Pretendimi: Doktor Berishës i bie kondicioneri nga dritarja gjatë fjalimit. Plagosen ndjekësit
Verdikti: Satirë
Që prej dhjetorit të kaluar, lideri i demokratëve, Sali Berisha, vijon komunikimin e përditshëm me ndjekësit e tij nga dritarja e banesës ku qëndron në arrest shtëpie. Kulmi i entuziasmit dhe festës në këtë situatë të pazakontë u regjistrua ditën e djeshme, kur demokratët festuan vendimin pozitiv të Gjykatës së Apelit për njohjen e Partisë Demokratike të drejtuar nga Berisha.
Mirëpo, duket se e gjitha kjo situatë është përdorur edhe në rrjetet sociale për të krijuar situata komike. Disa nga portalet kanë shkruar për një “aksident” që ka ndodhur gjatë fjalimeve të Berishës.
“AKSIDENTI / Doktorit i bie kondicioneri nga dritarja gjatë fjalimit, disa Rithemelues të plagosur/ Detajet”- njofton titulli i një shkrimi të “Portali 24”.
Postimet e shpërndara në portale
Artikulli është sjellë nga portali në format serioz, ku ka edhe lexues që kanë besuar se kjo është e vërtetë.
“Gjëra që edhe ndodhin! Fatmirësisht që s’ka të lenduar!”-shkruan një prej komentuesve.
“Shyqyr që nuk është vrarë njeri!”-shkruan një tjetër në koment.
Mirëpo, nëse do të klikojmë linkun shohim se shumë nga ngjarjet e përshkruara në artikull janë shkruar me nota humoristike. Pas leximit të plotë të artikullit, vetëm në fund të tij, është vendosur një shënim që mund të njoftojë lexuesit se bëhet fjalë për një rubrikë satirike.
Nga kërkimi i mëtejshëm konstatuam se shkrimi është marrë nga rubrina “Patronazhisti” e një prej portaleve në vendin tonë, e cila është një rubrikë satirike.
Lexuesit duhet të tregohen të kujdesshëm në rastin e raportimeve të tilla, pasi nëse do të kishte ndodhur vërtetë një ngjarje e tillë, do të ishte pasqyruar gjerësisht në të gjitha mediat kryesore në vendin tonë.