“Tashmë, kanë mbetur edhe 13 ditë që Kukësi të ecë me një tjetër ritëm, atë të zhvillimi”. Kanë kaluar më shumë se 1 vit e gjysëm nga kjo deklaratë e kryebashkiakut të Kukësit, për rindërtimin e lagjeve 1 e 2 por asgjë nuk ka ndryshuar.
…..
“Bashkarisht, vendosëm që lagjet të kenë ndërhyrje kapilare në infrastrukturë, rikualifikim urban, shtim hapësirash të gjelbëruara, ndërtim të parqeve për fëmijët dhe të moshuarit.”
Me këto premtime kryetari i bashkisë Kukës Safet Gjici nisi takimin me banorët e lagjeve 1 dhe 2, të cilëve u garantoi se pas zgjedhjeve, lagjet përkatëse do të ndryshonin.
Në një kontroll në faqen zyrtare online të bashkisë Kukës për projekte dhe ide, asgjë nuk ishte publikuar. Faqja nuk funksiononte.
Po ashtu, në seksionin e projekteve në zbatim, po në faqen zyrtare të bashkisë Kukës nuk gjetëm informacion.
Meqë nuk gjetëm të dhëna për ndërhyrjet në lagjet 1 dhe 2, i dërguam një kërkesë për informacion bashkisë Kukës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi një përgjigje.
Hapi i radhës që Faktoje ndoqi, ishte verifikimi në terren, përkatësisht në lagjet numër 1 dhe 2, nëse kishin nisur punimet në përmbushje të premtimeve të dhëna nga kryebashkiaku Gjici. Pas më shumë se 1 viti nga këto premtime, asgjë nuk kishte ndryshuar.
Lagjja nr. 1
Kjo ishte pamja më të cilën u përballëm në lagjen numër 1. Ato çfarë dikur kishin qenë parqe apo hapësira të gjelbra, ishin shndërruar në hapësira pa përkujdesje dhe të mbuluara nga ferrat. Dukej qartë se nuk kishte asnjë lloj mirëmbajtjeje nga bashkia, gjë që e konfimoi edhe një prej banorëve të lagjes, i cili kishte edhe një biznes në atë zonë.
“Vetëm si qytet nuk duket. Është turp, sepse kjo ka qenë lagjja e parë e Kukësit, duhet të kishte më shumë vëmendje, më shumë mirëmbajtje. Pallatet janë me fasada të krisura, nuk ke një park, një hapësirë ku të ulesh me fëmijët, sepse unë vetë kam fëmijë”-shprehet D.J 45 vjeç.
Hapësira përpara një pallati në lagjen numër 1
Mungesa e furnizimit me ujë është një tjetër problem në këtë lagje, gjë që e konfirmojnë edhe banorët, të cilët nga ana tjetër janë mësuar të kënaqen ‘me pak’.
“Mbushim ujë me kova. Një orë ujë në mëngjes, një orë në pasdite. Nuk qahemi se ka pasur ditë gjatë verës që na vinte uji vetëm 20 minuta”-shprehet 55 vjeçarja D.K.
Vetë bashkia e Kukësit e shtron si problematikë mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në Planin e Zhvillimit Strategjik.
Pallat në lagjen numër 1
Dukshëm, rikualifikimi i kësaj zone nuk kishte ‘mbërritur’ në lagjen 1 edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga premtimi i kryebashkiakut Safet Gjici.
Lagjia nr 2
Pamjet e depozitave të vendosura nga banorët e pallateve ishin një dëshmi për mungesën e furnizimit të vazhdueshëm me ujë në lagjen 2.
M.P 67 vjeç banor i hershëm i saj, na konfirmoi se furnizoheshin me ujë vetëm një herë në ditë dhe nëse uji qëndronte dy orë, ndiheshin “me fat”
“Kemi pasur edhe më keq, uji vinte vetëm 20 ose 30 minuta. Tani jemi mirë se ka rënë shi”-shprehet ai.
Tarifa e pastrimit dhe largimit te mbeturinave, renditet mes taksave që qytetarët i paguajnë bashkisë Kukës, megjithatë pamjet brenda lagjeve nuk dëshmojnë për mirëmbajtje të mirëfilltë.
Shesh pushimi mes pallateve në lagjien nr 2
Sipas një raporti zyrtar, të ardhurat nga tarifa e gjelbërimit kanë shënuar rritje nga viti 2018 deri në vitin 2019, por në terren nuk pamë ndonjë reflektim të investimit të këtyre të ardhurave.
Nga verifikimi i kryer nga Faktoje në dy lagjet e Kukësit në të cilat jeton një komunitet prej 3500-4000 banorësh gjithsej, dhe nga informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimet e kryebashkiakut Safet Gjici për furnizimin me ujë, mirëmbajtjen apo krijimin e hapësirave të gjelbra dhe rikualifikimin urban, t’i kategorizojmë si të pambajtura.