BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFotoja e fëmijës në dritare në Turqi përdoret për ngjarjen në Lushnjë

Fotoja e fëmijës në dritare në Turqi përdoret për ngjarjen në Lushnjë

Foto e përdorur nga portalet për të ilustruar ngjarjen e ndodhur në Lushnjë, ku një fëmijë rrezikoi të binte nga dritarja e katit të pestë të pallatit, në fakt i përket një incidenti në Turqi. Imazhi u përdor nga mediat online në Shqipëri si “karrem” për të tërhequr klikime.

Më 24 korrik, portalet kanë publikuar një lajm mbi shpëtimin e një fëmije në Lushnjë, i cili rrezikonte të binte nga kati i 5-të i një pallati. Në artikull, mediat i janë referuar një njoftimi të policisë së Shtetit. Mirëpo, ajo që tërheq vëmendjen është foto e publikuar krahas artikullit.

“Shmanget tragjedia në Lushnjë, fëmija rrezikoi të binte nga kati i pestë i pallatit!”-shkruan portali “Fieri Sot”.

Postimi i portalit “Fier Sot”

I njëjti artikulli, me të të njëjtën foto është publikuar edhe nga portali “Fax web”.

Postimi i portalit “Fax Web”

Ne bëmë një verifikim të lajmit të publikuar nga portalet, fillimisht duke iu referuar informacioneve zyrtare nga Policia e Shtetit.

Në komunikimin zyrtar policia njofton: “Rreth orës 13:00, në sallën operative, ka telefonuar një qytetar për të kërkuar ndihmë, pasi në lagjen ‘Skënder Libohova’, Lushnjë, një fëmijë po rrezikonte të binte nga dritarja e katit të pestë të pallatit.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë është shpëtuar fëmija 5 vjeç që kishte kishte hipur dhe kishte ngecur në parvazin e dritares, në një moment që familjarët nuk kishin qenë ne atë dhomë”.

Pra, ashtu siç raportojnë portalet, kemi të bëjmë me një lajm të vërtetë, por foto e përdorur nga mediat online nuk përkon me ngjarjen e ndodhur në Lushnjë.

Njoftimi i shpërndarë nga policia

Nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove, konstatuam se imazhi i përdorur i përket një ngjarje të ndodhur në shtator të vitit 2021 në Stamboll.

“Në Stamboll Başakşehir, një fëmijë doli nga dritarja e hapur e shtëpisë dhe u ul në parvaz për minuta të tëra”, raportonin asokohe mediat turke. Imazhi i një fëmije të mitur që ecën këmba-dorazi në parvazin e një dritareje është shokues për cilindo që e shikon qoftë edhe për një moment të vetëm.

Falë kësaj fotoje ilustruese portalet kanë tërhequr më shumë lexues. Nëpërmjet fotove dhe lajmeve të tilla, portalet përfitojnë nga interesi i qytetarëve për tema të ndjeshme për të marrë sa më shumë klikime.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img