Situata e tensionuar në veri të Kosovës ka ngjallur reagime edhe nga Kremlini zyrtar, i cili është një aleat i afirmuar i Serbisë. Por disa tituj portalesh, që njoftojmë gatishmërinë e Rusisë për të mbrojtur serbët në rast të një konflikti të mundshëm ushtarak, janë keqinterpretim i deklaratave zyrtare.
Jona Plumbi
Nuk ka asnjë dyshim që Rusia është një nga aleatët më të afërt dhe mbrojtësit e serbëve në pjesën veriore të Kosovës dhe kudo ata ndodhen. Por, të paktën zyrtarisht, zëdhënësi i Kremlinit, ia lejon vetes që të përkufizojë këtë qëndrim si një “ndihmë diplomatike” për aleatin e tyre në Ballkan.
Pas ngulmimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin me tre faza, për të mos lejuar targat e makinave që nuk kanë akronimin RKS të qarkullojnë në Kosovë, situate vijon të jetë e tensionuar dhe nuk kanë munguar edhe incidentet e armatosura. Situata po ndiqet me shqetësim nga faktorët ndërkombëtarë me qëllim parandalimin e çdo përshkallëzimi të mundshëm të konfliktit.
Pikërisht, në një moment të tillë është publikuar në Moskë (më 12 dhjetor) një dekaratë për shtyp e zëdhënësit të Kremlinit, Dimitri Peskov, deklaratë e cila është publikuar me interes në mediat shqiptare, ku nuk kanë munguar edhe titujt abuzivë.
I tillë është rasti i portalit online “jetoilumtur”, i cili njofton në titullin e tij: “Tensionet në veri, reagon Kremlini: Do mbrojmë serbët në rast konflikti”.
Në një version më të zbutur, por përsëri duke rritur dozat e tensionit, përdor edhe gazeta SOT, e cila njofton deklaratën e Peskov, si një “reagim të ashpër të Kremlinit” duke vijuar titullin me retçencë.
“Faktoje” verifikoi konkretisht deklaratën e plotë të Peskov, që mban datën 12 dhjetor, dhe është përdorur për të prodhuar tituj të bujshëm si ai i portalit “jetoilumtur”. Pavarësisht shqetësimit që kjo deklaratë shpreh për situatën në Kosovë, në asnjë moment qendrimi i Rusisë nuk mëton të shkojë më larg se ‘mbështja përt përpjekje të natyrës paqësore të palëve, që situata të zgjidhet me mjete diplomatike’.
Njëkohësisht, në asnjë moment Rusia nuk shpreh qëllimin për “mbrojtjen e serbëve në rast konflikti”, siç njoftohet nga disa portale. Edhe në një qëndrim tjetër të mëparshëm të Moskës, më konkretisht zëdhënëses së ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, njoftohet se “Rusia mbron garantimin e të gjitha të drejtave të serbëve në Kosovë dhe do të vijojë të ndihmojë Beogradin në mbrojtjen e interesave kombëtare sa i përket Kosovës” duke mos folur për “konflikt” në asnjë moment.
Synimi i mbledhjes së klikimeve për përfitime personale bie ndesh me etikën profesionale të gazetarit, i cili ka për detyrë të vetme informimin e lexuesit në mënyrë sa më të qartë dhe të plotë dhe jo të nxisë emocione përmes titujve të pavërtetë, vetëm me qëllim mbledhjen e klikimeve.