.

.

BallinaPertejRrugët e Durrësit të destinuara për t’u inauguruar disa herë

Rrugët e Durrësit të destinuara për t’u inauguruar disa herë

ANDI BORA

Prej më shumë se një viti, Durrësi i është nënshtruar një sërë investimesh në infrastrukturë dhe shumë rrugë të këtij qyteti janë kthyer në kantiere ndërtimi si pasojë e shtrimit të rrjetit të kanalizimeve por edhe rikonstruksioneve.

Një nga këto rrugë është edhe “Abdyl Ypi”, në lagjen 17-të të këtij qyteti.

Vitin e kaluar kjo rrugë u rikonstruktua. Në të u shtrua asfalti dhe u ndërtuan trotuaret.

Në maj të vitit 2017 fituesi i tenderit për këtë rrugë u shpall “CAUSHI SHPK”, duke fituar kështu të drejtën për të vënë në zbatim projektin me një vlerë prej rreth 23 milion lekësh të reja.

Por pak kohë më pas kjo rrugë u rikthye përsëri në gjendje rikonstruksioni. U gërrye dhe u hap asfalti për të shtruar tubacionet e kanalizimeve.

Edhe sot që  kjo shkruajmë për këtë çështje, rruga është përsëri në fazë rikonstruksioni, ku sipas tenderit të publikuar në Openprocurement.al është e përfshirë në rikonstruksion së bashku më rrugën “Ksanthipi Syko”.

Po kështu investime të tjera janë kryer edhe ne zonën e quajtur “Valuta”, në hyrje të bulevardit kryesor të Durrësit.

Ndërtimi i një rreth-rrotullimi ka qenë pjesa më e “vështirë” e investimit, pasi është parë disa  herë e arsyeshme ndryshimi i përmasave të tij.

Një faqe në rrjetin social Facebook, e quajtur “Aktiv për Durrësin” e ka raportuar këtë si rast, pas ndërtimit për herë të parë të tij.

Rreth-rrotullimi u prish për t’u ndërtuar një më i vogël, duke investuar kështu në të njëjtën gjurmë.

Por ndërhyrjet në investimet e sapo bëra në këtë zonë nuk u mbyllën vetëm me zvogëlimin e rreth-rrotullimit.

Fotoja më poshtë e dokumentuar nga “Faktoje”, tregon rikonstruksionet që u bënë në hyrjen kryesorë të bulevardit.

Një ditë më pas, një tjetër ndërhyrje u krye duke çarë përsëri shtreswn e saposhtruar. Kjo është dokumentuar përsëri nga faqja “Aktiv për Durrësin”.

Investimet në të njëjtën gjurmë kanë krijuar precedentë në qytetin e Durrësit.

Në vitin 2014 në rrugën “Pavarësia” në këtë qytet u ndërtuan korsitë e biçikletave që nisin nga zona e “Urës së Dajlanit” e duke shkuar më tej deri në afërsi të “Plepave”.

Ky investim u realizua me një kosto prej rreth 204 milionë lekësh të reja.

Një vit më vonë, në 2015- po në të njëjtën rrugë filloi zbatimi i projektit për rikualifikimin e hapësirave në të dyja anët e saj si edhe rrugëve dalëse, e cila arriti një kosto prej rreth 228 milionë lekësh të reja. Ky ishte vetëm loti i parë.

Në vitin 2016 fillon zbatimi për lotin e dytë të rikualifikimit të hapësirave në të dyja anët e rrugës “Pavarësia”. Ky projekt sipas përgjigjes zyrtare të ardhur nga Bashkia Durrës për “Faktoje”, ka një kosto prej 104 milionë lekësh të reja.

Por gjatë kësaj kohe ishin dy projekte të tjera që po zbatoheshin në të njëjtën rrugë; rehabilitimi i ujërave të zeza në zonën e plazhit me një kosto prej 5 milionë euro, kredi e marrë nga Banka Botërore; si edhe krijimi i rrjetit të ri të ujit të pijshëm në të gjithë zonën e plazhit me një kosto prej 1.5 milionë euro, financuar nga qeveria shqiptare.

Në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës, thuhet se të dy investimet e mësipërme nuk prekin investimet e kryera më parë, atë të korsive të biçikletave, ndriçimit dhe gjelbërimit, por faktet flasin ndryshe për këtë deklaratë.

Ajo që shihet nga pamjet e siguruara në maj të vitit 2016 nga Google Earth, është se jo vetëm është çarë asfalti për zbatimin e projektit të Bankës Botërore dhe asaj të qeverisë shqiptare, por janë prishur gjithashtu edhe korsitë e biçikletave që ishin ndërtuar rreth dy vite më parë.

Bashkia Durrës e pyetur nga “Faktoje” nëse ka pasur investime në të njëjtën gjurmë (mbivendosje investimesh) u përgjigj duke thënë e mohuar një gjë të tillë dhe duke e argumentuar se kanë qenë investime në kohë dhe faza të ndryshme.

Shpresojmë që në të ardhmen kjo fazë investimesh të mos kthehet më në një fazë shatërrimesh dhe rikonstruksionesh të panevojshme për rrugë apo segmente rrugore që tashmë janë të ndërtuara.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img