BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingMasat kufizuese për samitin penguan frekuentimin e mësimit në Tiranë

Masat kufizuese për samitin penguan frekuentimin e mësimit në Tiranë

Masat për kufizimin e qarkullimit për shkak të mbajtjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor në kryeqytet, kanë penalizuar ndër të tjera, shumë nxënës, të cilët nuk kanë arritur të shkojnë në shkollë. Ndonëse, ministrja e Arsimit, Evis Kushi deklaroi se mësimi do të vijojë normalisht në institucionet arsimore, pezullimi i transportit publik dhe bllokimi i rrugëve, nuk e lejuan një gjë të tillë. Faktoje konstatoi gjatë verifikimit në terren, se shumë nxënës e kishin të pamundur që të shkonin sot në shkollë.

————————————————————————————————-

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi njoftoi se në datën 6 dhjetor mësimi në kryeqytet do të vazhdojë normalisht, pavarësisht kufizmeve për shkak të mbajtjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor në kryeqytet.

“E detyruar nga pyetja e vazhdueshme: A do jenë pushim shkollat në datën 6? Po e ripërsëris se ditën e martë, datë 6 dhjetor, mësimi do të vijojë normalisht në të gjitha shkollat e Tiranës”, deklaroi ministrja  Kushi më 2 dhjetor.

Për shkak të mbajtjes së Samitit në Tiranë, Bashkia e Tiranës njoftoi pezullimin e transportit publik në kryeqytet. Ndërkohë, Policia e Shtetit bëri të ditur rrugët ku nuk do të lejohej kalimi i automjeteve dhe qytetarëve.

Kufizimet në Tiranë, 6 dhjetor 2022

Mirëpo, sa të mundur e patën nxënësit të shkojnë në shkollë, kur rrugët në kryeqytet u bllokuan dhe transporti public u pezullua?

Faktoje bëri një verifikim në terren në mëngjesin e 6 dhjetorit, ku biseduam me fëmijë dhe prindër të prekur nga kjo situatë. Shumë prej tyre thanë se janë nisur që herët në mëngjes në mënyrë që të arrijnë të dërgojnë fëmijët në shkollë.

“Kam dalë që në orën 7 pa 20 nga shtëpia për të sjellë fëmijën te shkolla ‘Kosova’, sepse kishim frikë mos na bllokoheshin rrugët. Ishim shumë të stresuar, pasi u njoftuam që nuk do lejohej as kalimi i këmbësorëve në zonën e Rrugës së Elbasanit”, shprehet S.M. prindi i një nxënësi në klasën e shtatë.

Shkolla “Kosova”, 6 dhjetor 2022

Nxënës të shkollës “Asim Vokshi” në Tiranë, të cilët janë transferuar për të zhvilluar mësim në ambientet e gjimnazit “Qemal Stafa” thanë se e patën të pamundur të shkojnë në mësim, pasi një pjesë e tyre jetojnë në zonën e Shkozës.

“Më shumë se gjysma e klasës sime nuk shkon dot në shkollë, sepse ne jetojmë në Shkozë dhe nuk kemi me çfarë të shkojmë në shkollë”, thotë një nxënës për Faktoje.

E njëjta situatë edhe në shkollën “Sabahudin Gabrani” në Tiranë. Nxënës të kësaj shkolle theksojnë se një pjesë e bashkëmoshatarëve të tyre që vijnë nga zona e Laprakës apo Kamzës kanë njoftuar se nuk kanë mundësi të ndjekin mësimin këtë të martë, për shkak të mungesës së transportit publik, por edhe bllokimit të rrugëve.

“Gjysma e klasës sime nuk arriti të vijë në shkollë se shokët janë në Laprakë apo në Kamzë dhe nuk vinin dot në këmbë”, tregojnë nxënësit.

Përpos kësaj, Faktoje konstatoi se grupe gjimnazistësh nuk u lejuan të kalojnë për të shkuar në shkollë, në zonën e rrugës së Elbasanit apo zonës së Kryesisë së Kuvendit, për shkak të bllokimit të rrugëve.

Nxënës që nuk lejohen të kalojnë në Tiranë, 6 dhjetor 2022

Shkollat private

Për sa i përket shkollave private, të cilat përgjithësisht ofrojnë edhe transportin,  Faktoje mëson se një pjesë e tyre e kanë pezulluar mësimin ditën e sotme, ndërsa të tjerë po e zhvillojnë online. Në njoftimin e shpërndarë për prindërit bëhet e ditur se shkak për këtë vendim është bërë bllokimi i lëvizjes.

“Siç e dini, ne bëmë të pamundur për të mbajtur shkollën hapur, por tani mendojmë se është e pamundur dhe me keqardhje do na duhet të jemi mbyllur të martën. Kërkojmë ndjesë dhe kuptojmë se kjo do të shkaktojë disa probleme për familjet, veçarësisht për prindërit që punojnë, megjjithatë, sasia e ndërprerjes së udhëtimit që pritet për autobusët tanë dhe aftësia e stafit tonë për të udhëtuar drejt dhe nga shkolla, e ka bërë mbylljen e shkollës të nevojshme”, është ky njoftimi i shpërndarë për prindërit në një prej shkollave jo publike në Tiranë.

Njoftimi i shpërndarë për prindërit, 5 dhjetor 2022

Megjithatë në një shkollë 9 vjeçare jo publike në zonën e “Myslym Shyrit” mësimi ka vijuar dhe transporti i fëmijëve është realizuar, ndonëse me dis avones.

Në lidhje me vendimin për kufizimin e qarkullimit dhe sa do të ndikojnë kjo te prindërit për të dërguar fëmijët në shkollë, kopsht dhe çerdhe, Faktoje hapi edhe një sondazh në rrjetet sociale.

Nga rezultatet, 92% e ndjekësve online votuan ‘PO’, pra samiti i 6 dhjetorit dhe masat e marra i kufizuan në dërgimin e fëmijëve në institucionet arsimore, ndonëse ato janë të hapura.

Sondazhi në rrjetet sociale të Faktoje

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img