Një video që qarkullon në rrjet pretendon se tregon që “flamuri i zi” është ngritur në Rusi. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video në fakt duket se tregon një rrugë në Iran, gjë që shpjegohet edhe në përshkrimin cirilik në video.

——————————————
Në rrjete sociale po qarkullon video e një flamuri të zi përgjatë një rruge qyteti. Videos i është mbivendosur një shkrim cirilik. Në hapësirat online shqipfolëse, kjo video është shoqëruar me pretendimin se “në Rusi është vendosur Flamuri i Zi.”

Duke qenë se, me një vështrim të parë, vërrehet se shenjat e dyqaneve anë rrugës në video janë në alfabetin arabo-pers, jo cirilik, Fakoje vendosi të verifikojë këtë pretendim.

Hapi i parë ishte përkthimi i shkrimit cirilik të mbivendosur mbi video: “Иран поднял черный

флаг мести”.

Pra, siç dyshuam, duket se edhe vetë mbishkrimi i videos e lokalizon atë në Iran, jo në Rusi.

Vendndodhja e videos në Iran konfirmohet më tej duke kërkuar në rrjet emrat e dyqaneve anës rrugës.

Emri i dyqanit më të dallueshëm, موبایل رضا, përkthehet në “Reza Mobile”, një emër i mbartur nga një numër biznesesh riparimi telefonik, të gjithë të vendosur në Iran, megjithëse në qytete të ndryshme.

Ndërkohë, mbishkrimi në rusisht, i cili paralajmëron se Irani ka ngritur “flamurin e zi të hakmarrjes” është gjithashtu keqinformues.

Eshtë e vërtetë se, mbi varrin e Imam Reza në qytetin e Mashhad të Iranit, më 18 tetor u ngrit një flamur i zi. Ky flamur ngrihet çdo vit, një ditë para nisjes së muajit Muharram, në një ceremoni zije për Imam Hussein

Ngritja e flamurit të zi jashtë muajit Muharram, i cili këtë vit përkonte me datat 19 korrik-16 gusht, nuk ka të bëjë me hakmarrje apo luftë siç është pretenduar online. 

Ky flamur i zi është vendosur mbi kupolën e varrit të Imam Reza si “mbajtje zi për dëshmorët” dhe dënim i “masakrës izraelite në spitalin Ma’madani [Al-Ahli] në Gaza.”

Flamujtë monokrom (njëngjyrëshe) janë traditë antike në Lindjen antike, Arabe dhe të traditës Islame. Në disa transmetime të teksteve të shenjta, thuhet që se flamuri origjinal i Profetit ishte në ngjyrë të zezë.