BallinaTë pambajturaSaga e premtimeve të pambajtura për Bypass-in e Vlorës

Saga e premtimeve të pambajtura për Bypass-in e Vlorës

INVA HASANALIAJ 

Shumë i përfoluri Bypass-i i Vlorës duhet të kishte nisur punimet me fillimin e muajit shtator, ose të paktën këtë presim që të ndodhë së shpejti pas lajmërimit që ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bëri në datën 23 qershor gjatë prezantimit të projekteve për Vlorën.

“Sot që flasim jemi në fazën e procedurave të tenderimit për bypass-et e Fierit dhe Vlorës dhe në shtator do të kemi kontratën në fuqi dhe do të fillojnë të ekzekutohen punimet”, – theksoi Gjiknuri.

Bypass-i i Vlores lidh autostradën Levan – Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë- Sarandë, ndërsa gjatësia e këtij aksi është 29 km dhe fillon që nga Rrethrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë.

Ajo që kujtojmë për këtë bypass është se, punimet për të janë zvarritur për probleme nga më të ndryshmet, të cilat nisin që nga shpronësimet deri tek konflikte mes palëve kontraktore dhe nënkontraktore.

Saga e ndërtimit të kësaj nyje të rëndësishme ka filluar që në vitin 2012-të ndërsa ishte parashikuar të përfundonte vitin e kaluar. Më poshtë “Faktoje” sjell një kronologji të premtimeve për ndërtimin e kësaj vepre nga ministrat e Transportit në kohë respektive.

19 mars 2015

Firmoset kontrata e punimeve për Bypass-in e Vlorës. Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto kërkoi nga kompania që të punojë me standarde të larta sidomos për sinjalistikën dhe sigurinë rrugore.

Në gusht të 2017-ës, qeveria njoftoi prishjen e kontratës me kompaninë italiane “Serenisima” për mospërmbushje të detyrimeve dhe rinisjen procedurave të tenderimit.

15 qershor 2018

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, gjatë inspektimit të dy kantiereve të ndërtimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar në zonën e Fierit njoftoi përfundimin e parakualifikimit të fazës së parë të dy bypass-eve, atë të Fierit dhe atë të Vlorës.

Nisur nga këto premtime dhe problematika, “Faktoje” vendosi të komunikojë me Autoritetin Rrugor shqiptar për të marrë një informacion më të detajuar mbi nisjen e punimeve për këtë segment rrugor dhe koston financiare që ka patur ndërprerja e tyre.

Nga përgjigjja që morëm mësuam se fillimisht është lidhur një kontratë me shoqërinë “Serenissima Construzioni SpA” në datën 19 mars 2015, ku data e fillimit të punimeve ishte 15 prill 2015. Sipas kësaj kontrate data e përfundimit të punimeve do të ishte 15 tetor 2017 dhe një vit do të ishte Periudha e Garancisë së Defekteve (15 tetor2018).

Në 15 maj 2017 ARRSH procedoi ndërprerjen e kontratës si pasojë e performancës së dobët të shoqërisë kontraktore.

Kostoja e punimeve të kryera nga kjo kompani (kostoja e ndërprerjes së punimeve) është 4,698,896.88 euro (pa TVSH), ndërsa vlera fillestare e saj 35, 289, 872.64 euro (pa TVSH).

Kjo sigurisht përbën një kosto financiare për buxhetin e shtetit ndërsa nga ana tjetër vazhdon e vështirëson jetën e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë të detyruar të vuajnë  pasojat e një premtimi të pambajtur.

Nisur nga sa përmendëm më sipër dhe nga gjendja aktuale e Bypass-it të Vlorës,  “Faktoje” e konsideron si PREMTIM të PAMBAJTUR.

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img