Kryeministri Rama premtoi se edhe në këtë periudhë pandemie, indeksimi i pensioneve do të kryhej. Gjatë muajit prill 670 mijë pensionistë përfituan një rritje me 2.3% siç deklaroi kryeministri. Por rritja e çmimeve të shportës, sidomos gjatë periudhës së pandemisë rezulton e lartë dhe shtesa e përfituar bëhet thuajse e pandjeshme. Ekspertët sugjerojnë përdorimin e instrumentave të tjerë për të ndihmuar shtresat vulnerabël përfshirë pensionistët, në këtë situatë pandemie.
Më 25 mars, kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë kërkoi indeksimin e pensioneve. 2.1 miliardë lekë ishte shuma që qeveria vuri në dispozicion për rritjen e premtuar 670 mijë pensionistëve. Kryeministri Rama në një komunikim të dytë deklaroi:
“Pensionistët, brenda datës 21 do të marrin një pension më të lartë se ai që kishin”,
Më datë 1 prill, Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi në faqen zyrtare vendimin e Këshillit të Ministrave për miratimin e indeksimit të pensionit në masën 2.3%. Por sa i kënaq kërkesat e pensionistëve kjo rritje? Sipas raportit të Instat mbi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin mars të vitit 2020, ndryshimi vjetor gjatë këtij muaji është 2.6%. Rritja më e madhe e çmimeve prej 6.2% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”. Edhe përsa i përket ndryshimit mujor të matur nga IHÇK, kemi një rritje me 0.8% ku sërish ndryshimi është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike sidomos me 2.4% gjatë periudhës së pandemisë.
“Faktoje” pyeti disa pensionistë më 24 prill, nëse kishin marrë pensionin me rritjen e premtuar. Të gjithë personat me të cilët biseduam, banues në qytetin e Tiranës, konfirmuan se kishin marrë pensionin me rritjen nga indeksimi.
Qytetarja me iniciale M.D., 77 vjeçe, kishtë përfituar një rritje prej 500 lekësh dhe kishte marrë 21,152 lekë, nga 20,652 që merrte më parë.
Qytetari me iniciale R.Gj., 75 vjeç, kishte përfituar gjithashtu një rritje prej 500 lekësh.
Qytetarja me iniciale N.B., 80 vjeçe, kishte përfituar rreth 250 lekë, duke marrë afërsisht 179 mijë lekë, nga 176,500 që merrte një muaj më parë.
Kur e pyetëm sesa e ndihmonte kjo shtesë e përfituar, 80-vjeçarja u përgjigj:
“Zarzavatet janë rritur shumë. Për një kile ty të shtohet minimumi 10-20 lekë. Qepa ka shkuar 100-110 lekë, karrota nga 70 ka shkuar 100, domatja është 150 më e lira, patatja shkon mesatarja 100 lekë. Me rritjen 250 lekë që kanë bërë marr maksimumi 1 kg e çerek më shumë patate dhe 1 kg e çerek më shumë qepë.”
Qytetari me iniciale M.P, 65 vjeç, ka përftuar një rritje mbi 200 lekë.
“Rritja është e papërfillshme. 10 lek këtu, 10 lek aty, ikën ajo. Perimet këtu tek ne janë shtrenjtuar, si pazar luksi. Brenda ditës shpenzon 4-fishin e rritjes që është bërë”- tha ai për “Faktoje”.
“Faktoje” pyeti ekspertin e ekonomisë Ilir Ciko, i cili jep këtë koment:
“Në parim nuk ka asnjë gjë të keqe që indeksimi të bëhet. Sa është masa pastaj, duhet 2.3 apo 4.5% këtë unë nuk mund ta them pasi duhet parë pak edhe niveli i inflacionit. Edhe e dyta është që varet nga qasja. Nëse do ta mendojmë që kjo rritje e pensionit është për ta përballuar situatën që është krijuar, kjo është e pamjaftueshme natyrisht. Nëse qeveria do dojë që të mbështesë shtresat në nevojë me ndihmë financiare, kjo jo detyrimisht kryhet nëpërmjet pensionit, kështu që ka forma të tjera asistence që mund t’i japë. Pra, do doja që t’i shihnim pak të shkëputura dhe pjesën e indeksimit unë e shoh si proces krejtësisht normal që duhet të ndodhë. “
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instat mbi masën mesatare të pensionit mujor, në vitin 2018, pensioni mesatar mujor i pleqërisë në zonat urbane ishte 15,875 lekë ndërsa pensioni mesatar mujor i pleqërisë në zonat rurale ishte 8,792 lekë.
*Foto e parë është marrë nga ATSH
JOEL ÇELA