.

.

BallinaDeklarataRrëshqitjet në Gjirokastër, Rama: Do të ndërhyjmë për ta zgjidhur një herë e mirë

Rrëshqitjet në Gjirokastër, Rama: Do të ndërhyjmë për ta zgjidhur një herë e mirë

ANXHELA RUÇI & MERXHAN DACI

Në janar të këtij viti një pallat 8-katësh në lagjen “Kodra e Shtufit” në Gjirokastër rrezikoi të shembej pas rrëshqitjeve masive të dheut. Po ashtu disa shtëpi u dëmtuan rëndë duke u bërë të pabanueshme.

Bujar Gërxholli është një prej banorëve që ka lënë shtëpinë e tij pothuajse të rrënuar, për të jetuar disa pallate më poshtë në një shtëpi me qera. Familjes Gërxholli i janë lëvruar 100 mijë lekë të reja si fond emergjence deri në një vendim të dytë dhe zgjidhjes përfundimtare të rrëshqitjes së dheut në pallatin ku ata banonin.

Ishte investimi i gjithë jetës sime, me shumë përpjekje arrita të bleja këtë shtëpi që tani është mbuluar nga balta”, tregon ai për “Faktoje”.

“Nuk e dimë se ç’do të ndodhë me ne. Na thanë që do fillonin ndërhyrjen në verë që balta të ishte e thatë, po deri tani asnjë nuk ka ardhur.”

Ai gjithashtu shton se fatmirësisht djali dhe gruaja e tij kanë shpëtuar pa dëmtime, pasi kur masivi i dheut deportoi në shtëpi duke mos kursyer asgjë, ata ishin në ambjentet e banesës.

Rama dhe institucionet

Faktikisht për fat të keq nuk ka pas shumë gadishmëri nga ana e Bashkisë por është kapërcyer me kryerjen e studimit të plotë dhe të projektit nga qeveria dhe pavarësisht kostos relativisht të lartë të projektit ne jemi angazhuar që ta bëjmë të plotë ndërhyrjen dhe ta zgjidhim njëherë e mirë atë problem në atë pikë të qytetit që është edhe një shqetësim real për shumë banorë në atë zonë”, tha Rama në 21 maj të këtij viti.

Po atë ditë, në një bisedim më qytetarët e Gjirokastrës, Rama tha se situata do zgjidhej brenda dimrit.

Qytetarja: Unë jam njëra nga banoret e dëmtuara nga pallati…

Rama: Tani mos e zgjat, e përfundojmë para se të fillojë dimri… 

Të pyetur nga “Faktoje”, Bashkia Gjirokastër u përgjigj se në mbledhjen e Prefekturës për këtë rast u morën këto dy vendime:

-Bashkia Gjirokastër të realizojë shpimet gjeologjike si dhe analizën laboratorike për objektin “Rrëshkitja në qytetin e Gjirokastrës, lagjia “Kodra e Shtufit

-Ministria e Mbrojtjes do të realizojë projekt-zbatimin e masave inxhinierike për qëndrueshmërinë e rrëshkitjes së ndodhur në lagjen “Kodra e Shtufit”.

Bashkia shtoi për “Faktoje” se është në pritje të këtij projekti dhe të investimit përkatës për rehabilitimin e zonës.

Ministria e Mbrojtjes e pyetur nga “Faktoje” nuk ktheu përgjigje edhe pse kërkesa për informacion iu dërgua para më shumë se një muaj duke shkelur ligjin për “Të drejtën e Informimit”.

Duke u nisur nga situata në terren, duke përfshirë dëshmi të banorëve dhe përgjigjen e Bashkisë Gjirokastër, “Faktoje” e konsideron në këtë moment deklaratën e Ramës për zgjidhje përfundimtare të situatës si GËNJESHTËR meqënëse 4-muaj pas deklaratës dhe mëse 6-muaj pas ngjarjes ende nuk ka nisur puna për rehabilitimin e zonës.

“Faktoje” gjithësesi e ka nën vëzhgim këtë problematikë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img