Një lajm i shpërndarë gjerësisht në mediat online shqiptare pretendon se seriali amerikan vizatimor “The Simpsons” ka arritur të parashikojë zhdukjen e një nëndetëseje në rrënojat e Titanikut. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se kësaj here parashikimi i autorëve të famshëm për këto udhëtime në kohë, nuk është dhe aq i saktë.
—————————————-
Disa portale shqipfolëse kanë shpërndarë së fundmi si fakt interesant se seriali vizatimor The Simpsons ka parashikuar zhdukjen e një nëndetëseje në rrënojat e Titanikut
Artikujt raportojnë se The Simpsons ‘parashikoi’ zhdukjen e nëndetëses në një epsiod ku “personazhi Homer Simpson niset me një nëndetëse drejt një anije të fundosur dhe shkëput kontaktet me qendrën kryesore. Një detaj tjetër është ai i oksigjenit, i cili në pjesën e The Simpsons, mbaron.”
Rikujtojmë se ky episod i serialit u risoll në momentin e vëmendjes që tërhoqi zhdukja e nëndetëses Titan, e cila humbi kontaktet në 18 qershor 2023 dhe mbante 5 persona që kishin për qëllim të zbrisnin në thellësitë e oqeanit Atlantik për të parë nga afër rrënojat e anijes Titanik. Ky eskursion u organizua nga kompania amerikane OceanGate Expeditions. Pas disa ditësh kërkimi, Roja Bregdetare amerikane deklaroi se nëndetësja kishte shpërthyer nga presioni i jashtëm, duke vrarë të gjithë pasagjerët, dhe trupi i saj ishte gjetur në 3.800 m thellësi.
A e parashikoi The Simpsons këto ngjarje?
Episodi i përshkruar në artikull është nga viti 2006, dhe quhet “Homer’s Paternity Coot”. Në këtë episod, Homer dhe dikush që ai mendon se është babai i tij biologjik zhyten në oqean me dy nëndetëse, në kërkim të një thesari të humbur që mendohet se gjendet në një anije spanjolle të mbytyr përpara disa shekujsh. Përgjatë këtij misioni, Homer ndjek një dritë duke menduar se është shkëlqimi që vjen nga thesari, por zbulon që drita vjen nga një peshk fosforeshent, dhe ngec në një masë koralesh. Në këtë pikë, në nëndetëse ndizet llampa që tregon se po mbaron oksigjeni. Përpara se t’i bjerë të fikët, Homer sheh nëndetësen e personazhit tjetër duke i ardhur në ndihmë. Ai zgjohet në spital pas një qëndrimi 3-ditor në koma.
Siç vihet re, ka ndryshime domethënëse mes ngjarjeve të episodit të The Simpson në 2006 dhe fatit të nëndetëses Titan në 2023. Si fillim, Homer zhytet me nëndetëse për të kërkuar thesar në një anije spanjolle dhe jo për të vizituar rrënojat e Titanikut. Homer dhe personazhi tjetër kanë dy nëndetëse individuale, ndërsa Titan ishte vetëm një nëndetëse që mbante 5 persona. Dhe, fatkeqësisht, ngjarjet në jetën reale përfunduan me vdekjen e 5 personave si pasojë e neglizhencës inxhinierike, ndërsa në episodin e mësipërm nuk pati asnjë viktimë.
Pas mbytjes së nëndetëses Titan, Mike Reiss, një nga producentët dhe skenaristët e The Simpsons, deklaroi se verën e kaluar ai kishte marrë pjesë në një nga eskursionet e organizuara nga OceanGate Expeditions tek rrënojat e Titanikut.
Megjithatë, episodi i mësipërm u transmetua në 2006, 18 vite përpara eskursionit të Reiss. Për më tepër, Reiss nuk ishte një nga skenaristët e episodit “Homer’s Paternity Coot”.
Megjithatë, më parë, seriali “The Simpsons” ka ‘parashikuar’ disa ngjarje, duke përfshirë këtu zgjedhjen e Donald Trump si president i ShBA në 2016, fituesin e një çmimi Nobel, dhe një grip të rrezikshëm që filloi në Azi, ndër të tjera.
Kjo, sipas vetë autorëve të serialit, nuk vjen si pasojë e ndonjë aftësie mbinatyrore për të parë të ardhmen por thjesht si pasojë e faktit që seriali ka mbi 700 episode dhe transmetohet që nga viti 1989. “Nëse bën më shumë episode për më shumë dekada se gjithë serialet e tjera, do të parashikosh më shumë gjëra saktësisht,” tha autori Matt Selman. Ndërsa Bill Oakley, një ish-skenarist i The Simpson, tha për The Hollywood Reporter se çfarë shihet nga disa si ‘parashikime’ të bëra nga seriali janë në fakt thjesht koinçidenca “sepse episodet janë aq të vjetra sa historia ripërsëritet. Shumica e këtyre episodeve janë bazuar në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në vitet ‘60, ‘70 ose ‘80.”