.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaShkelen sërish afatet e kryeministrit Rama, asnjë nga 143 shkollat e dëmtuara nuk është gati

Shkelen sërish afatet e kryeministrit Rama, asnjë nga 143 shkollat e dëmtuara nuk është gati

Tre javë para fillimit të vitit të ri shkollor, asnjë nga 143 shkollat e dëmtuara nga tërmeti nuk ka përfunduar së rindërtuari. “Faktoje” ka evidentuar sesi kanë ndryshuar premtimet e kryeministrit Edi Rama gjatë këtyre nëntë muajve e bashkë me to dhe afatet për rindërtimin e shkollave të cilat ishin prioritet për qeverinë.


30 dhjetor 2019

“Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm. Në sezonin e ri shkollor 2020-2021 fëmijët e shkollave të rrënuara do ta nisin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira sesa ato që kishin përpara tërmetit.”- tha zoti Rama më 30 dhjetor.

16 Mars 2020

“Plani ynë për rindërtimin, as nuk shtyhet, as nuk ndryshon. Madje sot, tani që flasim, ne kemi nxjerrë edhe thirrjen publike për tenderin ndërkombëtar të shkollave, 7.9 mld lekë, pra 79 mln dollarë për 59 shkolla të reja.”- tha kreu i qeverisë në një mesazh video më 16 mars.

24 prill 2020

Ashtu siç kemi shkruar më parë, me kalimin e muajve kryeministri Rama, së bashku me ministrin e Rindërtimit, zotin Arben Ahmetaj kanë lëvizur nga premtimi fillestar. Megjithatë data më e largët që kishin vënë si afat për përfundimin e shkollave deri në takimin online të datës 24 prill mes kryeministrit Rama, ministrit të Rindërtimit Ahmetaj dhe kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, zotit Dritan Agolli, ishte fundi i dhjetorit.

12 gusht 2020

Kjo deri më datë 12 gusht të këtij viti, ku në një postim në Facebook për shkollën e Bathores në Kamëz, kryeministri Rama e ka shtyrë sërish afatin për rindërtimin e plotë të shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Kreu i qeverisë bëri me dije se 143 shkolla që do të rindërtohen nga e para do të jenë gati brenda vitit 2021.

Që nga ajo ditë, kryeministri Rama ka publikuar thuajse në mënyrë të përditshme procesin e rindërtimit të shkollave të ndryshme, duke e mbyllur postimin gjithmonë me të njëjtat fjalë:

143 shkolla të reja me standarde europiane, të gjitha gati brenda vitit 2021, në vend të godinave të sojsojshme të goditura nga fatkeqësia e fundvitit 2019, janë një përgjigje kuptimplotë në emër të Shqipërisë që duam.”

Cfarë po ndodh me shkollat në Thumanë, Fushëkruje, Durrës dhe Tiranë?

Më 19 gusht Faktoje shkoi në terren në disa nga shkollat ku procesi i rindërtimit është në stadin më të avancuar, përfshirë shkollën “Neim Babameto”, në Durrës për të cilën kryeministri Rama ka bërë këto ditë një postim në Facebook.

Shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto”, Durrës

Ashtu siç tha dhe kryeministri Rama, kjo shkollë po rilind, por fatkeqësisht nuk do t’ia dalë mbanë të rilindë brenda shtatorit, muaj i cili ishte përcaktuar si afat, pasi mbarimi i punimeve është caktuar për muajin dhjetor 2020.

Shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto”, Durrës

“Faktoje” shkoi edhe në Thumanë, Fushë-Krujë, Shijak si dhe vëzhgoi 3 shkolla të Tiranës të përcaktuara për t’u rindërtuar nga e para.

Shkolla 9-vjecare dhe Kopshti “Ramazan Jangozi”, Thumanë

Në Thumanë, zonën që u kthye në simbol për shkak të dëmtimit nga tërmeti dhe humbjes në jetë njerëzish, nuk ka filluar fare puna për rindërtimin e shkollës së re, ndërsa afati për mbarimin e punimeve është vënë muaji nëntor i këtij viti.

Shkolla 9-vjecare dhe Kopshti “Ramazan Jangozi”, Thumanë

Në kantierin e shkollës së mesme “16 Shtatori” në Shijak puna kishte filluar, por edhe këtu afati për ndërtimin e punimeve e kishte tejkaluar muajin shtator, duke u vendosur për në përfundimin e vitit 2020.

Shkolla e mesme “16 Shtatori”, Shijak

Shkolla e mesme “16 Shtatori”, Shijak

Edhe në shkollën “Kastriot Derveni” në Fushë-Krujë puna në kantierin e ndërtimit kishte filluar për rindërtimin e saj, por as këtu nxënësit nuk do të mund të ulen në bankat e reja për fillimin e vitit të ri shkollor. Muaji nëntor është përcaktuar si afat për mbarimin e punimeve, periudha më e afërt në të cilën do të hapin dyert shkollat e para të rindërtuara.

Shkolla 9-vjeçare dhe Kopshti “Kastriot Derveni”, Fushë-Krujë

Shkolla 9-vjeçare dhe Kopshti “Kastriot Derveni”, Fushë-Krujë

Në Tiranë puna ecën me ritme edhe më të ngadalta për rindërtimin e shkollave të reja të dëmtuara nga tërmeti. Shkolla e mesme “Sami Frashëri” është lënë gërmadhë që në ditën kur u shemb. Aty jo vetëm që nuk ka filluar puna për rindërtimin e saj, por nuk janë hequr as inertet nga oborri.

Shkolla e mesme “Sami Frashëri”, Tiranë

Po ndërsa për këtë shkollë të paktën është shembur ndërtesa, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për dy shkolla të tjera të Tiranës, “Qazim Turdiu” dhe “Lasgush Poradeci”, të pozicionuara respektivisht në zonat e Don Bosco dhe Kombinatit në Tiranë. Këto shkolla janë përcaktuar për t’u rindërtuar nga e para, po në oborrine  tyre është ende prezente ndërtesa e shpallur e papërdorshme.

Shkolla 9-vjeçare “Qazim Turdiu”, në zonën e Don Bosco

Shkolla 9-vjeçare “Lasgush Poradeci”, në zonën e Kombinatit

 Afati i vendosur nga kryeministri Rama për rindërtimin e të gjitha shkollave të dëmtuara nga tërmeti brenda shtatorit të vitit 2020 ishte shtyrë që më parë, por sot është e qartë që as edhe njëra nga 143 shkollat e përcaktuara për t’u rindërtuar nuk do të përfundohet brenda këtij afati.

Lexo edhe: https://faktoje.al/fatkeqesia-nga-termeti-dhe-nga-zvarritja-e-rindertimit/

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img