.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookSëmundja e Alzheimerit nuk shërohet me kurën e bishtave të qershive

Sëmundja e Alzheimerit nuk shërohet me kurën e bishtave të qershive

Pretendimi: Shokon mjekja: Bishtat e qershive shërojnë shumë sëmundje nga Alzhaimeri deri te zemra

Verdikti: Mungon konteksti

Ndodhemi në qershor, muajin e qershive dhe të gjithë kanë mundësi që të shijojnë frutin e ëmbël me çmime të arsyeshme. Përtej vlerave ushqyese të këtij fruti, një postim që është ndarë ditët e fundit në rrjet na fton që të ruajmë edhe bishtat e qershive.

Profili i RTSH në Facebook ka ndarë në 3 qershor një video nga një emision nën titullin: “Shokon mjekja: Bishtat e qershive shërojnë shumë sëmundje nga Alzajmeri deri te zemra”. Kjo video ka marrë mbi 561 mijë shikime gjatë këtyre ditëve të fundit.

Postimi i shpërndarë nga RTSH

Postimi shoqërohet me një video, ku është e ftuar një mjeke alternative, e cila tregon vetitë e bishtave të qershive për trajtimin e disa sëmundjeve.

“Ato mund të bëjnë që te këmbët me edema dhe deri te zemra dhe deri te truri dhe deri te qetësimi i alzaimerit”- këshillon zonja në video.

Së pari, nevojitet të sqarohet se ndryshe nga çfarë pretendohet në mbishkrimin që shoqëron videon, mjekja alternative nuk thotë që bishtat e qershive shërojnë Alzhaimerin, por thekson se qetëson simptomat e kësaj sëmundjeje.

Në këtë rast kemi një abuzim me mbishkrimin në video, duke manipuluar lexuesit online.

Ne iu drejtuam mjekes neurologe, Mimoza Spahiu, në lidhje me këtë trajtim të këshilluar. Ajo tha për Faktoje se nuk ka dëgjuar ndonjëherë që bishtat e qershive shërojnë Alzhaimerin, duke theksuar se pacientët duhet të drejtohen te mjeku neurolog për gjendjen dhe mënyrën e trajtimit.

Sëmundja e Alzheimerit është një çrregullim i trurit që shkakton një rënie progresive në aftësitë e kujtesës, të të menduarit, të të mësuarit dhe organizimit. Ai përfundimisht ndikon në aftësinë e një personi për të kryer aktivitetet bazë të përditshme. Sëmundja e Alzheimerit është shkaku më i zakonshëm i demencës.

Nuk ka një kurë për sëmundjen e Alzheimerit, por disa ilaçe mund të ngadalësojnë përkohësisht përkeqësimin e simptomave të demencës. Medikamentet dhe ndërhyrjet e tjera mund të ndihmojnë gjithashtu me simptomat e sjelljes. Fillimi i trajtimit për Alzheimer sa më shpejt që të jetë e mundur mund të ndihmojë në ruajtjen e funksioneve të përditshme për një kohë. Por medikamentet aktuale nuk ndalojnë apo e kthejnë Alzheimerin. Për shkak se Alzheimer prek të gjithë ndryshe, trajtimi është shumë i individualizuar.

Fruti i qershisë është një burim i pasur antioksidantësh. Studimet kanë treguar se qershitë e tharta kanë veti antioksiduese dhe anti-inflamatore.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img