BallinaAktualitetSamiti BE-Ballkani Perëndimor, hap pas hapi, nga "shtetrrethimi" tek incidenti në protestën e opozitës

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, hap pas hapi, nga “shtetrrethimi” tek incidenti në protestën e opozitës

Tirana priti një takim të 27 udhëheqësve të Bashkimit Europian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në samitin e parë të organizuar në një vend jo anëtar të BE-së, një shenjë simbolike e unionit për integrimin europian të rajonit. Gjatë këtij samiti u firmos marrëveshja që do të lejojë uljen e tarifave të komunikimit telefonik mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe u diskutuan temat më të nxehta që e shtyjnë Europën në sfida të përbashkëta. Paralelisht me samitin, në anën tjetër të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku opozita protestonte kundër qeverisë së kryeministrit Rama, një qytetar goditi në fytyrë ish-kryeministrin Sali Berisha, duke e lënë atë të gjakosur. Kjo nuk e ndali protestën që vijoi paqësisht.

6 Dhjetor 2022

Tirana u zgjua në shtetrrethim.

Policia kishte vendosur perimetrin e sigurisë në kryeqytetin e dominuar nga ndjenja e ‘mbylljes totale’, për të pritur samitin e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor që për herë të parë organizohet në një vend jo anëtar të BE-së.

Nëpër rrugë, të rinjtë tregonin kartat e studentit për të kaluar kordonin e policisë që bllokonte rrugën drejt shkollës. Kush kishte takim tek mjeku, nuk ishte aq me fat sa studentët, ndaj u kthye andej nga erdhi.

Ora 09:00

Udhëheqësit e Europës dhe Ballkanit Perëndimor, pak nga pak, dikush më vonë se tjetri, u mblodhën në sheshin Italia, përpara stadiumit Air Albania, ku i priste kryeministri Edi Rama.

E para mes tyre ishte Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shprehu për mediat pritshmëritë e Kosovës ndaj BE-së për “të lëvizur nga fjalët në vepra, si për liberalizimin e  vizave edhe për të mbështetur aplikimin e Kosovës për antarësim në BE” gjë që njoftoi se do të ndodhë në fund të këtij viti.

Menjëherë pas saj, mbërriti homologu serb, Aleksandër Vuçiç i cili vuri “gishtin në plagë” kur theksoi afërsinë që shteti i tij ka me Rusinë. U tha se po ndiqnim udhëzimet e Moskës për të shkaktuar destabilizim në Ballkan dhe ne e kemi përgënjeshtruar me vepra këtë – tha Vuçiç për mediat – por e vërteta del, jemi drejt rrugëtimit europian dhe kështu do të mbetet.

Pas tij, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel theksoi një tjetër element të rëndësishëm të takimit. “Eshtë mbështetja që duam t’i japim Ballkanit Perëndimor në raport me krizën energjetike nga agresioni rus në Ukrainë”, tha Michel duke përsëritur bindjen se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt me Ballkanin Perëndimor brenda Europës dhe se “të gjithë duhet të përmbushin detyrat e veta”.

Ora 10:00

Pasi priti udhëheqës të tjerë europianë, sëbashku me ta kryeministri Rama mori rrugën drejt Pallatit të Kongreseve, për të firmosur marrëveshjen mes vendeve pjesëmarrëse për lehtësimin e komunikimit telefonik.

Dokumenti i firmosur mes vendeve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, detyron operatorët e telekomunikacionit në këto vende, të ulin tarifat roaming.

Sipas kësaj marrëveshjeje, duke nisur nga data 1 Tetor 2023 do të zbatohen tarifa të reduktuara për komunikim mes rajonit dhe BE-së. Tarifat roaming mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë hequr prej korrikut 2021, sipas Marrëveshjes Rajonale të Roaming-ut, nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ora 11:00

Agjenda e Samitit parashikonte një takim për shkëmbim të pikëpamjeve mes liderëve europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimeve liderët diskutuan disa çështje kryesore si:

  1. Konflikti Rusi – Ukrainë
  2. Angazhimi politik
  3. Siguria dhe qëndrueshmëria
  4. Emigrimi

Ora 12:00

Pas shkrepjes së fotos familjare, udhëheqësit e vendeve europiane dhe ata të ballkanit perëndimor, u gostisën me disa shfaqje të ansamblit të këngëve dhe valleve popullore, përpara se të niseshin përsëri drejt Pallatit të Kongreseve ku zhvillohet seanca plenare.

Ndërkohë, në anën tjetër të Bulevardit Dëshmorët e Kombit, protesta e paralajmëruar e opozitës shqiptare, mori një kthesë të papritur, që sfumoi harenë e ngjyrave europiane. Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë rrugës për të shkuar në protestën e thirrur prej tij, është goditur me grusht nga një qytetar, duke e gjakosur në fytyrë. Kjo nuk e ndali protestën e opozitës e cila vijoi paqësisht.

 

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img