Ina Allkanjari
Qeveria shqiptare vendosi të subvencionojë studimet në fushën e sigurisë kibernetike me një një fond të posaçëm kualifikimin për rreth 2 mijë kodues. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi në muajin dhjetor 2021 se do të marrë drejtimin për garantimin e mbrojtjes kibernetike në vend, një nismë në kuadër të rritjes së nivelit të krimit dhe sulmeve kibernetike. Por çfarë kapacitetesh ka sot shtetit Shqiptar në luftën kundër krimit kibernetik?
————————–
“Krahas bachelorit në sistemin e arsimit privat apo shtetëror do të shtojmë dhe do të mbështesim, do të subvencionojmë me një program të posaçëm qeveritar edukimin dhe trajnimin e shpejtë në fushat për të cilat po flasim pra kodim, programim, mbrojtje kibernetike. Ne kemi një fond për mbështetjen e 1 mijë apo 2 mijë koduesve ose të rinjve që duan të kualifikohen dhe të bëhen kodues apo të punojnë në të gjitha fushat e IT, këto si subvencion pra për të paguar bursat e tyre”- deklaroi ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi më 6 dhjetor, i cili si drejtues i institucionit do të marrë drejtimin për garantimin e mbrojtjes kibernetike.
Nisur nga deklarata e ministrit Peleshi gjatë aktivitetit inovativ “Cyber Camp Albania”, Faktoje vendosi t’i dërgojë një kërkesë për informacion Ministrisë së Mbrojtjes. Ndër të tjera ne kërkuam informacion se çfarë roli do të ketë Ministria e Mbrojtjes në garantimin e mbrojtjes kibernetike dhe se çfarë pritet të arrihet konkretisht në këtë bashkëpunim mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Certifikimit Elektronik të Mbrojtjes Kibernetike.
Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes datë 25.01.2022
Në përgjigjen e ardhur për Faktoje në datë 8 shkurt, Ministria e Mbrojtjes shkruan se Qeveria shqiptare është duke studiuar variantet më të mira, sipas modeleve më të avancuara ndërkombëtare, ndërkohë që kanë ngritur NJUSK, “Njësia Ushtarake e Sigurisë Kibernetike”.
“Ministria e Mbrojtjes do të punojë në drejtim të garantimit të sigurisë kibernetike të sistemeve ushtarake, nëpërmjet mbrojtjes së infrastrukturave të informacionit, fuqizimin e mjeteve teknologjike dhe ndërtimin e një mjedisi të sigurt kibernetikë, me kapacitetet e kërkuara profesionale në fushën e sigurese se informacionit.”-thuhet ndër të tjera në shkresën e dërguar nga ministria.
Ky institucion sqaron se aktualisht pranë Akademisë së Forcave të Armatosura (AFA) janë duke ndjekur studimet15 pesëmbëdhjetë studentw, ndërsa shpjegon se çfarë është menduar konkretisht në kuadër të zhvillimit të mundësive të kualifikimit dhe trajnimeve në këtë fushë.
“Është menduar që në kuadër të strategjisë së MM për të transformuar tërë sistemin e përgatitjes së oficerëve dhe arsimimit e trajnimit në FA të intensifikohet përgatitja e ushtarakeve dhe civilëve të specializuar në fushën e IT dhe të mbrojtjes Kibernetike. Në këtë kontekst u hap dega IT në fushën e mbrojtjes, në bashkëpunim me Universitetin “Aleksander Moisiu” në Durrës. Gjithashtu është projektuar, që në kuadër të ndërkombëtarizimit duke kaluar AFA në Akademi të ngjashme me akademinë ushtarake të West Point” në SHBA të hapet në proces dega e IT në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes e cila do përgatisë kontingjentet e inxhiniereve edhe për fushën e Mbrojtjes Kibernetike. Kjo do shoqërohet edhe me përthithjen e kontingjentit të studenteve tanë jashtë që ndjekin aktualisht shkollat ushtarake në vendet anëtare të NATO-s në fushën e mbrojtjes kibernetike”-shkruan Ministria e Mbrojtjes për Faktoje.
Screenshot, pjesë nga përgjigja e Ministrisë së Mbrojtjes datë 8 shkurt 2022
Më datë 11 Janar 2022, qeveria shqiptare firmosi marrëveshjen për forcimin e sigurisë së sistemeve digjitale në vend me kompaninë amerikane, “Jones International”.
Në këtë takim, kryeministri Edi Rama është shprehur se në sajë të këtij bashkëpunimi, do të ngrihet një qendër Kombëtare për Mbrojtjen e Sigurisë Kibernitike.
“Ne sot jemi në një fazë të re me SHBA dhe me NATO në përgjithësi, kemi disa investime të rëndësishme në infrastrukturë, ku hyjnë edhe investimet në fushën e mbrojtjes. Është një sfidë e madhe, por duke pasur dhe ndihmën dhe kurajon tuaj, ne do t’ia dalim të kemi një Qendër Kombëtare Sigurie, duke dhënë edhe shërbime përtej kufijve të Republikës së Shqipërisë”- deklaroi kryeministri Edi Rama.
Foto ilustruese
Por si paraqitet aktualisht situata e mbrojtjes kibernetike në vend, kur kanë kaluar rreth dy muaj nga dalja e të dhënave sensitive të qytetarëve në Shqipëri, si informacionet mbi pagat dhe targat e makinave.
Eksperti i Krimit Kibernetik, Besmir Semanaj thotw për Faktoje se lajmi i nënshkrimit të marrvëshjes nga qeveria me kompaninë “Jones International” është një lajm shumë i mirë duke theksuar se kapacitetet e shtetit shqiptar në luftën kundër krimit kibernetik dhe mbrojtjes së aseteve kritike sot për sot janë të pamjaftueshme.
“Aktualisht Shqipëria nuk ka asnjë mundësi të mbrohet nga krimi kibernetik me teknologjinë dhe kapacitetet njerëzore të cilat disponon. Shembulli konkret është skandali me të dhënat të cilat dolën nga sisteme dhe institucione të cilat në parim duhet të na mbronin. Fatkeqësisht nuk arritën t’i mbronin, më e keqja nuk arritën as që të zbulonin në kohë një rrjedhje kaq të madhe të dhënash personale për të gjithë qytetarët e shqipërisë”- tregon Semanaj.
Foto eksperti i krimit kibernetik, Besmir Semanaj
Më tej eksperti shprehet se ndërtimi i një qendre kombëtare për sigurinë është një lajm shumë i mirë, por mënyra dhe qasja se si po punohet të ndërtohet është e gabuar.
“Qeveria duhet të investojë dhe të afrojë ekspertët më të mirë të kësaj fushe dhe të japë trajnime ndërkombëtare dhe jo të mbështetet te kurrikulat e universiteteve shqiptare. Gjithashtu shoh që grupet e interesit dhe shoqeria cilvile që merret me këtë fushë nuk është e përfshirë për konsulta dhe ide. Mbrojtja ndaj krimit kibernetik duhet të shtrihet në shumë institucione shteterore, por edhe kompanitë private duhet të nxiten nga qeveria për investime në mënyrë që efektet e këtij krimi të minimizohen në çdo fushë të jetës së qytetarve. Kjo duhet të nisë nga krijimi dhe implimentimi i ligjeve dhe procedurave si për shtetin dhe për privatin”- tha për Faktoje eksperti i krimit kibernetik Besmir Semanaj.