Pretendimi: Rusia vendosi ndërprerjen e energjisë dhe internetit në orët e natës për të rritur lindshmërinë
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Një artikull i publikuar në disa media shqipfolëse pretendon se Rusia po ndërpret energjinë elektrike dhe internetin çdo natë pas orës 22:00 për të rritur lindshmërinë në vend. Njoftohet se qeveria ruse i ka parashikuar këto nisma për të limituar kohën që njerëzit kalojnë online në orët e vona, dhe për t’i shtyrë, sidomos çiftet e reja, të kalojnë më shumë kohë së bashku. Në instagram, ky lajm ka marrë mbi 7,000 pëlqime dhe propozime që një nismë e tillë të replikohet edhe në vendin tonë.
Në të vërtetë, qeveria ruse nuk ka ndërmarrë një nismë të tillë dhe këtu bëhet fjalë ende për një propozim të një deputeti dhe jo për një ligj të ri. Në instagram, ky lajm i rremë ka marrë mbi 7,000 pëlqime.

Artikulli në fjalë citon “burime zyrtare” për miratimin e ligjit por pa specifikuar cilat janë këto burime. Në fakt, nuk ka asnjë vendimmarrje nga qeveria ruse mbi një masë të tillë. Ky lajm duket se ka si origjinë një postim në rrjetin X/Twitter nga llogaria Times Algebra ku shkruhet: “LAJM I RËNDËSISHËM🚨 Rusia do të ndërpresë energjinë elektrike dhe internetin pas orës 22:00 për të rritur lindjet.”

Nga verifikimit në mediat zyrtare ruse, mësohet se politikani rus Mikhail Ivanov ka propozuar në parlamentin rus një ligj sipas të cilit çifteve ruse pa fëmijë duhet t’u ndalohet hyrja në rrjetet sociale natën vonë, në një përpjekje për t’i inkurajuar ata të kryejnë marrëdhënie seksuale dhe të krijojnë familje. Propozimi i Ivanov vjen pasi lindjet në Rusi kanë arritur numrin më të ulët në 25 vite, duke ndjekur tendencën e shumë vendeve të tjera në botë.
Në rrjetet sociale, Ivanov ka thënë se “Nëse të rinjtë kalojnë netët para telefonave të tyre në vend që t’i kushtojnë vëmendje njëri-tjetrit, atëherë kjo është një rrugë që nuk çon askund.”
Qeveria ruse është e shqetësuar për situatën e lindjeve në vend dhe për këtë arsye ka ndërrmarrë disa nisma për t’ju kundërvënë kësaj tendence në popullsinë e saj. Në Rusi po zhvillohet një fushatë legjislative e udhëhequr nga figura të fuqishme, duke përfshirë Vyacheslav Volodin, kryetar i Dumës, siç njihet parlamenti rus, për të ndaluar të ashtuquajturën “propagandën e njerëzve pa fëmijë”.
Sipas Reuters, Volodin njoftoi plane për të ndaluar filmat, reklamat dhe mediat që promovojnë një jetë pa fëmijë, duke paralajmëruar se kjo shkon ndesh me “vlerat tradicionale” të shoqërisë ruse. Kjo fushatë ka nisur që në tetor të vitit 2024 dhe sipas propozimit individët mund të përballen me gjoba deri në 400,000 rubla ($ 4,300 dollarë), ndërsa kompanitë mund të gjobiten deri në 5 milionë rubla ($53,000 dollarë) nëse i shtyn njerëzit të mos bëjnë fëmijë. Pra pretendimi se Rusia ka nisur ndërprerje të energjisë dhe internetit çdo natë për t’i detyruar njerëzit të kenë fëmijë është i rremë, dhe nuk lidhet me masat e vërteta që po diskutohen. Masat e vërteta po përqendrohet te censura e medias dhe gjobat kundër atyre që shkojnë kundër vlerave që Kremlini i konsideron tradicionale.