BallinaUncategorizedSa u zbatua urdhëri për vaksinimin e detyruar të studentëve dhe pedagogëve në Vlorë

Sa u zbatua urdhëri për vaksinimin e detyruar të studentëve dhe pedagogëve në Vlorë

JEROLA ZIAJ

Prej nisjes së vitit akademik, në Vlorë hyrja në auditorë e studentëve apo pedagogëve të pavaksinuar, ka qenë e pakushtëzuar, pavarësisht urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë që detyronte vaksinimin anticovid. Në Universitetin “Ismail Qemali”, ku studiojnë 4100 studentë, lejohet hyrja pa paraqitur ndonjë certifikatë vaksinimi apo vërtetim për tampon negativ. Autoritetet shëndetësore dhe ato universitare madje nuk kanë as shifra konkrete se sa studentë janë vaksinuar.

 

 “Mund të vijë momenti duke pasur parasysh se çfarë po ndodh në botë, që vakisnimi për studentët që hyjnë në auditore të jetë i detyrueshëm. Do duhet ta bëjmë që tani, që nëse vjen momenti të mos na thonë pse s’na thatë. Vaksina nuk të heq 100% rrezikun, por bën që kur infektohesh të mund ta kalosh më lehtë. Dhe askush nuk ia ka borxh njeri që të shkojë në spital vetëm se thonë s’du, nëse s’do mos hyr në auditor”- u shpreh kryeministri Rama në gusht 2021, teksa bëri thirrje për vaksinim masiv të studentëve dhe pedagogëve.

Në fund të shtatorit 2021, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi vaksinimin e detyrueshëm të stafit mësimor në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, duke kërkuar që edhe studentët dhe pedagogët të kryejnë vaksinimin anticovid, ose në mungesë të saj të kryejnë rregullisht çdo javë tamponin.

 

Por nga një verifikim për Faktoje në universitetin e Vlorës, rezultoi se ky urdhër nuk është zbatuar, ndërkohë që jo zyrtarisht raportohet nivel i ulët vaksinimi te ky komunitet.

Hyrja në Universitetin “Ismail Qemali”, ku studiojnë rreth 4100 studentë është e lirë, pavarësisht nëse frekuentuesit, kanë kryer një dozë të vaksinës, dy doza apo dhe asnjë prej tyre.

“Nuk kemi asnjë akses në shifra apo lista emërore sa u takon të dhënave të vaksinimit. Në mirëbesim studentët e mi, më janë përgjigjur nëse janë vaksinuar ose jo dhe më rezulton se deri tani janë vaksinuar 1/3 e tyre.”- tha për Faktoje një pedagoge e fakultetit të Drejtësisë, e cila nuk pranoi të identifikohej.

Sakaq, pedagogët pranojnë së ata kanë pasur rezerva sa i përket urdhërit për vaksinim të detyruar dhe se shpesh nuk i kanë “përzënë” studentët nga auditorët për mungesë të ceritifikatës së vaksinimit apo tamponit negativ.

Zv. Rektorja e Universitetit “Ismail Qemali” Frosina Londo, tha për Faktoje, se tani është periudhë sezoni provimesh dhe kontrollet nuk janë zhvilluar, por sipas saj kujdes për këtë çështje tregon stafi akademik.

Zyrtarisht Londo, pranon se nuk ka shifra të sakta rreth vaksinimit të studentëve, pasi kjo situatë kërkon azhornim ditor.

Nga ana tjetër, shefi i Epidemiologjisë në Vlorë, Agron Bashllari pranon se është pothuajse e pamundur të përcaktohet saktë numri i studentëve të vaksinuar. Sipas Bashllarit arrihet të shikohet kategorizimi i të vaksinuarve, pavarësisht nëse ata janë studentë në Vlorë, Tiranë, jashtë vendit apo në universitet private. Ndërkohë, shefi i epidemiologjisë pranon se interesimi në radhët e studentëve për vaksinimin ka qënë më i ulët sesa i kategorive apo grupmoshave të tjera.

“Interesimi i të rinjve për vaksinim është ulur ndjeshëm edhe vaksinimi detyruar nuk arriti të zgjojë interesin e tyre. Na pengon edhe fakti se nuk kemi të dhëna të sakta për popullësinë rezidente në qytet edhe pse mendojmë se deri tani është vaksinuar rreth 70% e popullsisë, me një ose dy doza të vaksinës.”-tha për Faktoje Bashllari.

Agron Bashllari, shefi i Epidemiologjisë, Vlorë

Stivi M. student në vitin e parë në universitetin “Ismail Qemali”, në Vlorë, pranon se deri më tani nuk ka kryer asnjë dozë të vaksinës.

“E kam refuzuar vaksnimin. Vetëm dy javët e para bëra tampon, më vonë nuk ishte e nevojshme dhe asnjë nuk e kërkonte. Nuk më ka sjellë asnjë pengesë mungesa e certifikatës së vaksinimit të paktën deri më tani.”- thotë studenti për Faktoje.

Pas javës së parë nga nisja e vitit të ri akademik, në qarkun Vlorë u shënua rritje e lehtë e të interesuarve për vaksinim, por në universitetin “Ismail Qemali” nuk raportohet të ketë pasur ndonjë masë kufizuese ndaj studentëve apo stafit akademik që refuzoi të vaksinohej.

Qarku i Vlorës në muajt e vjeshtës 2021, renditej ndër 5 të parët për numrin e rasteve aktive me covid 19, ndërsa në fillim të vitit 2022 ky qark renditet e katërti duke shënuar një rritje të rasteve të prekura me virusin covid 19 dhe variantet e reja.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img