Video dhe foto që pretendojnë se shpallja e ‘mobilizimit të pjesshëm’ nga presidenti rus Vladimir Putin ka çuar në një eksod rus drejt Finlandës fqinje kanë qarkulluar së fundmi në media. Sipas verifikimit të “Faktoje” video që tregon radha të gjata në kufirin ruso-finlandez ishte disa javë më e vjetër se deklarata e mobilizimit e Putin.
Patris Pustina
Më 21 shtator 2022, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi mobilizimin e pjesshëm, të parin në Rusi që nga Lufta e Dytë Botërore, që nënkupton thirrje nën armë për 300 mijë trupa rezervë në vend, një proces që do të zhvillohet gjatë disa muajve. Sipas ligjit rus, burra dhe gra nga mosha 18 deri në 60 vjeç mund të thirren, teorikisht, si trupa rezervë, në varësi të gradës së tyre.
Kjo video e botuar më 22 shtator nga faqja e Facebook “BBC Balkan” pretendon se kolona në kufirin Rusi-Finalndë arrin deri në 35 kilometra, teksa rusët ikin “nga lufta e Putinit”. Media të tjera kanë përdorur videon për të shpallur në titull: “Rusët po ikin nga mobilizimi: Kolona të gjata deri në 35 kilometra në kufi me Finlandën”.
Në të vërtetë, video origjinale është postuar në TikTok dhe YouTube më 19 shtator. Megjithatë, autori i videos i tha EuroNews se ajo ishte filmuar dy javë më parë, në fund të Gushtit, dhe se trafiku ishte i zakonshëm në kufi në vjeshtë. Pra, ky ‘eksod’ i pretenduar nuk ka të bëjë me mobilizimin e pjesshëm që u shpall nga Putin më 21 shtator.
Gjithashtu Roja Kufitare Finlandeze njoftoi në Twitter se situata në kufirin me Rusinë nuk ka ndryshuar pas shpalljes së mobilizimit. “Ka video që po qarkullojnë në media sociale, nga të cilat, të paktën disa, janë filmuar më parë dhe tani po nxirren nga konteksti,” shkruan profili zyrtar i policisë finlandeze në Twitter.
Të premten, me datë 23 shtator 2022, Matti Pitkäniitty nga Roja Kufitare Finalndeze postoi në Twitter se një ditë më parë, 6,470 qytetarë rusë kishin hyrë në Finlandë nga kufiri tokësor. Këto numra, shkruan ai, korrespondojnë me trafikun normal gjatë fundjvave në muajt e Gushtit dhe Shtatorit.
Trafiku në një nga pikat kufitare mes Rusisë dhe Finlandës mund të ndiqet live nga kamerat në disa faqe online.
Gjithsesi, sipas Politico, biletat për fluturime nga Rusia janë shitur të gjitha deri të premten dhe çmimet për to janë rritur ndjeshëm. Ndërkohë, EuroNews raporton se presidenti serb Vucic tha se fluturimet nga Moska në Beograd kanë arritur çmime deri në 9,000 Euro në tregun e zi. Biletat për këto fluturime janë shitur për të gjithë muajin dhe çmimi për fluturimet në Tetor u rrit nga 850 Euro të mërkurën, në 1,600 Euro të enjten.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin