Filmi Barbie nuk është ndaluar në Serbi për shkak të një harte që tregon Shqipërinë e Madhe. Imazhi që po qarkullon në internet është një manipulim i frymëzuar nga lajmi i vërtetë se filmi u ndalua në Vietnam si pasojë e një harte që shfaqet në film.
————————————
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale në rajon pretendon se filmi “Barbie”, i cili është pritur me shumë interes nga publiku në mbarë botën, është ndaluar së shfaquri në kinematë serbe sepse gjatë tij shfaqet një hartë e Shqipërisë së Madhe.
Filmi Barbie ndalohet në Serbi për hartën e përfolur të “Shqipërisë së Madhe”
Imazhi i mësipërm është krijuar që t’i ngjajë formatit të një artikulli të BBC, megjithatë është e dallueshme me sy të lirë se harta e “Shqipërisë së Madhe” është montuar në foto.
Një kërkim me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search zbuloi se imazhi i mësipërm ka qarkulluar fillimisht në Reddit, TikTok dhe Instagram si imazh humoristik, përpara se të emigronte në rrjetin social Facebook, përdoruesit e të cilit kanë qenë më të gatshëm ta marrin seriozisht këtë ‘lajm’.
Në të vërtetë, në skenën e treguar më sipër, siç mund të shihet edhe në këtë paraparje të filmit, nuk tregohet harta e Shqipërisë së Madhe, por një version shumë i thjeshtuar i hartës së botës, i vizatuar në stil fëminor nga një kukull.
Skena origjinale në filmin Barbie
Harta e Shqipërisë së Madhe i është mbivendosur kësaj skene. Kjo shaka duket se është frymëzuar nga lajmi i vërtetë se Vietnami ndaloi shfaqjen e filmit Barbie pikërisht për shkak të hartës së mësipërme, në të cilën përfshihet e ashtuquajtura ‘vija me nëntë ndërprerje’ e cila përkufizon pretendimin e Kinës mbi afro 3 milionë km2 në Detin e Kinës Jugore. Ky pretendim është refuzuar nga OKB.
Lajmi se Barbie u ndalua nga autoritetet serbe është përgënjeshtruar edhe nga kolegët e Truthmeter.mk.