Një video po qarkullon në rrjet duke shpërndarë mesazhin se një qytetar i Kanadasë është rrëzuar në tokë si pasojë e vaksinimit kundër Covid-19. Verifikimi i “Faktoje” tregon se në të vërtetë personi në fjalë është i pavaksinuar ndaj situata e tij shëndetësore nuk mund të jetë shkaktuar prej saj.
Jona Plumbi
Prej nisjes së procesit të vaksinimit, qytetarët janë ndarë në dy kampe të mëdha. Në një anë janë ata që besojnë se vaksina kundër Covid e kryen funksionin e saj, si dhe në anën tjetër janë personat, të cilët jo vetëm nuk besojnë se vaksina ndihmon në përballimin e virusit Covid-19, por edhe se vaksinat MRNA kanë sjellë pasoja shëndetësore të rënda për të vaksinuarit.
Por ndërsa çdokush ka të drejtë të krijojë bindjet e tij bazuar në informacione mbi këtë çështje, ajo që po ndodh rëndomë është shpërndarja e lajmeve keqinformuese për të nxitur besimin e njërës apo tjetrës tezë.
I tillë është rasti i shpërndarjes së një videoje ku shfaqet një qytetar i cili ndërsa qëndron në pragun e derës së shtëpisë, papritur fillon të shfaqë kriza fizike duke u rrëzuar në tokë.
KUJDES! Faktoje ju njofton se videoja tregon pamje të rënda.
Videoja në fjalë mund të shihet këtu.
Si duket edhe në imazhin mësipër të shkëputur nga videoja në fjalë, ajo është shpërndarë nga faqe si “VaxGenocide.com” dhe “Vaccineinjuries.ca”, të cilat janë kundër vaksinimit ndaj Covid-19 dhe besojnë në pasoja të rënda shëndetësore për shkak të kësaj vaksine.
Ajo që është gënjeshtër në këtë rast është se personi në video nuk është aspak i vaksinuar.
Shaner Mcaulay, personi që shfaqet në video, e ka publikuar atë në kanalin e tij YouTube me titullin “Këtë mëngjes kalova një krizë”. Mcaulay vijon duke shpjeguar çfarë ka ndodhur.
“Kjo video është vjedhur dhe është shpërndarë në TikTok me pretendimin se kjo ndodh në rast se vaksinohesh. Për qartësi. Unë jam i pavaksinuar. Dhe sa i përket kësaj, unë jam shumë kundër vaksinimit dhe do rekomandoja të ruheni nga pasojat e vaksinës. Mos nxirrni konkluzione pa më pyetur mua.” – shkruan Mcaulay, i cili është personazh i njohur në Kanada pasi është muzikant si dhe drejton një podcast “the Johnny & Shaner Punk Rock Dadcast” në të cilin ai e ka shpjeguar ngjarjen.
Si mund të dëgjohet edhe në regjistrimin e këtij emisioni radiofonik, në minutin 54:31 Shaner dëgjohet të shpjegojë situatën në të cilën u ndodh dhe mënyrën sesi u ndje pas asaj krize të fortë. Videoja është e Shtatorit 2021. Edhe pse Shanon nuk e sqaron shkakun e krizës që e goditi, ajo që ai njofton është se nuk është vaksinuar.
Në pamje të parë, kriza dhe konvulsionet e këngëtarit ngjajnë me ato të një pacienti me epilepsi apo sëmundje të tjera që godasin pacientët dhe krijojnë bllokime të përkohshme të trurit.
Nisur nga ky informacion i gjetur në rrjet, rezulton se videoja e shpërndarë me pretendimin se kriza e kapur në video është pasojë e vaksinimit, është e pavërtetë.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin