti shton se ulja e numrit të rasteve me Covid 19 dhe shtrimeve në spital me këtë virus, kryesisht ka ardhur nga imunizimi natyror, ku një përqindje tejet e lartë tashmë e ka kaluar infeksionin.

Ndryshe nga doktor Ilir Alimehmeti, ekspertja e shëndetit publik Dr. Silva Bino përmes një bisede në whatsapp, na konfirmon se vaksinimet kanë ndikuar në uljen e numrit të shtrimeve.

*Përgjigjja e plotë e Dr.Silva Bino për Faktoje.al

Fundjavën që lamë pas, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raportoi për 12 raste të infektuara me covid në 24 orë, në të gjithë Shqipërinë dhe asnjë humbje jete. Në spital raportohet se po trajtohen 21 persona me covid, nga të cilët 6 në terapi intensive.

Gjithashtu, spitali “Shefqet Ndroqi”, i njohur si spitali covid 2, u njoftua se prej datës 2 qershor iu rikthye normalitetit për shkak të përmirësimit të situatës nga pandemia.

Sipas statistikavet të kësaj Ministrie, shpërndarja gjeografike e rasteve aktive tregon se Shkodra ka numrin më të lartë, 51 të infektuar, e cila ndiqet nga Tirana, Berati, Elbasani, etj. Ndërsa me më pak raste aktive me covid, vetëm me nga 2 të tillë, janë Vlora dhe Kukësi.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img