BallinaPremtimeRindërtimi i shkollave në Durrës, nën trysninë e afateve të vendosura nga kryeministri

Rindërtimi i shkollave në Durrës, nën trysninë e afateve të vendosura nga kryeministri

AURORA SHPATAJ

Durrësi, është ndër bashkitë me numër më të madh institucionesh arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Kur mbeten pak javë nga 1-vjetori i ngjarjes tragjike, në Durrës ka nisur numërimi mbrapsht për përfundimin e rindërtimit të shkollave. Kryeministri Rama është zotuar për hapjen e disave prej tyre në 26 nëntor. “Faktoje” vëzhgoi në terren ecurinë e rindërtimit për 4 shkollat që ndodhen brenda në qytet, por vetëm njëra prej tyre ka përfunduar rindërtimin dhe pret pajisjet për klasat.


“Një pjesë e konsiderueshme e shkollave të reja do të hapin dyert në 26 nëntor dhe në përfundim të kësaj rilindjeje shembullore nga gërmadhat e 26 nëntorit tragjik të vitit të shkuar do të kemi 140 shkolla e kopshte të reja”- tha kryeministri Rama në një video të postuar në rrjetin e tij social, facebook pas një inspektimi në disa zona të Durrësit ku po punohet për rikonstruksionin.

Nga një artikull i publikuar në “Faktoje” rezulton se brenda në qytetin e Durrësit, në fund të muajit gusht kishte nisur rindërtimi për 4 shkolla dhe 1 kopsht, sipas konfirmimit të bashkisë.

“Faktoje” ishte në Durrës, në 25 tetor, vetëm një muaj para një vjetorit nga tragjedia që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, për të parë sesi po shkonte procesi i rindërtimit të 4 shkollave që ndodhen brenda qytetit.

Verifikimin e nisëm nga shkolla 9-vjeçare “Qemal Mici” në rrugën “Abaz Çelkupa”, në zonën e ish Kënetës që pësoi dëme të rënda dhe humbje në jetë njerëzish.

Shkolla 9-vjeçare “Qemal Mici” u shemb disa muaj më parë me vendim të Këshillit Bashkiak Durrës, për t’u rindërtuar nga e para.

*Shkolla 9-vjeçare ‘Qemal Mici’ gjatë punimeve.

Puna për ngritjen e objektit të ri po vazhdonte, por sipas inxhinierit që ndjek punimet, ato do zgjasnin në kohë.

“Për shkak të specifikave që ka zona, kemi hasur disa vështirësi gjatë punimeve. Kjo, sepse të gjithë ndërtimet janë në një zonë nënujore.”- u shpreh inxhinieri Indrit Fida.

“Kemi gërmuar dy herë, kjo sepse gjatë gërmimit të parë dolën disa probleme se filluan dhe reshjet e shiut. Prandaj u detyruam të bënim një gërmim të dytë duke zbatuar të gjitha parametrat.”-konfirmoi ai për “Faktoje”-n.

Kontrata për përfundimin e punimeve të shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici” përfundon në 22 dhjetor të këtij viti, por inxhinierët dhe punëtorët në terren, pavarësisht kohës së shkurtër që mbetet thanë se po punojnë me ritme të shpejta për të përfunduar mundësisht brenda afatit të vendosur nga kryeministri Rama, që është 26 nëntori.

Si ndikon përshpejtimi i punimeve në cilësinë e ndërtimit?

Nisur nga problematikat me strukturën e tokës në zonën e ish Kënetës, ne pyetëm edhe eksperten Luljeta Bozo, nëse përshpejtimi i punimeve ndikon në cilësinë dhe sigurinë e objektit.

“Shpejtësia e ndërtimit nuk ndikon, mjafton të respektohen rregullat e zbatimit të punimeve.”- shprehet inxhinierja për “Faktoje”-n.

Këtë garanci e morëm edhe nga inxhinieri në terren i cili konfirmon për “Faktoje”:

“Nuk ndikon në cilësinë e punimeve. Edhe nëqoftëse hallka e parë, pra inxhinieri zbatues nuk e bën punën e tij saktë, është hallka e dytë, inxhinieri i projektit që e mbikëqyr, së fundmi është supervizori, i cili është Fondi Monetar i Zhvillimit.”

Ndalesa e dytë për vëzhgimin e ecurisë së punimeve, ishte në shkollën 9-vjeçare “Neim Babameto”, një ndërtesë me 4 kate dhe kapacitet prej 1100 nxënësish.

Shkolla 9-vjeçare ‘Neim Babameto’ gjatë punimeve, 25 tetor 2020

Punimet në këtë shkollë janë drejt përfundimit, sipas konfirmimit nga inxhinieri që mbikqyr procesin.

“Besoj jemi gati për ta hapur shkollën me datë 26 nëntor. Aktualisht jemi duke lyer pjesën e jashtme të shkollës si dhe po punojmë me disa gjëra të vogla, si vendosja e dyerve, materialeve mësimore.etj”-shprehet ai për “Faktoje”-n.

Verifikimin për ecurinë e procesit të rindërtimit e vijuam në shkollën “Bedrie Bebeziqi”.

Ajo që bie në sy është afërsia e objektit të ngritur me një pallat, çka duket të jetë bërë dhe shkak për vonesat në nisjen e rindërtimit të shkollës.

*Shkolla ‘Bedrie Bebeziqi’gjatë punimeve/Foto:Aurora Shpataj

“Nuk e mbarojmë dot më 26 nëntor shkollën, sepse ne kemi filluar punimet nga fundi i muajit shtator, pasi kishim ca probleme me pozicionimin e objektit dhe me lejen e ndërtimit, e cila doli  andej nga data 21 shtator, nëse nuk gabohem.”-i tha “Faktoje”-s kryeinxhinieri që po ndiqte punimet në terren.

“Shkolla është 5 kate e do ketë afërsisht 480 nxënës. Kati i parë do jetë holl dhe në çdo kat do ketë nga një laborator dhe sallë kompjuterash”-konfirmoi më tej ai.

Punimet në shkollën ‘Bedrie Bebeziqi’/Foto:Aurora Shpataj

E vetmja shkollë në Durrës ku ka pëërfunduar rindërtimi është ajo 9 vjeçare “Shaqe Mazreku”.

Pjesa ballore e shkollës ‘Shaqe Mazreku’/Foto:Aurora Shpataj 

“Jemi gati për ta hapur, çdo gjë është gati, po presim mobiljet të vijnë, ndërkohë që po pastrojmë inertet që kanë mbetur pas punimeve. Besoj mund të jemi e vetmja shkollë që ka përfunduar në një kohë rekord, sepse ne kemi filluar punimet me datë 28 qershor.”-tha për “Faktoje” inxhinieri i projektit.

Pjesa e brendshme e shkollës ‘Shaqe Mazreku’/Foto:Aurora Shpataj

Shkolla 4 katëshe “Shaqe Mazreku”, me kapacitet prej 650 nxënësish, ka 24 klasa dhe sipas projektit përfshin 4 laboratorë dhe biblotekën.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img