BallinaFaktometerE PavërtetëA është dyfishuar tarifa e kontrollit në stacionet e karburanteve?

A është dyfishuar tarifa e kontrollit në stacionet e karburanteve?

Alked Luku

Rritja e çmimit të karburanteve në Shqipëri, po ndodhte që para nisjes së luftës në Ukrainë, çka solli një tjetër shtrenjtim të tyre në të gjithë botën. Më herët, në një postim, deputeti i PD Belind Këlliçi, paralajmëronte se është dyfishuar edhe tarifa e kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve. Verifikim i Faktoje, zbuloi se rritja faktike e tarifave nuk ka ndodhur, pasi nevojitet një vendimmarrje nga Ministria e Financave. Por kjo e fundit pohoi se kompania koncesionare Noa Control ka kërkuar rishikim të tarifave dhe është ngritur një grup pune për këtë çështje.

——————————

“Ministria e Financave ka dyfishuar tarifën e kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve nga 14 mijë lekë për pompë në vit që është aktualisht në 28 mijë lekë në vit. Kjo tarifë i paguhet kompanisë koncesionare Noa Control nga shoqëritë e karburanteve”-deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Ai thekson se ky shtrejtim vjen në momentin kur çmimi i naftës ka pësuar rritje. Aktualisht në vendin tonë çmimi i naftës dhe benzinës është në pragun e 200 lekëve për litër ndërsa i gazit të lëngshëm në pragun 100 lekëve për litër.

Screenshot nga Facebook-u i deputetit PD, Belind Këlliçi

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim dhe fillimisht kontaktoi deputetin Këlliçi, përmes e-mailit, duke e pyetur se në cilat burime e bazon konstatimin në fjalë.

Screenshot nga kërkesa drejtuar deputetit Belind Këlliçi

Në përgjigjen dërguar për Faktoje, zoti Këlliçi shprehet: “Informacioni është marrë në bazë të lajmeve të publikuara në portalet MCN, Syri, CNA, Lapsi etj.”

Screenshot nga përgjigjia e deputetit Belind Këlliçi

Ndërkohë Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë më datë 16 shkurt 2022, për të marrë informacion mbi çmimin e shërbimit të ofruar nga kompania koncensonare Noa Control. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, MFE na dërgoi bashkangjitur një informacon të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, ku bëhet me dije se deri në 30 mars 2020, para se të jepej me koncension, ky shërbim është ofruar nga kjo drejtori, në varësi të MFE dhe se deri në atë datë nuk ka pasur ndryshim të çmimit. Ndërsa për periudhën kohore pas dhënies me koncension të shërbimit kjo drejtori nuk disponon informacion.

Screenshot i përgjigjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në lidhje me pretendimin se është dyfishuar tarifa në stacionet e pompave të karburanteve përgjigjet:

“Nuk është dyfishuar dhe nuk ka asnjë vendimmarrje nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në lidhje me këtë çështje. Tarifa që paguhet nga subjektet për shërbimin e verifikimit dhe kontrollit ligjor të instrumentave matës të karburantit dhe gazit të lëngshëm është tarifa e përcaktuar në Udhëzimin e përbashkët të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë dhe Ministrit të Financave nr.2, datë 08.02.2013.” Ky udhëzim garanton mosndryshimin e tarifës së shërbimit, e cila do të mbetet e njejtë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës.

Screenshot nga përgjigjia e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në një deklaratë të datës 16 korrik 2019 shprehej se në bazë të Udhëzimit nr 2 datë 8.2.2013 “Tarifat dhe Pagesat e Sherbimeve” ajo garanton që koncensionari do të aplikojë të njëjtën tarifë që aplikohej asokohe në përputhje me legjislacionin për Metrologjinë dhe se në të ardhmen nuk do të ketë asnjë kosto shtesë gjatë gjithë periudhës së koncensionit. Pra, nuk do të ketë rritje çmimi.

Deklarata e Ministrisë së Financave
Faktoje bëri një verifikim në lidhje me këtë udhëzim i cili dikton tarifat për shërbimin e kontrollit të pompave të karburantëve dhe rezulton që deri më sot të mos jetë aplikuar rritje, pra qëndron në fuqi mos ndryshimi i tarifave.

Screenshot nga Udhëzimi nr 2 datë 8.2.2013 “Tarifat dhe Pagesat e Shërbimeve”

Pak ditë pas interesimit të Faktoje mbi këtë çështje, përmes kërkesës për informacion, më 22 shkurt Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj bëri një deklaratë publike pikërisht në lidhje me këtë çështje. Zonja Ibrahimaj konfirmoi se kompania koncesionare kishte bërë një kërkesë për rishikimin e tarifave dhe për këtë është ngritur një grup pune nga ministria, i cili po vlerson nëse jemi në kushtet e ndryshimit të tyre (tarifave). Grupi Teknik, sipas ministres ende nuk ka dalë me një rezultat.

Dy ditë pas deklaratës së Ministres Ibrahimaj, kompania koncesionare Noa Control, në një deklaratë zyrtare i konsideroi raportimet në media për  dyfishimin e tarifës në stacionet e pompave të karburanteve si të pabaza, por nuk qartësoi se sa është çmimi aktual i shërbimit dhe sa është rritja e kërkuar përmes rishikimit, ashtu siç konfirmoi Ministrja e Financave Ibrahimaj.

Screenshot nga deklarata e kompanisë Noa Control

Ne i drejtuam edhe një kërkesë zyrtare kompanisë Noa Control, mbi sqarimin e këtyre hollësive, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje.

Screenshot nga kërkesa për informacion drejtuar kompanisë Noa Control

Nga verifikimi i kryer, rezulton se deklarata e deputetit Belind Këlliçi për dyfishimin e tarifave në stacionet e pompave të karburantit, është e Pavërtetë, pasi rritja faktike nuk ka ndodhur. Megjithatë Faktoje po mban në monitorim zhvillimet mbi këtë çështje, pas konfirmimit të MFE se kompania koncesionare ka kërkuar rishikimin e tarifave. Kujtojmë se këto zhvillime ndodhën pak ditë para sulmit ushtarak në Ukrainë, konflikt që u pasua me rritjen e menjëhershme të çmimit të karburanteve në të gjithë botën.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img