Preparatet e prezantuara në portale nuk e trajtojnë hipertensionin, siç pretendohet në artikujt e shpërndarë. Faktoje verifikoi një tjetër shkrim të publikuar online, ku përdoren intervista me mjekë të rremë për të shitur produktin.
Më 6 maj, portalet kanë publikuar një artikull ku ofrohet një kurë për trajtimin e hipertensionit, duke prezantuar një preparat që sipas tyre “iu shpëton” nga tensioni i lartë i gjakut.
“Hipertensioni – është përralla e mjekëve, nga ku ju paguani me para dhe shëndet!”-shkruan portali që mban emrin ‘Lajme Online’.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portali
Në artikull janë përfshirë intervista me mjekë, pacientë dhe personazhe të njohur, në mënyrë që të rrisë besueshmërinë për lexuesit. Doktori i përdorur për të treguar “benefitet” e produktit është quajtur Leonard Saraci. Mirëpo, në një kërkimi të bërë në listën e mjekëve, nuk rezulton të jetë ky emër.
Gjithashtu, gjatë një kërkimi nëpërmjet programeve të verifikimit të fotove, rezulton se imazhi i përdorur i përket nje mjeku rus të identifikuar si Leo Bokeria. Mjeku, tashmë 83 vjeç është kirurg dhe akademik, i cili një vit më parë u pezullua për shkak të disa operacioneve kardiake të dështuara.
Për ta bërë shkrimin sa më të besueshëm, autorët e tij kanë përdorur edhe dëshmitë e personazheve të dashur për publikun. E tillë është aktorja e njohur, Roza Anagnosti.
“Unë u përballa me hipertensionin tashmë në moshën 40-vjeçare. Mbipesha dhe stresi në punë pothuajse më dërguan në kujdes intensiv. Unë erdha në vete në kohë dhe fillova të marr Hypertea. Ai më riktheu plotësisht trupin, mё ndihmoi jo vetëm të shpëtoj nga tensioni i lartë i gjakut dhe problemeve të tjera me enët e gjakut, por edhe për të humbur peshë!”-shkruhet ndër të tjera në artikull. Por, po të shohim me kujdes, vihet re se ka disa pasaktësi, fillimisht sa i takon moshës së artistes së madhe. Nëse do bëjmë një kërkim të thjeshtë në internet, aktualisht Roza Anagnosti është 79 vjeçe dhe jo 40 vjeçe.
Veç aktores, është përdorur edhe emri i këngëtarit Federik Ndoci. Sipas portalit, artisti shkodran është shprehur: “Edhe pse merresha me sport, problemet me zemrën dhe enët e gjakut akoma nuk kaluan. Ishte e frikshme – pas shfaqjeve sytё e mi errёsoheshin, gjithçka më shtrëngonte në gjoks, nuk mund të merrja frymë! Fytyra ime ishte e skuqur gjatё gjithё kohёs nga tensioni i lartё. Madje u desh tё largohesha nga skena pёr ca kohё. Shyqyr qё mjekёt mё keshilluan Hypertea! Mё pastroi enёt e gjakut, mё liroi nga dhimbjet e kokёs, madje edhe problemet me kyçet. Tani tensioni është si ai i një astronauti, po performoj përsëri dhe ndihem mirë!”
Më herët, në një përgjigje për Faktoje, Agjencia Kombëtare e Barnave sqaronte se “Hypertea” është një shtesë ushqimore dhe jo medikament. Ndërsa presidentja e Urdhrit të Farmacistit Diana Toma theksonte se: “Unë jam e bindur që nuk ka mjek që të reklamojë produkte të tilla. Duhet një reagim nga institucionet për të kontrolluar edhe këtë kategori produktesh pasi ndikojnë në jetën e qytetarëve”.
Në një sërë artikujsh, “Faktoje” ka treguar se si portale të caktuara dizinformojnë lexuesit, duke përdorur intervista të rreme për shitjen e medikamenteve apo trajtimeve mjekësore të ndryshme.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin